Liverpool i pa mposhtur, ka fituar me lehtësi 3-0 ndaj skuadrës Southampton në Anfield. Ashtu siç pritej, të Kuqtë gjatë ndeshjes nuk e kanë pasur të vështirë të merrnin fitoren e 6-të në po aq ndeshje të Premier League dhe tani kryesojnë të vetëm renditjen.
Gjatë pjesës së parë duheshin vetëm 10’ minuta që vendasit të zhbllokonin rezultatin pas autogolit të Hoedt. Ndërsa nga mesi i pjesës së parë ishte qendërmbrojtësi Matip ai që dyfishoi rezultatin e lojës dhe që nga ai moment u kuptua se do të ishte një ndeshje e rehatshme për lojtarët e Jurgen Klopp. Dhe në sekondat e fundit të pjesës së pari ishte Mohamed Salah ai që trefishoi rezultatin pas shtyllës së Shaqirit.
Për sa i përket pjesës së dytë ishte më tepër ruajtje energjish nga ana e vendasve që kanë një kalendar të vështirë në javët e ardhshme.
Skuadra e Manchester City ka reaguar pas disfatës në Champions League duke mposhtur 5-0 Cardiff. Të besuarit e Pep Guardiola-s nuk e nisën mirë lojën dhe kjo edhe për meritë të kundërshtarit që mbrohej mirë.
Gjithçka ka nisur me golin e Aguero-s në minutën e 32’, i cili ka zhbllokuar miqtë nga emocionet dhe ka demoralizuar vendasit. Dy gola të tjerë u shënuan nga Qytetarët përpara se të përfundonte pjesa e parë dhe shënues ishin Bernardo Silva me Gundogan. Ndërsa në pjesën e dytë ishte Mahrez ai që gjeti golin e tij të parë me ekipin e ri teksa kishte vetëm gjashtë minuta që ishte në fushë pas zëvendësimit me Aguero-n, dhe të dytë në minutat e fundit të takimit.
Ndërkohë skuadra e Manchester United nuk ka kaluar një të shtunë të mirë teksa ka barazuar me rezultatin 1-1 ndaj Wolverhampton. Mirëpo të besuarit e Mourinho-s kanë vuajtur ndaj skuadrës portugeze të Wolves dhe si përfundim duhet të kënaqen me një pikë në Old Trafford.
Gjatë ndeshjes u duk sikur gjithçka do të shkonte për bukuri për vendasit teksa Fred shënon golin e parë me fanellën e Djajve pas një pasimi të bukur të Pogba. Por gjithçka ndryshon kur Joao Moutinho ka ndëshkuar bashkëkombësin e tij Mourinho në minutën e 53’ me një gol fantastik në hyrje të zonës. Ndërsa në minutat e mbetura United u mundua me çdo mjet të gjente golin e fitores, por Wolves u mbrojt mirë.