LISBA, partia islame në Kosovë
Zhita: Pse na u imponua politika

LISBA, partia islame në Kosovë <br />Zhita: Pse na u imponua politika
TIRANE - Të imponuar nga diskriminimi i qeverisë së Kosovës ndaj komunitetit mysliman dhe mos suksesit të saj në segmente të tjera të jetës. Më këtë argument Noli Zhita (në foto), anëtari i kryesisë qendrore në "Lëvizjen Islame Bashkohu" (LISBA), shpjegon prurjen më të re në politikën kosovare, “partinë fetare” nëse do ta cilësonim kështu, programit të së cilës iu dha “Ok” i KQZ-së në muajin mars të këtij viti.

Në një intervistë për Shqiptarja.com, Zhita thotë se partia islame mund të mbijetojë në politikë, pasi sjell një program për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ndërsa thekson se për këtë arsye "Lëvizja Islame Bashkohu", synon të përfshijë një elektorat të gjerë, jo vetëm muslimanë, por njëkohësisht të ndryshojë edhe disa ligje aktuale të Kosovës. “Jemi e vetmja parti që ruajmë identitetin tonë dhe jemi e vetmja parti që parim të jetës e kemi të mos diskriminojmë asnjë njeri qoftë racë apo nacionalitet apo fe tjetër, sepse kështu na mëson islami”, thekson ai.

Duke sjellë në vëmendje angazhimin e mëparshëm të Lëvizjes islame, tashmë parti dhe protestat e bujshme të saj, Zhita nënvizon se një ndër kërkesat e vazhdueshme të tyre ka qenë ndërtimi i një xhamie të madhe në Prishtinë.  “Ishte kërkesë e padiskutueshme sepse qytetarët e Kosovës ritualin fetar e kryenin në borë dhe shi derisa çdo ministër ka blerë vetura komode me paret që taksapaguesit kosovar paguajnë, atëherë mendojmë që edhe ne kemi të drejt në kërkesat tona për xhami”, shprehet anëtari i kryesisë së LISBA.

Në krye të "Lëvizjes Islame Bashkohu" qëndron Afrim Krasniqi,  ndërsa një figurë e njohur e lëvizjes është edhe Fuad Ramiqi, oficer i ish-armatës jugosllave në Kroaci e Bosnje

INTERVISTA

Pse një parti fetare në politike? Mund të bashkëjetojë feja me politikën jashtë Sheriatit (ligjit islam)?

Hyrja e Lëvizjes Islame Bashkohu (LISBA) në politikë ishte hap i imponuar nga qeveria e Kosovës, jo vetëm nga diskriminimi që na bëri neve si komunitet shumicë në Kosovë, por edhe nga vetë mossuksesi i qeverisë mbi segmentet e tjera të jetës,10 qofshin ato kombëtare ekonomike apo sociale. Këto ishin hapat e parë që ne morëm vendimin të hedhim hap në mejdanin politik.

A ka qenë synim fillestar i lëvizjes suaj, përfshirja në politikë?
Synimi i LISBA-se ishte që nëpërmjet protestave të bëhet publik një diskriminim që ju bëhej komunitetit Musliman në Kosovë, të lajmërohet faktori ndërkombëtar dhe organizata apo institucione të tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ato protesta ishin forcë për kërkesat tona deri sa erdhi një kohë që mekanizmi i protestave të kthehet në një betejë politike.

Ju jeni njohur në Kosovë si një lëvizje që ka luftuar për synime të qarta, siç ka qenë ndërtimi i një xhamie të madhe në Prishtinë, edukimi fetar në shkolle, apo edhe lejimin e shamisë në shkollë. Çfarë programi ka partia juaj?
Beteja e LISBA-së është e qartë dhe e kapshme për popullatën e Kosovës pasi që nisemi nga identiteti ynë dhe parimet tona, nga ajo që është e njohur për popullin tonë dhe nuk është ndonjë risi. Ne gjithmonë do të jemi në mbrojtje të identitetit tonë dhe kërkesat do t’i nisim nga ky parim. Ajo çka ne e kemi kërkuar për çështjen e ndërtimit të një xhamie të madhe në Prishtinë ishte kërkesë e padiskutueshme sepse qytetarët e Kosovës ritualin fetar e kryenin në borë dhe shi derisa çdo ministër ka blerë vetura komode me paret që taksapaguesit kosovar paguajnë, atëherë mendojmë që edhe ne kemi të drejt në kërkesat tona për xhami.

