Lista/ Ja njerëzit që lobojnë pranë Kuvendit për miratimin e ligjeve

Lista/ Ja njerëzit që lobojnë pranë Kuvendit për miratimin e ligjeve

Kodi i Sjelljes së Deputetit, miratuar në 4 prill 2018 pas presionit disavjeçar të Grupit të Shteteve të Këshillit të Evropës Kundër Korrupsionit, pasuar me miratimin e udhëzimit të posaçëm për zbatimin e këtij Kodi, ka detyruar Kuvendin e Shqipërisë të rrisë më tej transparencën për veprimtarinë e tij. Përpos të tjerave, Kodi i Sjelljes parashikon rregullimin dhe transparencën e raporteve të deputeteve më lobistët për hartimin, ndryshimin dhe miratimin e ligjeve. Një vit nga hyrja në fuqi e Kodit të Sjelljes, Shqiptarja.com publikon listën e parë të lobistëve, në rastin konkret të shoqatave dhe grupeve të interesit, të ndarë sipas fushave të përgjegjësisë të komisioneve të përhershme parlamentare. Pjesë e listës janë Unioni i Shoqërive Hidrokarbure Shqiptare, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Fondacioni ''Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim'', Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS, Instituti i Migracionit etj.

Grupet dhe shoqatat kanë lobuar paranë komisioneve parlamentare të përkatëse për të reflektuar dhe mbrojtur interesat e grupeve që përfaqësojnë në projektligjet e shqyrtuara dhe të miratuara. Ndërkaq, nuk ka të dhëna mbi takimet e komisioneve parlamentare përkatëse me lobistët, organizatat e shoqërisë civile ose grupet e interesit dhe as rreth takimeve të deputetëve me lobistët, objektin e takimeve dhe shkallën e mbështetjes së kërkesave paraqitura. Sipas Kodit, deputeti duhet të deklarojnë të gjitha kontaktet me lobistët, përfshirë edhe kontaktet jashtë mbledhjeve të Kuvendit dhe komisioneve të tij. Gjithashtu, kur deputeti ose komisionet parlamentare bashkëpunojnë me grupet e interesit në procesin legjislativ, ata duhet të bëjë publike takimet, objektin e diskutimeve dhe shkallën e mbështetjes për kërkesat e lobistëve. Në çdo rast, deputetit i ndalohet të lobojë në këmbim të pagesave apo stimujve të ndryshëm.

Konflikti i interesit
Kodi i Sjelljes detyron ligjvënësit që të deklarojnë gjendjen e konfliktit të interesit rast pas rasti për çështje të caktuara. Deri më sot, janë dy deputetë, të cilët kanë deklaruar konfliktin e interesit për nisma të caktuara. Ata janë Vasilika Hysi dhe Fatmir Xhafaj. Deputetja Hysi ka deklaruar se ka konflikt interesi sa i takon procedurës së intervistës për përzgjedhjen e kandidatëve për t’u bërë pjesë e Komitetit për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit. Hysi ka deklaruar se ka njohje me një nga kandidatet për shkak të angazhimeve të më papashme. Ndërkaq, deputeti Fatmir Xhafaj ka deklaruar se ka konflikt interesi sa i takon projektligjit për shërbimin e përmbarimit privat, për shkak se një i afërt i familjes së tij është pjesë e përmbarimit.   

Dhuratat
Kodi i Sjelljes parashikon që deputeti nuk mund të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata me vlerë mbi 10 mijë lekë, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij. Deputeti, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, duhet t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’i dorëzojë zyrtarisht pranë shërbimit përgjegjës në Kuvend. Ndërsa udhëzuesi i detajuar për zbatimin e Kodit parashikon që deputeti, brenda 5 ditëve nga marrja e dhuratës, njofton Byronë e Kuvendit për pranimin e dhuratës, duke specifikuar në  veçanti emrin e dhuruesit, datën dhe rrethanat e marrjes së dhuratës, vlerën e përafërt, si dhe një përshkrim të shkurtër të saj. Deklarimi i dhuratës bëhet sipas një formulari të posaçëm. Që nga hyrja në fuqi e Kodit të Sjelljes dhe udhëzimit të detajuar, asnjë nga deputetët nuk ka deklaruar dhurata.

Lista e lobistëve dhe grupeve të interesit pranë Kuvendit

  1. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, me administrator Arben Shkodra
     
  2. Unioni i Shoqërive Hidrokarbure Shqiptare, me administrator Arbër Osmani
     
  3. Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë se Shqipërisë, me administrator Ines Mucostepa
     
  4. Fondacioni ''Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim'', administrator Krisela Hackaj
     
  5. Qendra ''Observatari për të Drejtat e Fëmijës'', administrator Elma Tershana
     
  6. Qendra ALTRI, me administrator Eda Nocka
     
  7. Qendra ''Aleanca Gjinore për Zhvillim'', me administrator Mirela Arqimandriti
     
  8. Instituti i Migracionit, me administrator Enkelejd Avdyli
     
  9. Federata e Grave, me administrator Dorina Prethi
     
  10. CRCA Albania, me administrator Linda Pino
     
  11. Damiani & Partners, me administrator Refat Shkodra
     
  12. Qendra Future, me administrator Edit Llazani
     
  13. Qendra të Drejtat e Njeriut në Demokraci, me administrator Afërdita Prroni
     
  14. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, me administrator Aurela Bozo
     
  15. Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS, me administrator Ana Majko
     
  16. Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHPZH), me administrator Brunilda Hylviu
     
  17. Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje, me administrator Edlira Çepani
     
  18. YESILAY ALBANIA, me administrator Endrit Reka
     
  19. KRIIK ALBANIA, me administrator Premto Gogo
     
  20. Rrjeti për Demokraci Gruas Shqipëri, me administrator Blerina Balilaj Brovina
     
  21. Shoqata Kombëtare e Jetimeve të Shqipërisë, administrator Lulzim Resuli
     
  22. Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, administrator Armela Xhaho
     
  23. Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural, administrator Evelina Azizaj
     
  24. Together for Life, administrator Andi Muratej
     
  25. Qendra Vullnetare të Emergjencave Civile (QVEC),     administrator Zilie Feci
     
  26. Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që nuk Dëgjojnë në Shqipëri, administrator Florjan Rojba
     
  27. OMP Liqeni i Shkodrës, me administrator Arian Cinari

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë