Llazar Taçi: Art nën trysninë
ideologjike!

Llazar Taçi: Art nën trysninë<br />ideologjike!
TIRANE- Llazar Taçi është piktor i plejadës që u edukua nga mjeshtrit e parë shqiptarë të pikturës së shekullit të 20-të, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Kujtim Buza, Janaq Paço, si dhe profesorët që erdhën nga shkolla e Bashkimit Sovjetik: Vilson Kilica, Sali Shijaku, Danish Juknkiu, etj. Piktori Llazar Taçi është njëri ndër organizatorët e ekspozitës Pranverë ART që do të qëndrojë e çelur deri më 18 prill në Muzeun Historik Kombëtar, por në intervistën për “Shqiptarja.com” ai është i ftuar si model i një brezi piktorësh që punuan më pasion e profesionalizëm. Ai është përfaqësues i atij brezi piktorësh e skulptorësh shqiptarë që i kanë shumëzuar stilet dhe individualitet krijuese duke sfiduar kornizat e realizmit socialist.

Piktori Taçi rrëfen sesi ia dolën artistët e brezit të tij të ruanin frymën e risive moderne në pikturë, si dhe mënyrën origjinale të shprehjes. Ai, edhe pse ka nisur të pikturojë që nga vitet ’50, meritat e punës së tij nuk i mban për vete, po ua dedikon profesorëve të tij të shquar...
 
Ju zoti Llazar jeni një brez që përfaqësoni një nga plejadat më të rëndësishme në pikturën shqiptare, që ka sjellë vepra me vlera të qëndrueshme pavarësisht metodës së realizmit. Si shpjegohet ky zhvillim i vrullshëm i arteve pamore në kohën e rinisë tuaj?
-Që të jemi të saktë, unë nuk i takoj brezit më të hershëm. Tek brezi më i hershëm i piktorëve tanë kanë qenë pedagogët tanë: Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Kujtim Buza, Janaq Paço, etj. Pastaj ishte një brez tjetër krijuesish, një brez që erdhën nga Bashkimi Sovjetik: Vilson Kilica, Sali Shijaku, Danish Juknkiu që ishte në Poloni. Unë personalisht kam qenë më i lidhur me Sali Shijakun si krijues që pruri diçka të re, që pruri dritën në pikturën tonë. Saliu ka pasur një diçka shumë pozitive në raport me studentët. Ne kemi qenë studentët e parë të tij, kur ai u kthye studimet, pas shkëputjes që bëri Shqipëria.

Madje Saliu diplomën e mbrojti këtu. Sali Shijaku nuk ndërhynte në individualitetin e studentit. Ai përpiqej që secili prej nesh të ruante individualitetin e tij në krijimtari. Kujtoj këtu që në kursin tim kam pasur edhe Edison Gjergon një nga figurat më të mira të artit që vuajti aq shumë, por megjithatë edhe ai ruajti individualitetin e vet në krijimtari. Sigurisht ne krijuam në kohën kur nuk mund të dilej jashtë rrymës, megjithatë formimi artistik yni u bë i tillë që gjithsecili në atë çka trajtonte të kishte mundësi të trajtonte konceptet e veta.
 
Le të qëndrojmë pak tek evidentimi i vlerave të pikturave të kësaj metode. Prej dy dekadash është mbajtur një qëndrim nihilist ndaj vlerave të artit që u krijua nën presionin  e metodës. Tani po i vjen koha rivlerësimit. Si mbijetoi elementi artistik në këtë trysni?
-Në çdo periudhë sado kufizime të ketë, artisti ka mundësi të demonstrojë vlerat e veta. Kufizimet ishin në mënyrën e shprehjes, nuk lejoheshin ekzagjerime. Unë për shembull në vitet e institutit, ndoshta edhe më përpara kam qenë shumë i ndjeshëm ndaj dhimbjes njerëzore. Pata bërë diçka nga Kampi i Prishtinës, duke u frymëzuar nga libri “Në gojë të ujkut” të Kim Dushit. E kisha për zemër të përzgjidhja këtë temë, dhe në pikëpamje teknike më shkonte shumë dhe doli një punë interesante për atë kohë. Dhe kur shtrëngoheshin rripat, sigurisht niste lufta e klasave. Ndaj drejtori Vilson Kilica pavarësisht se ma pëlqeu punën, më tërhoqi mënjanë dhe më tha: “Do të krijosh keqkuptime. Më mirë krijo një temë aktuale”, -më tha. Pavarësisht se kishte të bënte me terrorin nazist, tema mund të keqkuptohej se bëja ndonjë aludim për sistemin.
 
