TIRANË - Armand Duka është rikonfirmuar për mandatin e shtatë radhazi si presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, me një mandat të ri katër vjeçar. Duka e mban këtë post që prej vitit 2002 dhe në zgjedhjet e këtij viti 'garoi' i vetëm duke mos pasur asnjë rival.

Këtë të hënë në 'Shtëpinë e Futbollit' në kryeqytet u mbajtën punimet e Asamblesë të Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së, ku 48 delegatë votuan me unanimitet të plotë që Duka të vijojë punën edhe për katër vitet e ardhshme.

Paçka se klubet elitare dhe ato të Kategorisë së Parë me të drejtë vote ankohen çdo javë për gjykimin apo infrastrukturën sportive, të 48-të delegatët me të drejtë vote (klube dhe Shoqata Rajonale futbolli) kanë votuar pro që Duka të mbetet në krye të këtij institucioni. Duka njëherazi mban edhe postin e zëvendëspresidentit të UEFA-s. 

Pas rikonfirmimit në krye të FSHF-së, duke tha se ky votim është një përgjegjësi e madhe dhe uroi një kualifikim të Kombëtares së futbollit për në finalet e Botërorit 2026.

"Dua t'ju falenderoj nga zemra për mbështetjen e sotme, të vazhdueshme, që më keni dhënë mua dhe FSHF-së. Për mua ky nuk është një votim, por përgjegjësi dhe vlerësim i madh që më detyron të jem akoma më i përkushtuar në shërbimin tuaj dhe të futbollit. Ju premtoj që futbolli ynë, infrastruktura dhe stabiliteti financiar të jenë në nivelet maksimale në vitet e ardhshme. Uroj që të jemi pjesë e Kupës së Botës 2026. Suksese Sylvinhos dhe Kombëtares", tha Duka pasi u zgjodh në krye të FSHF-së për mandatin e shtatë radhazi.

Veç zgjedhjes së Armando Dukës për një mandat të shtatë në krye të FSHF-së, Asambleja Zgjedhore votoi dhe zgjodhi dhjetë përfaqësuesit e rinj të Komitetit Ekzekutiv të kësaj federate.

Fituesit dhe votat:

Anila Basha me 47 vota pro, Edmond Hasanbelli me 44 vota, Lufti Nuri me 43 vota, Armando Cungu me 43 vota, Erind Resuli me 42 vota, Geri Çipi me 41 vota, Blendi Fevziu me 40 vota, Envi Hicka me 38 vota, Pano Xhixho me 33 vota dhe Gjergji Petro me 27 vota.

Në fillim të Asamblesë, të pranishmit i përshëndeti përfaqësuesi i UEFA-s dhe kreu i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, si dhe i dërguari i FIFA-s, Elkhan Mammadov. Më pas fjalën e mori edhe Blendi Gonxhja, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Gonxhja tha se 'Ligji i Sponsorizimeve' i shumëkërkuar nga bota e sportit në Shqipëri, do jetë gati në vitin 2027.

"Ligji i Sponsorizimit do sjellë më shumë shikueshmëri dhe do japë për ata që do investojnë në këtë sport një promovim dhe shikim që përmes futbollit është shumë herë më i madh. Kjo do krijojë një valë të re besimi, inkurajimi dhe dëshire, pse jo filantropinë si kulturë në vendin tonë për të dhënë për sportin dhe për të marrë pas nga sporti një promovim dhe shikueshmëri për 'brand-et' edhe kompanitë, që sportin nuk e kanë vetëm për pasion.

Nga fundi i këtij viti mbyllim aktet nënligjore dhe proceduriale, duke 'qepur' gjithë sistemin e aplikimit dhe vetëdeklarimit të mënyrës sesi do funksionojë Ligji i Sponsorizimit. Viti 2027 do jetë një kthesë e re, një epokë e re për injektimin e sa më shumë financave në sport, ku futbolli zë vendin kryesor", tha mes të tjerash Gonxhja.

Në Asamblenë e sotme u shqyrtua raporti i veprimtarisë së FSHF-së mes dy asambleve dhe u prezantua bilanci financiar dhe pasqyrat financiare, raporti i auditorëve të pavarur dhe të jashtëm, miratimi i pasqyrave financiare të audituara për vitin 2025.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:10
Zgjidhen dhjetë anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, u tërhoqën nga gara 'besnikët' e Dukës

Anëtarët e zgjedhur të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së

Veç zgjedhjes së Armand Dukës për një mandat të shtatë në krye të FSHF-së, Asambleja Zgjedhore votoi dhe zgjodhi dhjetë përfaqësuesit e rinj të Komitetit Ekzekutiv të kësaj federate me një mandat katër vjeçar. Nga gara u tërhoqën Abdyl Kuriu dhe Arben Dervishaj të cilët prej vitesh kanë qenë në Komitetin Ekzekutiv. Dervishaj në mandatin e fundit ka qenë edhe zëvendespresident i FSHF-së.

Fituesit dhe votat:

Anila Basha me 47 vota pro, Edmond Hasanbelli me 44 vota, Lufti Nuri me 43 vota, Armando Cungu me 43 vota, Erind Resuli me 42 vota, Geri Çipi me 41 vota, Blendi Fevziu me 40 vota, Envi Hicka me 38 vota, Pano Xhixho me 33 vota dhe Gjergji Petro me 27 vota.

