Afganistan/ Talebanët vrasin familjarin e gazetarit të DW! Bllokojnë aeroportin e Kabulit, s'lejojnë bashkëpunëtorët e SHBA-NATO të largohen, i kërcënojnë me vdekje

AFGANISTAN- Talebanët janë kthyer në kërcënim edhe për gazetarët. Teksa po kërkonin një gazetar të DW luftëtarët talebanë qëlluan dhe vranë një anëtar të familjes së tij dhe plagosën rëndë një anëtar të dytë të familjes.Transmetuesi tha në një deklaratë të enjten se luftëtarët talebanë po kërkonin reporterin e Deutsche Welle dhe po kontrollonin shtëpitë në Afganistanin perëndimor. Ajo raportoi se anëtarët e tjerë të familjes arritën të shpëtojnë. Deutsche Welle raportoi se vetë gazetari, identiteti i të cilit nuk u zbulua, tashmë është vendosur në Gjermani, ku po punon.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se trupat amerikane do të vazhdojnë të jenë në Afganistan derisa të evakuohen të gjithë qytetarët amerikanë dhe afganët që u rrezikohet jeta, bashkëpunëtorë të tyre, edhe nëse kjo do të kërkonte të mbahej një prani ushtarake atje përtej afatit të 31 gushtit. Në një intervistë me George Stephanopoulos të kanalin ABC Neës, Biden tha se janë rreth 15 mijë qytetarë amerikanë që vijojnë të bllokuar në vend dhe 22 mijë afganë që "kanë sytë" nga Amerika. 

"Nëse kanë mbetur qytetarë amerikanë, ne do të qëndrojmë derisa t'i nxjerrim të gjithë", tha ai. 

Frika është shtuar në Afganistan, kjo sepse talebanët kanë rrethuar aeroportin e Kabulit duke penguar largimin e afganëve të cilët kanë punuar për perëndimin. Grupi militant u ka premtuar të huajve kalim të sigurt në aeroport, por shtetasit afganë që kanë të drejtë të evakuohen për shkak të punës së tyre si bashkëpunëtorë për SHBA-NATO kanë raportuar vështirësi madje flasin edhe për dhunë. Kjo ka bërë që edhe mbërritja e afganëve në Shqipëri të shtyhet, pasi ishte parashikuar që të vinin pardje ose dje, por fluturimi i tyre është shtyrë për shkak të zhvillimeve të fundit në Afganistan dhe nuk ka një datë dhe orë fikse se kur parashikohet të vijnë.

Referuar mediave ndërkombëtare, thuhet se pavarësisht deklaratave të talebanëve për paqe, ato kanë nisur një operacion duke shkuar derë më derë për të identifikuar shtetasit që punonin për ndërkombëtarët. Situata vështirësohet edhe më shumë nga qindra afganë të tjerë të cilët nuk kanë asnjë dokument për t'u larguar, por shkojnë në aeroport me shpresën për të siguruar një vend në një fluturim evakuimi.

Talebanët kanë kërkuar të qetësojë komunitetin ndërkombëtar, duke shpallur një "amnisti të përgjithshme" dhe duke theksuar se do të kishte "shumë dallime" në mënyrën se si ata qeverisin vendin në krahasim me kohën e mëparshme kur ata kanë qenë në pushtet. Ata thanë se gratë nuk do të ishin të detyruara të mbanin burka dhe se do të lejoheshin të punonin, brenda kufijve të "ligjit islam". Mirëpo deklaratat e tyre janë shumë larg veprimeve, kjo sepse është parë që figura femërore është hequr nga televizionet, posterat në mur të vajzave janë fshirë, madje janë parë edhe skena dhune të qytetarëve që po rriheshin me kamxhik në rrugë. Që nga dita e diel, kur talebanët morën pushtetin 12 persona janë vrarë, nga të shtëna me armë, por mbeten të paqarta rrethanat.

Nisur nga kjo vendet perëndimore kanë bërë thirrje që të mos e njohin qeverinë e talebanëve, që do të sillte jo pak pasoja ekonomike për ta, në një vend si Afganistani i listuar si ndër më të varfërit në botë. Edhe FMN-ja ka marrë masa, duke i hequr Afganistanit çdo akses në burimet e saj.   

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:33
Kërkonin gazetarin e DW, talebanët i vrasin një prej familjarëve dhe i plagosin një tjetër

Talebanët u janë kthyer edhe gazetarëve. Transmetuesi publik gjerman Deutsche Welle deklaroi sot se talebanët qëlluan dhe vranë një anëtar të familjes së një prej reporterëve të tyre në Afganistan dhe plagosën rëndë një anëtar të dytë të familjes.

Talebanët ishin vënë në kërkim të reporterit të Deutsche Welle dhe po kontrollonin shtëpitë në Afganistanin perëndimor. Fatmirësisht anëtarët e tjerë të familjes janë mirë.

Deutsche Welle raportoi se vetë gazetari, identiteti i të cilit nuk u zbulua, tashmë është vendosur në Gjermani, ku po punon.

Limbourg shtoi se shtëpitë e të paktën tre gazetarëve të tjerë të Deutsche Ëelle u kontrolluan nga talebanët në Afganistan ditët dhe javët e fundit.

