Listat e Socialistëve, Korçë ikën
Veliaj vjen Fino, Gjermeni në Fie

Listat e Socialistëve, Korçë ikën<br />Veliaj vjen Fino, Gjermeni në Fie
TIRANE - Lëvizje të reja në konfigurimin e kandidatëve për deputetë në qarqe të ndryshme të vendit të përfaqësuesve të lartë socialistë. Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga përfundimi i afatit kohor të shpalljes së listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, Partia Socialiste ka bërë disa lëvizje të befasishme të disa prej anëtarëve të kryesisë, duke u ndryshuar destinacionin fillestar të kandidimit dhe ku kishin filluar punën për përgatitjen e fushatës elektorale për PS dhe opozitën.

Kështu, burime brenda Partisë Socialiste bëjnë me dije se është e sigurtë lëvizja e deputetes aktuale dhe anëtare e kryesisë Eglantina Gjermeni nga qarku i Durrësit ku mbulonte zonën e Krujës dhe Fushëkrujës për të shkuar në qarkun e Fierit dhe më konkretisht për të mbuluar Lushnjën. Një lëvizje kjo në funksion të faktit se në këtë qark mund të mbledhë më shumë vota, pasi është dhe me origjinë prej andej.

Deri në këtë moment në qarkun e Fierit dhe më konkretisht për rrethin e Lushnjës ka qënë sekretari për pushtetin vendor në Partinë Socialiste Bashkim Fino. I cili pas fiksimit të Gjermenit në qarkun e Fierit lëviz drejt qarkut të Korçës, ku kryeson listën e kandidatëve për deputetë ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti aktual në këtë qark Pandeli Majko.

Për nga vetë rëndësia pasi qarku u Korçës ka 12 deputetë dhe Partia Socialiste pretendon të marrë 7 deputetë për të lënë PD me pesë deputetë, duket se Rama dërgon Finon në Korçë për të formuar një dyshe të fortë me Majkon si dy ish-kryeministra socialistë të suksesshëm në momentet kyçe të vendit, në vitin 1997 Fino si kryeministër i Pajtimit Kombëtar dhe më 1998-1999 Majko si kryeministër që nxori vendin nga kriza dhe përballoi krizën e luftës së Kosovës.

Ndërkohë që nuk kanë munguar as lëvizjet nga qarku i Korçës të figurave të tjera politike. Kështu sekretari për rininë dhe emigracionin Erjon Veliaj ka lëvizur nga qarku i Korçës dhe është në pritje në fiksimit në një qark tjetër të rëndësishëm, në funksion të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe maksimalizimit të votës për PS dhe opozitën.

Ndërkohë që në qarkun e Fierit vijon të jetë kryesues i listës kreu i Asamblesë Kombëtare të PS, njëherësh dhe kryetar i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, në qarkun e Elbasanit është fiksuar në krye të listës së kandidatëve dhe është prezantuar deputeti aktual dhe anëtar i kryesisë së PS Ben Blushi, në qarkun e Vlorës është bërë publik dhe prezantuar kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë, anëtarja e kryesisë dhe deputetja aktuale Valentina Leskaj.

Ndërkohë që në qarkun e Gjirokastës pritet që të jetë në krye të listës së kandidatëve për deputetë anëtarja e kryesisë dhe deputetja aktuale Arta Dade, në qarkun e Kukësit është fiksuar në krye të listës së kandidatëve ish-prokurori Vexhi Muçmataj, në qarkun e Dibrës po ashtu është fiksuar ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani por dhe në qarkun e Durrësit pritet sekretari i Organizimit Blendi Klosi.

Ndërsa pritet zgjidhja e këtij problemi në qarkun e Shkodrës, ku ende mbetet enigmë nëse do të jetë deputeti Tomë Doshi apo anëtari i kryesisë dhe sekretari për programin Ilir Beqja. I vetmi qark që jo vetëm ka zgjidhur kryesimin e listës së kandidatëve për deputetë, por dhe janë përzgjedhur të katër kandidatët e parë për të garuar në zgjedhjet e 23 qershorit, është qarku i Lezhës.

Një ndër qarqet më të trazuara përsa i përket marrëdhënieve brenda PS, në të cilin është larguar një deputet, Gjovalin Kadeli që mund të kandidojë për kundërshtarin politik PD, ka në krye të listës së kandidatëve për deputetë anëtaren e kryesisë Mimi Kodheli, të pasuar nga deputeti aktual Armando Prenga, prurja e re Arben Ndoka dhe deputeti aktual Ndrecë Deda. Të cilët tashmë kanë filluar punën, ndërkohë pritet përfundimi dhe në qarqe të tjera.

LËVIZJET

“Bashkim Fino, pas fiksimit të Gjermenit në qarkun e Fierit lëviz drejt qarkut të Korçës, ku kryeson listën e kandidatëve për deputetë ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti aktual në këtë qark Pandeli Majko”.


LËVIZJET E PS


Qarku Korçë
Bashkim Fino
Erjon Veliaj ikën

Qarku Fier
Eglantina Gjermeni

Qarku Lezhë
Mimi Kodheli
Admando Prenga
Arben Ndoka
Ndrecë Deda

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim