ANGLI - Pas humbjes 1-4 nga PSV Eindhoven në Champions League, drejtuesit e Liverpoolit zhvilluan një takim urgjent për të diskutuar të ardhmen e trajnerit Arne Slot, sipas raporteve të 'The Telegraph'. Megjithëse holandezi ende gëzon besimin e bordit drejtues, atij i është vendosur një ultimatum; fitore në tre ndeshjet e ardhshme, që përkojnë me 9 pikë të plota.

Liverpooli do të rikthehet në fushë nesër kundër West Hamit, më pas pret Sunderlandin më 3 dhjetor në “Anfield” dhe më 6 dhjetor do të luajë me Leedsin në një sfidë vendimtare.

Sezoni i kaluar ishte premtues nën drejtimin e Slot (ekipi fitoi Premier League), ndërsa përforcimet gjatë verës ngritën pritshmëritë. Por rezultatet e dobëta dhe humbja e nëntë në 12 ndeshjet e fundit kanë ndezur alarmin dhe vënë në pikëpyetje autoritetin e trajnerit në dhomën e zhveshjes.

Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e Arne Slot te Liverpooli. Nëse skuadra nuk siguron maksimumin në këto tre ndeshje, ndryshime të mëdha pritet të ndodhin në 'Anfield', me ose pa trajnerin holandez. Jurgen Klopp ndjek në prapaskenë.