Ora 22:00
Largimi i afganëve, Erdogan thirrje udhëheqësve të Europës: Merrni përgjegjësi! Turqia s'ka ndërmend të bëhet njësia e magazinimit të emigrantëve në Evropë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u bëri thirrje udhëheqësve të Evropës të marrin përgjegjësinë për emigrantët që po ikin nga Afganistani, pasi vendi u morë nga talebanët.

"Turqia nuk ka ndërmend të bëhet njësia e magazinimit të emigrantëve në Evropë, përballë kaosit të vazhdueshëm", tha ai, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Që nga marrja nën kontroll e vendit nga talebanët këtë fundjavë, dhjetëra mijëra afganë janë përpjekur të largohen nga vendi. Shumë kanë kaluar në Turqi, sipas grupeve të ndihmës për emigrantët dhe mediave shtetërore.

Turqia është shtëpia e rreth 4 milionë refugjatëve, shumica prej tyre sirianë që ikën nga lufta civile e vendit të tyre. OKB vlerëson se Turqia aktualisht strehon më shumë refugjatë nga çdo vend në botë.

Diku midis 500 dhe 2,000 afganë vlerësohet të mbërrijnë në Turqi çdo ditë.

Duke folur pas një takimi të kabinetit, Erdogan tha gjithashtu se Turqia mund të përfshihet në diskutime me një qeveri të udhëhequr nga talebanët në Afganistan lidhur me "axhendat e tyre të përbashkëta".

Ora 21:54
Si ndikoi marrëveshja me talibanët tek vendimi i Presidentit Biden në Afganistan?

Ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump nënshkruante një marrëveshje paqeje me talibanët në shkurt 2020, vetë presidenti deklaroi me optimizëm: "mendojmë se do të jemi të suksesshëm në fund". Sekretari i tij i Shtetit, Mike Pompeo, pohoi se administrata "po shfrytëzonte mundësinë më të mirë për paqen në një brez".

Tetëmbëdhjetë muaj më pas, Presidenti Joe Biden po e drejton vëmendjen tek marrëveshja e nënshkruar në Doha të Katarit, ndërsa përpiqet të shmangë fajin për marrjen e rrufeshme të Afganistanit nga talibanët. Ai thotë se marrëveshja e detyroi të tërhiqte trupat amerikane, duke krijuar terren për kaosin që përfshiu vendin.

Por marrëveshja nuk mund të përdoret si i vetmi justifikim. Ky dokument kishte një klauzolë që thoshte se SHBA mund të tërhiqeshin nga marrëveshja nëse bisedimet e paqes afgane dështonin. Kjo ndodhi, por Presidenti Biden vendosi t’i përmbahej marrëveshjes, megjithëse ai e shtyu tërheqjen e plotë nga maji në shtator.

Chris Miller, sekretar i mbrojtjes në detyrë në muajt e fundit të administratës Trump, hodhi poshtë idenë se zoti Biden i kishte duart e lidhura nga marrëveshja.

"Nëse (Biden) mendonte se marrëveshja ishte e keqe, ai mund ta kishte rinegociuar. Ai kishte plot mundësi për ta bërë këtë nëse dëshironte," tha në një intervistë zoti Miller, zyrtar i lartë i Pentagonit për antiterrorizmin në kohën kur u nënshkrua marrëveshja e Dohas.

Por, rinegocimi do të kishte qenë i vështirë. Presidenti Biden do të kishte mundësi të pakta presioni. Ai, ashtu si pararendësi Donald Trump, donte që trupat amerikane të largoheshin nga Afganistani. Tërheqja nga marrëveshja mund ta kishte detyruar të dërgonte mijëra ushtarë të tjerë në Afganistan.

Presidenti Biden e theksoi këtë të hënën, duke thënë në një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë se nuk do të angazhohej për të dërguar më shumë trupa amerikane për të luftuar për të ardhmen e Afganistanit, ndërkohë që iu referua përsëri marrëveshjes së administratës Trump për të aluduar se rruga e tërheqjes ishte paracaktuar nga paraardhësi i tij.

"Zgjedhja që duhej të bëja, si presidenti i juaj, ishte ose të zbatoja atë marrëveshje ose të isha gati të kthehesha në luftën kundër talibanëve në mes të sezonit të pranverës," tha zoti Biden.

Marrja e Afganistanit nga talibanët, shumë më shpejt se sa ç’e kishin parashikuar zyrtarët e secilës administratë, ka nxitur pyetje edhe nga disa zyrtarë të kohës së Presidentit Trump nëse kushtet dhe specifikimet e marrëveshjes, si dhe vendimet që pasuan, bënë sa duhet për të mbrojtur Afganistanin pasi ushtria amerikane u tërhoq.

Marrëveshja historike ishte gjithmonë një angazhim i rrezikshëm diplomatik që kërkonte një shkallë besimi te talibanët si një partner i mundshëm i paqes dhe u hartua megjithë skepticizmin që ushqenin afganët e lodhur nga lufta, të cilët i trembeshin humbjes së autoritetit në një negociim për ndarjen e pushtetit.

