Nuk ka të ndalur sulmuesi egjiptian. Mohamed Salah ka shënuar golin e tij të 30-të në Premier League dhe të 40-n në total këtë sezon. Liverpool ka fituar 3-0 ndaj Bournemouth dhe “blindon” një vend për në Champions League, sezonin e ardhshëm. “Të kuqtë”, gjysmëfinalistë në këtë edicion të veprimtarisë prestigjioze janë në vendin e tretë me dhjetë pikë më shumë se Chelsea i vendit të pestë, që ka luajtur një ndeshje më pak.
Saido Mane realizoi golin e parë për ekipin e Jurgen Klopp, vetëm pas shtatë minutash lojë, ndërsa golin e sigurisë e shënoi “i zakonshmi” Mohamed Salah, 20 minuta para fundit. Sulmuesi nga Egjipti këtë herë shënoi me kokë duke u bërë futbollisti i parë afrikan që arrin kuotën e 30 golave në Premier League, ku është golashënuesi më i mirë.
Ky ishte goli i tij numër 40 në këtë sezon me Liverpool, vetëm Roger Hunt në vitin 1961 dhe Ian Rash në vitin 1987 e kanë bërë diçka të tillë. Gjithashtu, Salah është kandidati kryesor për të fituar çmimin futbollisti më i mirë i vitit në Premier League.
Në minutën e fundit të ndeshjes, sulmuesi tjetër i Liverpool, Roberto Firmino vulosi rezultatin përfundimtar 3-0. Nga ana tjetër, pavarësisht nga humbja Bournemouth mbetet i qetë, dhjetë pikë mbi zonën e rënies nga kategoria.