/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla i ka garantuar autoriteteve Belge hetimin edhe në territorin Shqiptar të individëve që dyshohet apo kanë shkelur ligjin në Belgjikë.

Këtë, Kryeprorkurori Llalla e bëri të ditur gjatë një takimi të zhvilluar sot në Tiranë me Prokurorin Federal të Mbretërisë së Belgjikës, Frédéric Van Leeuw.
Gjatë takimit, palët ranë dakordë për të bashkëpunuar më ngushtë në hetimin e rasteve kriminale dhe në forcimin e luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar.
Llalla i shprehu homologut të tij nga Belgjika gatishmërinë e plotë të prokurorisë shqiptare për të zhvilluar hetime në territorin e Shqipërisë për çdo qytetar shqiptar që dyshohet ose është i akuzuar nga autoritetet belge për përfshirje në trafiqe të paligjshme dhe kriminalitet të organizuar.
Duke e pasur të qartë se numri i emigrantëve shqiptarë në Belgjikë është relativisht i madh, Llalla, theksoi se "ekzistojnë mundësitë reale që shtetas të ndryshëm shqiptarë të jenë të përfshirë në krimin e organizuar dhe që mbajnë lidhje me vendin e origjinës, sidomos në tentativat për të pastruar produktet e veprave penale, pra të ardhurat e krijuara nga veprimtaria e paligjshme".

Në këtë këndvështrim, të dy bashkëbiseduesit shprehën qëndrim të njëjtë se goditja kundër grupeve dhe organizatave të përfshira në krim të organizuar, ka sukses nëse goditen në aspektin financiar të tyre.

"Krimi i organizuar ka si karakteristikë të tij synimin e përhershëm të përfshihet në ekonominë legale. Për këtë arsye, është shumë i nevojshëm të rritet volumi i shkëmbimi të informacionit ndërmjet strukturave hetimore për të frenuar shtrirjen e aktivitetit kriminal në veprimtari të ligjshme financiare", u shpreh Llalla.
Prokurori federal i Belgjikës, Van Leeuw, vlerësoi nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit, duke theksuar shpejtësinë e reagimit të Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë për hetime në kuadër të komisioneve rogatore, të cilat janë ekipe të përbashkëta hetimore, të ngritura mes dy vendeve për çështje konkrete.
Në këtë kuadër, Van Leeuw, solli si shembull konkret një aksion të përbashkët të kohëve të fundit, në të cilin nëpërmjet bashkëpunimit me autoritetet hetimore shqiptare, u arrit të goditej në Belgjikë një grup i strukturuar kriminal që merrej me vjedhje, i përbërë nga shtetas shqiptarë, të cilët të ardhurat i dërgonin pranë të afërmëve të tyre në Shqipëri. Në përfundim të këtij hetimi të përbashkët, në Belgjikë u arrestuan 15 persona, 13 prej të cilëve shqiptarë, kryesisht nga zona e Shkodrës.
Në vijim të bisedës, drejtuesit e prokurorisë shqiptare dhe belge u shprehën se dy vendet tona, gjeografikisht janë të vogla. Për këtë arsye, është shumë e nevojshme që të forcojmë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin për të shënuar rekorde suksesi të vazhdueshëm.