"Marrëveshja e Dohas ishte një marrëveshje shumë e dobët dhe SHBA duhet të kishte siguruar më shumë lëshime nga talibanët," thotë Lisa Curtis, eksperte për Afganistanin, e cila ka shërbyer gjatë administratës Trump si drejtoreshë e lartë për Azinë Jugore dhe Qendrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Ajo e quan optimizëm të tepruar të besosh se talibanët mund të jenë të interesuar për paqe të qëndrueshme. Marrëveshja që rezultoi, tha ajo, anonte së tepërmi nga interesat e talibanëve dhe kontribuoi në minimin e autoritetit të Presidentit afgan Ashraf Ghani, i cili u arratis nga vendi të dielën dhe tani strehohet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Marrëveshja bëri të mundur edhe lirimin e 5,000 të burgosurve talibanë pa marrë nga talibanët lëshime të ngjashme.

"Ata donin largimin e forcave amerikane dhe kërkonin ta merrnin vendin ushtarakisht. Talibanët besonin se mund ta arrinin këtë," tha zonja Curtis. "Kjo ishte krejt e qartë".

Marrëveshja kërkonte që SHBA të reduktonte forcat e saj nga 13,000 në 8,600 në tre deri katër muajt pasues dhe specifikonte që forcat e mbetura amerikane do të tërhiqeshin në 14 muaj, ose deri më 1 maj.

Presidenti Biden, në një intervistë për kanalin ABC të transmetuar të enjten, tha se ai u gjend përballë një afati të paracaktuar sapo mori detyrën: "A të deklaroj se do të qëndrojmë? Si mendoni ju, nuk do të na duhej të dërgonim shumë më tepër trupa?" Edhe pa marrëveshjen e administratës Trump, Biden tha: "do të isha përpjekur për të gjetur një mënyrë për t'i tërhequr trupat" dhe se "nuk ka moment të përshtatshëm për t’u larguar nga Afganistani".

Marrëveshja përfshinte angazhime që pritej të bënin talibanët për të parandaluar terrorizmin, përfshirë detyrimet për të hequr dorë nga al-Kaida dhe për të mos i lejuar atij grupi ose të tjerëve që ta përdornin tokën afgane për planifikimin e sulmeve ndaj Shteteve të Bashkuara ose aleatëve të tyre. Megjithëse marrëveshja u kërkonte talibanëve të ndalonin ndërmarrjen e sulmeve ndaj Shteteve të Bashkuara dhe forcave të koalicionit, nuk u kërkonte atyre shprehimisht të dëbonin al-Kaidën ose të ndalnin sulmet ndaj ushtrisë afgane.

Marrëveshja i dha legjitimitet domethënës talibanëve, udhëheqësit e të cilëve u takuan me sekretarin e atëhershëm të Shtetit, Mike Pompeo, i pari shef i diplomacisë amerikane që bënte një akt të tillë.Kishte gjithashtu diskutime se talibanët mund të vinin në SHBA për t'u takuar me Presidentin Trump.

Megjithatë, presidenti i mëparshëm Trump fliste me rezerva për perspektivat e marrëveshjes për sukses, duke paralajmëruar se do të përdorej forcë ushtarake nëse "ndodhin gjëra të këqija". Zoti Pompeo nga ana e tij pat thënë se SHBA ishte "realiste" dhe "e matur"; e vendosur për të shmangur luftrat e pafundme.

Zyrtarët amerikanë e bënë të qartë në atë kohë se marrëveshja ishte e bazuar në kushte dhe nëse nuk arrihej një zgjidhje me negociata në bisedimet paqësore për të ardhmen e Afganistanit, do të anulohej klauzola për tërheqjen e trupave amerikane.

Një ditë para marrëveshjes së Dohas, një ndihmës i lartë i kryenegociatorit amerikan Zalmay Khalilzad tha se marrëveshja nuk ishte e pakthyeshme dhe “nuk ka asnjë detyrim për Shtetet e Bashkuara të tërheqin trupat, nëse palët afgane nuk janë në gjendje të arrijnë marrëveshje ose nëse talibanët tregojnë se nuk mund t’u zihet besë” gjatë negociatave.

Këto negociata ishin parashikuar të fillonin brenda një muaji nga nënshkrimi i marrëveshjes, por u vonuan mes mosmarrëveshjeve midis talibanëve dhe qeverisë afgane për lirimin e të burgosurve. Mes ngecjesh e ngërçes, negociatat nuk kishin dhënë ndonjë rezultat deri në kohën kur zoti Biden njoftoi vendimin e tij të tërheqjes në prill.

Zoti Miller thotë se ishte "qasja e duhur" dhe e nevojshme për të detyruar Presidentin Ghani në negociata. Ai shton se marrëveshja e Dohas ishte menduar gjithmonë të ishte "faza e parë" e procesit dhe se në pjesën tjetër SHBA do të përdorte fuqinë e saj për t’i bërë presion zotit Ghani që të negocionte mbi një marrëveshje të ndarjes së pushtetit me talibanët.

