ITALI - Lajme të mira në kampin e Interit. Telenovela e Curtis Jones duket se ka arritur në episodin e fundit. Liverpooli ka pranuar propozimin e klubit zikaltër, i cili ka vendosur të shpenzojë 30 milionë euro për kartonin e lojtarit, plus 5 milionë euro bonuse.

Interi ka pasur tashmë kontakte me përfaqësuesit e mesfushorit, i cili e pëlqen destinacionin e ri dhe ka pranuar tashmë kushtet ekonomike të kontratës. Marrëveshja është shumë pranë përfundimit dhe zyrtarizimi mund të vijë që në orët e ardhshme.

Mesfushori ka hyrë në 12 muajt e fundit të kontratës me Liverpoolin dhe mund të largohej nga “Anfield” si lojtar i lirë verën e ardhshme, nëse nuk do të nënshkruante kontratë të re.

Raportimet e publikuara më herët të mërkurën sugjeronin se Interi ishte i gatshëm të ofronte 30 milionë euro, por duket se marrëveshja është arritur për një paketë totale prej 35 milionë eurosh, duke përfshirë të gjitha bonuset dhe shtesat.

Jones pritet t’i bashkohet një reparti të mesfushës së Interit që tashmë përfshin emra si Nicolo Barella, Hakan Calhanoglu, Petar Sucic, Piotr Zielinski, Aleksandar Stankovic, Henrikh Mkhitaryan dhe Andy Diouf.