"Kam depozituar një kërkesë për të mos qenë gjyqtar i Apelit", ka thënë Llalla për Report Tv. Tërheqja nga sistemi bën që procesi i Vetingut ndaj Llallës, i nisur kur mbante detyrën e kryeprokurorit, të ndërpritet, por për këtë çështje do ta vendosë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nëse Llalla do i shpëtojë apo jo verifikimit të pasurisë dhe integritetit profesional.
Llalla bën pjesë në listën prej 56 personave që po kalon në filtrin e Vetingut, por megjithatë ende nuk dihen rezultatet e këtij verifikimi. Rasti i Llallës është i dyti në sistemin e drejtësisë, pasi pak ditë më parë ishte anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj i cili dha dorëheqje nga funksioni.
Edhe për të, interpretimet nëse i shpëton apo jo Vetingut me këtë dorëheqje, janë të ndara dhe do të jetë KPK që do vendosë për këto dy raste unike deri tani. Adriatik Llalla është akuzuar publikisht pak kohë më parë nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, si prokurori që refuzoi të hetojë politikanët e korruptuar. Akuza në drejtim të Llallës ka pasur edhe nga maxhoranca për "kyçjen" e disa dosjeve të krimit dhe korrupsionit në vend. Mandati i tij si kryeprokuror përfundoi në datën 7 dhjetor 2017, ndërsa në 18 dhjetor Kuvendi zgjodhi si pasuese të Llallës, por me mandat të përkohshëm, ish-prokuroren e Shkodrës, Arta Marku.
Largimi i Adriatik Llallës u kundërshtua fort nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. PD pretendoi se mandati i Llallës mbaronte në vitin 2019. Më tej, PD dhe LSI tenton të bllokonin me forcë në sallën ë parlamentit, gjatë seancës së 18 dhjetorit 2017, emërimin e Arta Markut si kryeprokurore e përkohshme në vend të Adriatik Llallës. Por, kjo lëvizje u mbështet publikisht nga përfaqësitë diplomatike të SHBA dhe BE në Tiranë.
Dorëheqja
Kushtetuta e ndryshuar në korrik të 2016 dhe ligji për Vetingun e parashikojnë dorëheqjen e gjyqtarit apo prokurorit për t’i shpëtuar Vetingut, por për këtë kanë vendosur një afat. Kushtetuta, në pikën ‘G’, parashikon që subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet.
Subjekti i rivlerësimit që dorëhiqet sipas kësaj dispozite, nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
Ndërsa ligji i Vetingut, në nenin 56, parashikon që subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Dorëheqja i paraqitet me shkrim Presidentit të Republikës dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni. Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit.
Pas dhënies së dorëheqjes, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të përfitojë pagesë kalimtare, sipas nenit 7, pika 1, të ligjit “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”. Shoqata e gjyqtarëve e ankimoi këtë pikë në Gjykatën Kushtetuese.
Në përfundim, gjykata e rrëzoi padinë e gjyqtarëve, por gjatë interpretimit, Kushtetuesja thotë se gjyqtarët kanë të drejtë që të japin dorëheqjen në çdo fazë të procesit. Gjithsesi, kur një gjyqtar apo prokuror i thotë ‘lamtumirë’ drejtësisë, vendimi organeve të Vetingut nuk ka asnjë vlerë ligjore.
Në fund të fundit, qëllimi final i procesit të Vetingut është largimi nga sistemi i gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk justifikojnë pasurinë me dokumentacion ligjor, kanë kontakte të papërshtatshme me krimin apo rezultojnë se janë të paaftë profesionalisht.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO






