Në bazë të shqyrtimit të dosjeve përkatëse të burgut Durrës, Prokuroria ka arritur në konkluzionin se i dënuari Lulëzim Berisha duhej të kryente edhe të paktën 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga parashikimet ligjore për lirimin me kusht.
Prokuroria e Durrësit nxori urdhër arrestin për drejtorin dhe juristin e burgut të Durrësit, konkretisht Astrit Kotaj dhe Teodor Labi të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, në vijim të hetimit të nisur kryesisht për lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha.
Nga ana e forcave të Policisë së Shtetit është ekzekutuar urdhri i prokurorisë për arrestimin e drejtorit te burgut, Astrit Kotaj, pas caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg”, vendosur nga ana e Gjykatës, ndërsa është në kërkim juristi Teodor Labi.
(Juristi Teodor Labi)
Teodor Labi është djali i Iljaz, Labit, ish-nën drejtor i përgjithshëm i Burgjeve, i arrestuar në muajin korrik për korrupsion me tenderat e ushqimeve.
Prokuroria e Durrësit ka krijuar dyshime të arsyeshme se zyrtarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale te "Shpërdorimi i detyres" dhe "Falsifikimi i dokumentave" të parashikuara nga nenet 186/3 dhe 248 të K.Penal.
Pas arrestimit, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka shkarkuar nga detyra drejtorin e burgut, ndërsa deklaron se "Nxis prokurorinë për zbardhjen e të vërtetave që shqetësojnë opinionin publik" deklaron ai.
Dhjetë vite pas arrestimit të tij në Maqedoni e më pas ekstradimit drejt Shqipërisë ku ishte në kërkim për një sërë krimesh, Lulzim Berisha i njohur si ish-kreu i Bandës së Durrësit fiton lirinë.
Berisha është liruar nga Gjykata e Durrësit në një proces larg vëmendjes së mediave dhe ndaj tij është vendosur liri me kusht për 5 vitet e mbetura të dënimit.
Prokuroria e Durrësit nisi hetimin për lirimin e të dënuarit Lulëzim Berisha, ndërsa fillimisht në pranga ra drejtori i burgut dhe në kërkim është juristi, ndërsa hetimi vazhdon.
Gjykatësi që vendosi rrëzimin e dënimit të përjetshëm për Lul Berishës në vitin 2014 është i njëjti gjykatës që ka qenë në trupën që vendosi shpalljen e Gërdecit një aksident teknologjik, duke shpëtuar nga përgjegjësia penale ish-Kryeministrin Berisha.
Shkëlzen Selimi i emëruar nga vetë ish-Kryeministri Berisha në qershor 2011, ka shpallur të pafajshëm guvernatorin Fullani dhe ka mbyllur çështjen e 21 janarit.
dy.b/shqiptarja.com