"Natyrisht, ai nuk ishte entuziast për këto terma, por do ta bënte, ose do të humbte postin,” thotë zoti Miller. "Ne do t'i bënim presion serioz për ta detyruar të arrinte marrëveshje me talibanët".

E parë në retrospektivë, thotë zonja Curtis, SHBA nuk duhet të kishte hyrë në bisedimet e Dohas "nëse nuk ishim të përgatitur për të përfaqësuar interesat e qeverisë afgane. Ishin negociata të padrejta, sepse askush nuk po mbronte interesat e qeverisë afgane”./VOA

Ora 19:45
Gruaja afgane tregon tmerrin e përjetuar pasi afganët nuk e lejuan te largohej nga vendi: Mu afruan 3 burra me kamxhikë, është si fundi i botës

Një grua afgane ka rrëfyer tmerrin që ajo ka përjetuar, pasi talebanët, me kamxhikë në duar, nuk e lejua që të futej në aeroportin e Kabulit në mënyrë që të largohej nga vendi.

Për BBC gruaja ka rrëfyer se pasi kishte mbërritur në afërsi të aeroportit,  ishin afruar tre burra që mbanin kamxhikë, të cilët i kërkuan të dinin se përse ajo nuk ishte e shoqëruar nga një burrë.

Ndonëse e pajisur me vizë për të udhëtuar në drejtim të një vendi tjetër, ajo nuk u lejua nga talebanët.

"Ata janë brutalë si më parë, kam frikë se ata kurrë nuk do të më lejojnë të largohem nga vendi. Nuk ka shpresë, është si fundi i botës," tha ajo.

Ora 18:29
Afganistan/ U kap pas rrotave të avionit për të shpëtuar nga terrori i talebanëve, ky është futbollisti 19-vjeçar që humbi jetën tragjikisht

Përpjekja për tu larguar nga terrori i talebanëve rezultoi tragjike për futbollistin afgan dhe një person tjetër. Futbollisti Zaki Anwari, 19 vjeç ishte se një nga dy personat që ra nga avioni tre ditë më parë.

Zaki Anwari ishte kapur pas rrotave të një avioni ushtarak amerikan C-17 në përpjekje për tu larguar nga Afganistani që u mor nën kontroll të plotë nga talebanët.  Ajo ditë shprese për të kërkuar një shtëpi më të ngrohtë i preu ëndrrat në mes futbollistit afgan.

Humbja e jetës së Anwarit është konfirmuar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Sportit përmes një postimi në ‘Facebook’.

“Mësuam me keqardhje të madhe që Zakia Anwari, një nga lojtarët e ekipit kombëtar të futbollit të të rinjve, vdiq në një aksident tragjik. I ndjeri Anwari, mes qindra të rinjve që donin të largoheshin nga vendi, u rrëzua nga një aeroplan ushtarak amerikan dhe vdiq”, shkruan drejtoria e Përgjithshme e Sportit.

Ora 17:38
DASH jep alarmin për qytetarët amerikanë në Kabul: Shkoni në aeroportin e qytetit sa më shpejt të jetë e mundur!

Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një alarm të ri për qytetarët amerikanë në Kabul duke u kërkuar atyre që të udhëtojnë në aeroportin e qytetit "sa më shpejt të jetë e mundur". Sipas DASH, SHBA nuk mund t'i sgurojë qytetarëve të saj në Kabul kalim të sigurt deri në aeroport.

"Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk mund të sigurojë kalim të sigurt në aeroport," thotë alarmi.

Ora 16:31
Pak gatishmëri në BE për pranimin e refugjatëve nga Afganistani

Ministri i Brendshëm me periudhën më të gjatë në detyrë në BE u apeloi në ndërgjegje homologëve të tij. „Ne duhet të përcaktojmë kuota për refugjatët afganë, që vijnë në rrugë legale në Europë", thotë Jean Asselborn. "Shtetet e BE-së duhet të japin një sinjal, që janë të gatshëm të ndihmojnë njerëzit."

Luksemburgasi e kritikon ashpër qëndrimin e Austrisë: "Eshtë e tmerrshme. Eshtë dëshpëruese. Të tilla shprehje populiste ngjallin frikë." Problemi duhet zgjidhur bashkarisht dhe njerëzit nga Afganistani nuk mund të refuzohen, apelon Asselborn. Por thirrja e tij duket se nuk përfillet. Vendet e BE-së janë të përçarë dhe veprojnë sipas interesve të tyre. Tani duhet që bllokada të zgjidhet në një samit të jashtëzakonshëm. Aktualisht vendet e BE-së kanë këto pozicione:

Austria

Një refuzim total dhe tone të ashpra kundër pranimit të refugjatëve afganë shpreh aktualisht ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer. Tani ka prioritet të lartë, „të biseodhet me vendet fqinjë të Afganistanit, në mënyrë që të garantohet në rajon mbrojtja dhe ndihma". BE-ja duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur kuifjtë e saj të jashtëm. Por nuk ka arsye përse tani afganët të vijnë në Austri.