Ora 11:51
Pritet të votëbesohet për mandatin e shtatë në krye të FSHF-së, Duka: Jemi ndër të vetmet federata në Evropë që mbulojmë vetë shpenzimet

Armand Duka (i vetëm në garë) kërkon mandatin e shtatë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, teksa e drejton këtë institucion që prej vitit 2002. Sot FSHF po mban Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore dhe Duka tha fjalën e tij përpara 48 delegatëve me të drejtë vote.

Presidenti Duka theksoi rëndësinë e miratimit të Ligjit të Sponsorizimit, rritjen e pranisë së tifozëve në stadiume, si dhe nevojën për mbështetje më të madhe institucionale për infrastrukturën sportive, duke e konsideruar sportin prioritet publik.

Në të njëjtën kohë, presidenti evidentoi progresin e ekipeve kombëtare, zgjerimin e përfaqësimit ndërkombëtar të Shqipërisë në strukturat e UEFA dhe FIFA, si dhe organizimin me sukses të eventeve madhore europiane, që kanë rritur imazhin e vendit në arenën sportive.

Duka foli edhe për financat, duke shtuar se sipas tij FSHF-ja është ndër të vetmet federata në Evropë që mbulon me financat e saj gjithë aktivitetin.

"Kampionatet tona kanë ndryshuar ndjeshëm. Sot ato janë shumë më të shumtë në numër e të shtrira në të gjithë territorin e Shqipërisë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe rajonal.

Ne mund të jemi e vetmja federatë në Europë, që jo vetëm organizojmë të gjithë garat profesioniste e amatore, kombëtare e rajonale, por edhe mbulojmë të gjitha kostot për organizimin e tyre,  për arbitra, delegatë, vëzhgues, zyrtarë ndeshjesh,  tashmë edhe për teknologjinë VAR, që është një kosto shumë e shtuar për FSHF Por jo vetëm këto, ne mbështesin edhe me bazë materiale, duke financuar 100% të topave të futbollit në të gjitha nivelet e garave dhe 95 % të uniformave të lojës dhe stërvitore për të gjithë futbollistët e futbollistet që luajnë në vendin tonë.

Çdo javë, në Shqipëri zhvillohen qindra ndeshje kombëtare e rajonale për djem dhe vajza duke arritur edhe mbi 600 në periudha piku. Sot, në sistemin tonë janë të regjistruar 27.866 persona – lojtarë, trajnerë, arbitra dhe vëzhgues. Dhe kemi më shumë futbollistë se kurrë më parë, 24.183", tha Duka mes të tjerash.

Ora 11:26
Blendi Gonxhja nga Asambleja Zgjedhore e FSHF-së: Në 2027 do jetë gati Ligji për Sponsorizimin, mbyllim aktet nënligjore deri në fundin e këtij viti

Blendi Gonxhja, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit foli në Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së. Ministri i Sportit tregoi se deri në fundin e këtij viti do jenë gati aktet nënligjore për 'Ligjin e Sponsorizimeve' dhe nga viti 2027 ai do jetë në fuqi, duke i dhënë më shumë frymëmarrje biznesmenëve që investojnë në sport.

Ligji për sponsorizimet në sport në Shqipëri, i bazuar kryesisht te Ligji nr. 7892, datë 21.12.1994, i ndryshuar, synon nxitjen e financimit privat përmes lehtësive tatimore. Bizneset që sponsorizojnë sporte (veçanërisht futboll, basketboll, volejboll) përfitojnë zbritje nga tatim-fitimi, me raste që synojnë zbritje deri në 15-20% për sportet e përhapura.

"Doja të theksoja lajmet e mira dhe t'i rikonfirmoja, javën e shkuar mbyllëm konsultimin publik sa i përket një ligji shumë të rëndësishëm që do hapë një horizont shumë të madh e të gjerë, të shumëpritur, që është ai i Sponsorizimeve. Theksoj që vendin e parë e zë futbolli, për sa i përket forcës që ka për promovimin dhe forcën që ka për kthimin e investimit.  

Ligji i Sponsorizimit do sjellë më shumë shikueshmëri dhe do japë për ata që do investojnë në këtë sport një promovim dhe shikim që përmes futbollit është shumë herë më i madh. Kjo do krijojë një valë të re besimi, inkurajimi dhe dëshire, pse jo filantropinë si kulturë në vendin tonë për të dhënë për sportin dhe për të marrë pas nga sporti një promovim dhe shikueshmëri për 'brand-et' edhe kompanitë, që sportin nuk e kanë vetëm për pasion.

Nga fundi i këtij viti mbyllim aktet nënligjore dhe procedurale, duke 'qepur' gjithë sistemin e aplikimit dhe vetëdeklarimit të mënyrës sesi do funksionojë Ligji i Sponsorizimit. Viti 2027 do jetë një kthesë e re, një epokë e re për injektimin e sa më shumë financave në sport, ku futbolli zë vendin kryesor.

Ky është një lajm shumë i rëndësishëm dhe nevojë e shumëpritur për sportin. Është e pamundur të mendojmë se mund t'ia dalim vetëm me fonde buxhetore, kështu që po bëjmë të pamundurën për formulën që deri sot nuk kanë qenë, kjo në mbështetje të sportit. Kjo gjë do vijë si një paketë që do përfshijë edhe artin, kulturën, spektaklet, gjithë ngjarjet ndërkombëtare, sepse kjo është një levë ekonomike për vendin dhe pse jo edhe turizmin", tha Gonxhja mes të tjerash.