Premier League e futbollit në Angli vijon me javën e katërt në sezonin e ri. Në dy ndeshjet e pasdites së kësaj të diele, skuadrat vendase ia dolën të siguronin tri pikë. Liverpool mposhti 3-0 Aston Villën, ndërsa Crystal Palace fitoi 3-2 me Wolves.
Në “Anfield Road”, Liverpooli fitoi pastër 3-0 kundër Aston Villas. Djemtë e Klopp dominuan ndeshjen duke zhbllokuar me blerjen e verës, Szoboszlai pas vetëm tre minutave lojë. Asisti i Arnold u shfrytëzua mirë nga “mister 70 milionëshi” që gëzoi tifozët në shtëpinë e tij të re. Në të 22 minutë ishte Cash që do shënonte në portën e tij, për avantazhin e dyfishtë të vendasve. Në pjesën e dytë nuk mund të mungonte Salah, me egjiptianin që mbylli llogaritë e sfidës në minutën e 55 me golin e tretë. Pas katër ndeshjeve, të kuqtë me dhjetë pikë mbajnë vendin e katërt në renditje.
Në “Selhurt Park” në Londër, Crystal Palace fitoi 3-2 kundër wolves. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, me vendasit që shënuan në pjesën e dytë me Edouard në të 56 minutë. Më pas “Ujqit” barazuan me Chan pas dhjetë minutave, ndërsa Crystal u përgjigj me dy gola të tjerë. Eze në të 78 dhe sërish Edouard shënoi për 3-1. Në fund Cunha shënoi për 3-2, me ndeshjen që u mbyll me këtë rezultat. Palace me shtatë pikë ngjitet në vendin e shtatë.

Komente