Greqia

As Greqia nuk do të pranojë refugjatë nga Afganistani. Ministri i Migracionit Notis Mitarachi deklaroi, se Greqia nuk do të bëhet sërish „porta e valës së parregullt të refugjatëve drejt Europës." Ndërkohë, sipas tij në Greqi janë strehuar 40.000 afganë, gjysma janë me status të njohur dhe pjesa tjetër si azilkërkues. Greqia e konsideron Turqinë si një vend të sigurtë për refugjatët afganë. 

Franca

Qeveria franceze përpiqet ndërkohë të zbusë një deklaratë të presidentit Emmanuel Macron të hënën në mbrëmje (16.08), me të cilën ai hasi në shumë kritika. Në një fjalim në televizion ai u shpreh kundër „valëve të parregullta" të refugjatëve nga Afganistani. Zëdhënësi qeveritar Gabriel Attal deklaroi të mërkurën (18.08), se çdo vit disa mijëra afganë janë pranuar në Francë, pasi ata janë larguar prej përndjekjes dhe luftës e kjo gatishmëri për pranim do të vazhdojë. Franca të martën gjatë natës evakuoi 180 afganë nga Kabuli për arsye humanitare.

Duhet një nismë ndërkombëtare për t'u ofruar strehim afganëve që kërkojnë azil. Zëdhënësi qeveritar nuk u prononcua se deri në sa refugjatë mund të pranojë Franca. Kjo temë është delikate për Macron në sfondin e zgjedhjeve presidenciale në pranverë. Partitë e djathta, veçanërisht partia e Marine Le Pen, prej vitesh nxisin frikërat prej migracionit.

Italia

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi ende nuk është prononcuar lidhur me çështjen e refugjatëve nga Afganistani. Prioriteti i europianëve tani duhe të jetë, pranimi i atyre afganëve dhe familjeve të tyre, që kanë bashkëpunuar me Perëndimin ose janë angazhuar për të drejtat e grave, ka nënvizuar Draghi. Por kreu i qeverisë italiane nuk prononcohet qartazi, pasi koalicioni i tij mbështetet nga partitë populiste ose të djathtët ekstrem. Këtë verë Italia sërish ka pasur fluks të rritur të refugjatëve, që vijnë nga vendet afrikane përmes itinerarit të Mesdheut.

Spanja

Qeveria spanjolle ka shprehur gatishmëri të pranojë afganë, duke u ofruar si një vend për qëndrim të përkohshëm, për ata që kanë bashkëpunuar me Perëndimin dhe duhet të evakuohen për arsye humanitare. Përveç kësaj nuk ka asnjë ofertë tjetër nga Madridi.

Holanda

Në Holandë po diskutohet ndërkohë vetëm për pranimin e refugjatëve, që kanë punuar në kuadër të misionit të NATO-s dhe me organizatat e ndihmës. Këta janë fare pak persona. Fluturimi i parë i Holandës për evakuimin u desh të ndërpritej për shkak të kushteve kaotike në aeroportin e Kabulit.

Skandinavia

Danimarka muajt e fundit e ka ashpërsuar politikën e saj ndaj refugjatëve, aq sa tani planifikon të kthejë edhe refugjatët sirianë të pranuar me status qëndrimi. Pranimi i afganëve konsiderohet si i përjashtuar. Ngjashëm vepron Suedia, ku qeveria e koalicionit nuk ka bazë të sigurtë dhe si rrjedhojë politika liberale ndaj refugjatëve është sakrifikuar nën presionin e partive të djathta.

Gjermania

Në Gjermani qëndrimi është i paqartë. Në fundjavë sipas përllogaritjeve në Berlin lihet të kuptohet, se mund të kemi të bëjmë me një numër prej afro 10.000 afganësh, që kanë qenë bashkëpunëtorë të Bundeswehr-it, anëtarë të shoqërisë civile ose të organizatave joqeveritare dhe që duhet të pranohen për arsye humanitare. Por fillimisht afganët e larguar nga vendi duhet të transportohen në vendet fqinjë me ndihmën e UNHCR-së. Në një hap të dytë mund të mendohet, nëse ata që janë veçanërisht të prekur do të mund të sillen në mënyrë të rregullt në Europë. Ndërkohë landet e veçanta të federatës kanë shprehur gatishmërinë të pranojnë përkatësisht disa mijëra afganë. Ndërsa në qershor një kërkesë në parlament e partisë Të Gjelbrit për evakuimin e grupeve të rrezikuara të afganëve, u refuzua nga deputetët. Aktualisht shumë rrugë për largimin nga Afganistani janë bllokuar përmes checkpoint-eve të Talibanëve.

Ora 16:09
OKB: Talebanët po kërcenojnë me vrasje bashkëpunëtorët

 

Në një kohë që talebanët kanë rrethuar aeroportin e Kabulit duke penguar largimin e afganëve që më parë punonin për perendimin, mediat e huaja citojnë një dokument të OKB që thotë se talebanët po intensifikojnë përpjekjet e tyre për të lokalizuar dhe indentifikuat të gjithë njerëzit që punuan dhe bashkëpunuan me forcat e NATO dhe SHBA.

Ata po arrestojnë dhe kërcënojnë se do të vrasin anëtarët e familjeve të këtyre personave nëse ata nuk i dorëzohen talebanëve.