Ku bazohet konkretisht themeli i asaj qe ju doni te ndryshoni?

Programi i LISBA-se është ndryshe nga partitë e tjera derisa asnjë parti deri më sot s’ka sjellë program për mbrojtjen e njeriut, por për mbrojtjen e ideologjive apo liderëve të ndryshëm. LISBA do t’i sjellë qytetarit kosovar një program që nuk do të diskriminohet asnjë qytetar pa dallim besimi apo kombësie dhe ai program gjithsesi ka synim t’i ndryshojë disa ligje aktuale.

Si gjendeni përballë paragjykimit që mund të ekzistojë se mund t'i jepni politikes një frymë radikale islamike?
Etiketimet që na bëhen si “radikal Islamik” janë burime të pabazuara. Vetë individët që na quajnë radikalist nuk e dinë kuptimin e fjalës radikalizëm, nëse mbrojtja e të drejtave tona është radikalizëm atëherë unë jam i pari nga ta.

Çfarë elektorati do të ketë "Lëvizja Islamike Bashkohu", do të synoni vetëm besimtarët muslimanë, interesat e të cilëve mbroni, apo edhe qytetare të tjerë? Thënë ndryshe, përse do ta gjente veten në partinë tuaj një person jashtë fesë islame me të drejtën për të votuar?

Lëvizja Islame Bashkohu nuk do të zgjedhë elektoratin e saj, por elektorati do ta zgjedhë Lëvizjen. Jemi e vetmja parti që ruajmë identitetin tonë dhe jemi e vetmja parti që parim të jetës e kemi të mos diskriminojmë asnjë njeri qoftë racë apo nacionalitet apo fe tjetër, sepse kështu na mëson islami. Ne jemi të hapur për çdo njeri, kushti i vetëm i asaj është t’i përmbahet programit të lëvizjes.

Si ka reaguar politika në Kosovë ndaj kësaj prurjeje te re?
Shumë parti të mëdha që nga marrja e licencimit nga KQZ-ja, na kanë përgëzuar. Madje përgëzimet shpesh herë janë sjellë rreth bashkëpunimeve me ato parti, por synimi i LISBA-së është i qartë dhe fjala e fundit e jona është që çdo bashkëpunim që mund të bëhet është vetëm implementimi i programit tonë.

Në krye të partisë tuaj qëndron Arsim Krasniqi, ndërsa një figurë e njohur e lëvizjes është edhe Fuad Ramiqi , oficer i ish-armatës jugosllave në Kroaci e Bosnje. Komenti juaj? Fryma mes jush dhe kryetarit?

Kryetar i LISBAS-së është Arsim Krasniqi. Fryma të cilën kryetari e mban në raport me anëtarët e kryesisë është një frymë vëllazërore madje nga raporti shoqëror që krijon kryetari me anëtaret është një atmosferë e cila na jep të mendoj që titulli i kryetarit i takon gjithë anëtarëve të LISBA-së .

Fuad Ramiqi ishte një ish-oficer në armatën jugosllave atëherë kur Kosova dhe Bosnja ishte pjesë e Jugosllavisë, mirëpo me shtypjen që ju bëhej muslimanëve në Bosnje dhe me masakrimin e tyre ai ishte njëri ndër iniciuesit e themelimit të armatës boshnjake në atë kohë. Madje ishte edhe udhëheqës i betejës së Bihaxhit që njihet nga faktori ndërkombëtar si beteja më e ashpër pas betejës së Stalin gradit. Fuad Ramiqi ishte dhe zëvendës në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, e cila ishte gjate luftës së Kosovës ku si detyrë kishte rekrutimin dhe udhëheqjen e betejave kundër regjimit serb në Kosovë.

Cilat janë pritshmëritë e partisë suaj?
Ajo që neve na solli në politike është diskriminimi që na është bërë, andaj pritshmëria jonë është që të sjellim njerëz në pushtet që shteti ynë do të udhëhiqet nga pushteti për dobi të qytetarit dhe jo për lukset e pushtetarëve. Pritshmëria tjetër është që ne do ta ngremë ekonominë e Kosovës duke synuar të sjellim edhe investitor nga shtetet islame.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?



×

Lajmi i fundit

Rekord/ 54 mijë e 721 turistë vizituan muzetë kombëtare gjatë 3 muajve të parë të vitit, 122% më shumë se në 2023

Rekord/ 54 mijë e 721 turistë vizituan muzetë kombëtare gjatë 3 muajve të parë të vitit, 122% më shumë se në 2023