"Talebanët kanë krijuar harta paraprake me tw dhwnat e kwtyre individëve para se të merrnin nën kontroll të gjitha qytetet e mëdha," thuhet nw raport.

Aty theksohet se militantët po kontrollonin për individët ndërsa lejonin një evakuim të personelit të huaj nga aeroporti i Kabulit, por situata atje mbetet "kaotike"

Sipas raportit, talebanët po rekrutojnë rrjete të reja informuese për të bashkëpunuar me regjimin e ri.

Figura femërore është hequr nga televizionet, posterat në mur të vajzave janë fshirë, madje janë parë edhe skena dhune të qytetarëve që po rriheshin me kamxhik në rrugë.  Në aeroport mijëra afganë të tjerë, ndodhen përreth për të siguruar një vend fluturimi. 12 persona kanë humbur jetën në këtë përpjekje.

Nga e diela, vetëm 8000 persona janë evakuuar dhe ora pas ore situate është kaotike.  

Presidenti amerikan Joe Biden tha se ata do të bëjnë gjithçka për të evakuuar amerikanët dhe aleatët amerikanë nga Afganistani para afatit të 31 gushtit ndërkohë që theksoi se është në duar të talebanëve për të treguar nëse kanë ndryshuar realisht dhe nëse duan të kenë njohje ndërkombëtare.

Vendet perëndimore kanë bërë thirrje të mos e njohin qeverinë e talebanëve, që do të sillte jo pak pasoja ekonomike për ta, në një vend si Afganistani i listuar si ndër më të varfërit në botë. Gerry Rice, zëdhënësi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), zbuloi të mërkurën në mbrëmje se Afganistani kishte humbur aksesin në të Drejtat e Tërheqjes Speciale ose burime të tjera të FMN –së.

Ora 15:31
Greqia në gjendje gatishmërie për të parandaluar një krizë të re emigrantësh

Forcat kufitare në Greqi janë në gjendje gatishmërie me qëllim që të parandalohet një krizë emigrantësh, siç ndodhi më 2015, tha Qeveria greke të enjten.

Këto deklarata të zëdhënësit të Qeverisë së Greqisë vijnë teksa pushtetin në Afganistan e kanë marrë talebanët.  

Ndryshe nga shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, Greqia është e shqetësuar se zhvillimet e fundit në Afganistan mund të nxisin një krizë të re të emigrantëve, në përmasa të njëjta sikurse në vitin 2015, dhe po kërkon që BE-ja të dalë me një qëndrim të përbashkët për këtë çështje.

“Të gjitha forcat në kufij janë në gjendje gatishmërie. Ne nuk do të lejojmë që të përsëriten skenat e vitit 2015”, tha zëdhënësi i Qeverisë greke, Yannis Economou gjatë një konference për media.

Ministria e Jashtme greke po koordinon veprimet për të sjellë në Greqi tetë shtetas afganë, që kanë bashkëpunuar me forcat greke, shtoi ai.

“Ne nuk do të ndalemi derisa t’i sjellim ata në Greqi”, tha Economuo.

Greqia ishte në vijën e parë të krizës me emigrantë në Evropë më 2015, kur pothuajse një milion persona, që ikën nga konfliktet në Siri, Irak dhe Afganistan, arritën në ishujt grekë.

Ora 14:51
'Kanë krijuar harta të posaçme para se të merrnin pushtetin', dokumenti konfidencial i OKB: Talebanët po intensifikojnë 'gjuetinë' për të kapur bashkëpunëtorët e SHBA-NATO

Largimi i afganëve, bashkëpunëtorë të SHBA-NATO, sa vjen dhe po bëhet edhe më emergjent. Përtej retorikës së tyre të butë se "kanë ardhur në paqe", një dokument i OKB-së thotë se talebanët kanë intesifikuar "gjuetinë" e tyre për të kapur të gjithë njerëzit që kanë punuar për perëndimin. Dokumenti konfidencial, u prodhua nga Qendra Norvegjeze për Analizat Globale, e cila i siguron OKB -së informacione të inteligjencës, shkruan BBC-ja.

"Talebanët po arrestojnë ose kërcënojnë se do i vrasin ata dhe familjarët e tyre nëse nuk dorëzohen", shkruhet në dokumentin e parë nga BBC-ja.

Dokumenti vijon duke thënë se më të rrezikuarit janë ato që kanë punuar në ushtri, polici dhe njësi hetimore.

"Talibanët kanë kryer harta paraprake të individëve para se të merrnin nën kontroll të gjitha qytetet e mëdha," njofton BBC.

Sipas raportit, talebanët po rekrutojnë rrjete të reja informimi për të bashkëpunuar me regjimin e ri.

Ora 14:35
Erdogan: Turqia e gatshme që të kontribuojë për sigurinë e aeroportit në Kabul! Po pres një kërkesë për bisedime me talebanët

Presidenti turk Recep Erdogan ka deklaruar se Turqia është e gatshme që të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë së aeroportit të Kabulit në Afganistan.

Erdogan tha se Turqia, anëtare e NATO -s, e cila ka qindra trupa në Afganistan dhe ka diskutuar me Shtetet e Bashkuara këtë ofertë, teksa deklaroi gjithashtu është duke pritur një takim me udhëheqësit talebanë

"Për qetësinë e popullit të Afganistanit, mirëqenien e të afërmve tanë turq që jetojnë në vend dhe mbrojtjen e interesave të vendit tonë, ne jemi të hapur për çdo bashkëpunim," tha ai.

Ora 12:24
Jeta e grave pas talebanëve, muret e salloneve të bukurisë ngjyrosen me spraj të zi

 

Askush nuk e di saktësisht se si do të duket jeta nën sundimin e talebanëve sapo të qetësohen gjërat dhe trupat e fundit amerikane të largohen nga Afganistani dhe vendasit në një farë mënyre po përpiqen të kthejnë jetën e tyre në normalitet, edhe pse për gratë kjo duket shumë herë më e vështirë tani.

Gazetarja e CNN Clarissa Ward, duke raportuar për gjendjen nga rajoni deklaroi se shumica e burrave janë jashtë në rrugët e Kabulit dhe se nevojat themelore si furra dhe ushqimet mund të blihen nga qytetarët.

Liderët talebanë thonë se afganët e zakonshëm nuk janë në rrezik pasi kanë pushtuar vendin prej ditësh dhe po u bëjnë thirrje punonjësve të qeverisë të kthehen në punë. Megjithatë, populli afgan bazuar në eksperiencat e të kaluarës thonë se kjo është "vetëm një lojë ".

Ritmi i përparimit të militantëve i kapi banorët vendas në befasi dhe disa gra thonë se as nuk kanë kohë të blejnë burka për të qenë në përputhje me rregullat e talebanëve dhe ato duhet të jenë të shoqëruara nga një i afërm mashkull dhe të mbulohen kur dalin nga shtëpia.

Fasada e një salloni bukurie me fotografi të grave në Kabul u shkatërrua plotësisht dhe imazhet e grave u mbuluan me spraj dhe për afganët kjo është vetëm fillimi i asaj që i pret në të ardhmen.

Ora 11:49
Afganistani 'feston' ditën e pavarësisë, vriten disa protestues që gëzuan me flamurin kombëtar! Talebanët: Mundëm arroganten e botës, SHBA-në

 

Talebanët sot festojnë 122 vjetorin e pavarësisë së Afganistanit nga Mbretëria e Bashkuar, ditë e cila është karakterizuar nga protesta në disa rajone të vendit të cilat I kanë marrë jetën disa personave.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se kanë vdekur disa persona në qytetin afgan të Asadabadit kur luftëtarët talebanë qëlluan mbi njerëzit që valëvitnin flamurin kombëtar, një ditë pasi tre persona u vranë në një protestë në Jalalabad.

Protestat e njerëzve që valëvitin flamurin afgan, pasi kishin rrëzuar flamujt e bardhë të talebanëve, janë shenjat e para të kundërshtimit popullor ndaj regjimit të ri.

"Qindra njerëz dolën në rrugë. Në fillim u frikësova dhe nuk doja të shkoja, por kur pashë që edhe një nga fqinjët e mi u bashkua, nxora flamurin që kam në shtëpi. Disa njerëz u vranë dhe u plagosën në rrëmujën dhe të shtënat nga talebanët” rrëfu njëri nga dëshmitarët.

Edhe në qytete të tjera kishte protesta, por asnjë raport për dhunë në qytetin lindor të Jalalabad dhe një rreth të provincës Paktia.

Ndërkohë që talebanët të pashqetësuar nga situata festojnë Ditën e Pavarësisë së Afganistanit, pasi morën pushtetin të dielën. Militantët kanë deklaruar se kishin mundur “arrogantët e fuqisë së botës” Shtetet e Bashkuara.

“Për fat të mirë, sot ne festojmë përvjetorin e pavarësisë nga Britania. Ne në të njëjtën kohë, si rezultat i rezistencës sonë xhihadiste, detyruam një arrogant tjetër të fuqisë së botës, Shtetet e Bashkuara, të dështojnë dhe të tërhiqen nga territori ynë i shenjtë i Afganistanit ” thanë talebanët.

Ndërkohë që zëvendës presidenti, Amrullah Saleh, i cili po përpiqet të mbledhë rezistencën ndaj talebanëve, shprehu mbështetje për protestat.

"Përshëndetni ata që mbajnë flamurin kombëtar dhe mbrojnë dinjitetin e kombit," tha ai.

Saleh tha të martën se ishte në Afganistan dhe se ai ishte "presidenti legjitim kujdestar" pasi Presidenti Ashraf Ghani iku .

E enjtja shënoi Ditën e Pavarësisë së Afganistanit, e cila përkujton traktatin e vitit 1919 që i dha fund sundimit britanik në kombin e Azisë Qendrore.

Ora 10:19
VIDEOLAJM/ Pamje drithëruese, nënat e dëshpëruara hedhin fëmijët përtej murit me tela me gjemba të aeroportit të Kabulit për t’i nxjerrë jashtë vendit

Dëshpërimi për t'u siguruar një jetë më të mirë fëmijëve, ka bërë që disa nëna afgane të hedhin të vegjlit e tyre përtej murit rrethues të Aeroportit të Kabulit.

Një përpjekje e dëshpëruar për tu krijuar atyre një mundësi të re jete, një mundësi për të ëndërruar.

Një oficer i lartë tha se ata nuk kishin zgjidhje tjetër. Situata është jashtë kontrollit.

 ‘Nënat ishin të dëshpëruara, ata po rriheshin nga talebanët. Ato bërtisnin, “shpëto fëmijën tim” dhe i hodhën foshnjat drejt nesh. ‘Disa nga foshnjat ranë në gardhin me gjemba. Ishte e tmerrshme ajo që ndodhi. Një grua, duke përqafuar djalin e saj, i tha reporterit të transmetuesit britanik se burri i saj u bashkua me talebanët dhe filloi ta rrihte përsëri. 

Por edhe pse fëmijët po e kalojnë atë, nuk ka asnjë garanci se fëmijët do të arrijnë në perëndim, pasi ka shumë deklarata se fëmijët e pashoqëruar nuk do të mund të dërgohen jashtë.

 

Ora 09:58
Të ngjeshur në radhë, ushtarët amerikanë ndihmojnë gratë që të futen në aeroportin e Kabulit

Refugjatët afganë po hasin vështirësi në largimin e tyre nga vendi. Në një video të publikuar nga mediat e huaja shihen ushtarët amerikanë të cilët ndihmojnë një grua teksa ngjitet në murin rrethues në aeroportin e Kabulit. Burra dhe gra u tregojnë letra ushtarëve, ndërkohë që personat e shumtë janë ngjeshur për të ndihmuar njëri tjetrin që të kalojnë në anën tjetër të murit.

Ora 09:31
Të shtëna gjatë raportimit live të gazetares, talebanët pengojnë amerikanët dhe afganët të shkojnë në aeroportin e Kabulit

Situata në Afganistan pas marrjes së pushtetit nga talebanët vijon që të jetë e rrezikshme. Talibanët tashmë po mundohen që të pengojnë afganët që të largohen nga vendi.

Në një video të publikuar nga CNN gazetarja Clarissa Ward raporton mbi pengesat me të cilat po përballen amerikanët dhe afganët duke u përpjekur të shkojnë në aeroportin e Kabulit, ndërsa luftëtarët talebanë përpiqen të bllokojnë hyrjen me armë zjarri dhe dhunë.

 

Ora 08:19
LISTA e plotë shteteve që kanë evakuuar më shumë qytetarë nga 'duart e talebanëve'

1629351523_8c59eb9eccca400cb33a6060c9c94419.jpg

Operacionet për rikthimin në atdhe të shtetasve të tyre dhe të afganëve që u cenohet jeta kanë vijuar në vende të ndryshme të botës, ku deri më tani është SHBA-ja që ka arritur të "shpëtojë" më shumë qytetarë, për t'u ndjekur nga Britania e madhe, Gjermania, Franca e Spanja. Agjensia e lajmeve, Reuters ka bërë një listë ku jep një numër të detajuar të shtetasve të evakuuar deri më tani.

Numrat e evakuimit sipas vendeve deri më tani
SHBA: Ka evakuuar më shumë se 5,200 njerëz deri më tani, përfshirë 2,000 në 24 orët e fundit. Uashingtoni është zotuar se do të nxjerrë 22,000 afganë që u cënohet jeta dhe 15,000 amerikanë që ndodhen ende në vend. 
Mbretëria e Bashkuar: Rreth 1,200 njerëz që nga e diela përfshirë afganë. Ajo synon të marrë rreth 1.000 njerëz në ditë
Gjermani: 500 persona që nga e diela, përfshirë 100 afganë
Francë: 209 persona, përfshirë 184 afganë
Spanjë: 500 persona
Holandë: 35 shtetas - o synojnë të marrin 1,000 punëtorë afganë dhe familjet e tyre
Danimarka: 84 persona
Hungari: 26 persona
Polonia : 50 persona
Republika Çeke: 46 persona përfshirë punëtorë afganë
Japoni: 12 punonjës të ambasadës
Australi: 26 persona përfshirë afganë
India: 170 persona
Turqi: 552 persona
Zvicra: Qëllimi për të evakuuar 230 punëtorë afganë

Mes vendeve që u ka thënë "PO" pritjes së afganëve që u rrezikohet jeta nga talebanët është edhe Shqipëria. Nga sa ka deklaruar kryeministri Edi Rama brenda javës do të vijnë 1000 afganë për t'u strehuar në konviktet në Qytet Studenti dhe në hotelet në Durrës. Ai e ka përjashtuar si mundësi që të strehohen në kampe të ndërtuara posaçërisht për ta, pasi do të ishte çnjerëzore. 

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ça i thon ksaj: 19/08/2021 17:22

    Te gjitha venet e mira max deri ne 500 ne qe na ikin njerezit per nje jet mët mir ne 3000 afgan

    Përgjigju
  • Idjot: 19/08/2021 06:19

    I shite te gjithe b/punetoret dhe inle ne dore te talebaneve. Isa do e kerkoje shume shpejt perseri Trampin. Ishte njeri i madh dhe 1.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!