Siç duket te brezi juaj i piktorëve ka pasur edhe një klimë mirëkuptimi mes pedagogëve dhe studentëve?
-Po, po. Ka pasur një klimë mirëkuptimi. Më kujtohet se në vitin e 3-të unë kisha një temë me një moment pushkatimi. Kisha disa skica ide, ku theksohej ai reagimi ekspresiv në çastin e humbjes së jetës, por kërkohej në fakt të binte në sy qëndrimi heroik i komunistëve, që edhe kur u binte plumbi, nuk lëviznin nga vendi.

Në atë kohë Sali Shijaku i shtron përtokë vizatimet dhe më thotë: “Kjo është ajo që duhet këtu. Kjo tjetra është më e mirë. Ti bëj si të duash”. Pra kishte një frymë mirëkuptimi. Kështu unë ruajta aspektin tim të ndjeshmërisë. Ja në kuadrin e sotshëm të krijimtarisë time kam si pikësynim një cikël për viktimat e represionit komunist. Duhet për të mos harruar, se njerëzit harrojnë shpejt. Kam trajtuar momente nga burgu, momente pushkatimi, pritjeje në qeli për ushqimin. Është një cikël me 7-8 tablo. Dhe pastaj kam një tablo nga revolta e famshme e Spaçit që është trajtuar me një gamë koloristike të zjarrtë.
 
Sa vite keni që pikturoni?
-Kam nisur të pikturoj që në vitet ‘50 kur kam qenë në Liceun Artistik me piktorët e famshëm, me Kel Kodhelin, Sadik Kacelin. Abdulla Cangonjën,etj. Ata na kanë mësuar sesi mbahet peneli, si përzihen ngjyrat e vajit.
 
Ku u shkolluat, ju profesor?
-Shkollën për pikturë e kam bërë në Shqipëri. Kur nisa unë studimet, nuk mund të dilej jashtë Shqipërisë se u prishën marrëdhëniet me vendet e lindjes dhe në atë kohë unë kam qenë ndër kuadrot e parë që dolën nga shkolla e lartë e artit në Shqipëri.
 
Sa mund të jetë përafërsisht numri i veprave që keni bërë nga dora juaj. I mbani mend të gjitha?
-Mua si krijues për arsye biografike për një kohë të gjatë prej 12 vjetësh më është dashur të ndërpresë krijimtarinë dhe nuk kam ekspozuar. Piktura bëja më pak për arsye të gjendjes shpirtërore. Por megjithatë kam pikturuar pa ndërprerje, sepse më është dashur të punojë në fushën e grafikës së librit. Kam bërë qindra libra të ilustruar, që nga viti 1963 dhe kam bërë edhe kopertinën e “Gjeniut” të Drajzerit, që më pas u censurua. Ato kanë qenë nga kopertinat e para të miat. Unë fillova të ekspozoja në ‘79-n dhe me ato uljet dhe ngritjet e tij, akti im i pikturuarit pati ndërprerje.  
 
Le të qëndrojmë pak edhe tek ekspozita Pranverë Art, meqë ju jeni edhe organizator i saj. Ekspozita e “rilindur” mbush 5 vjeç. Pse, si, dhe nga kush u censurua në vitet ‘70?
-Periudhat e totalitarizmit kanë pasur ngritjet dhe uljet e tyre të luftës ideologjike dhe luftës së klasave. Në fazat ku unë tregoj qëndrimin tolerant të profesor Saliut ishte një fazë e shkurtër lirie në art, ishte koha kur edhe në popull kishte një frymë liberale. Pastaj kur pushteti u lidh me Kinën, në ‘67-n filloi revolucioni kulturor.

Atëherë filloi një egërsim i luftës së klasave. Filloi që në ‘67-ën, ku u bënë eliminime të llogaritura, pastaj në ‘71-‘72 u zbut disi. Në këtë moment u lejuan transmetimet nga kanalet italiane, u lejua festival i 11-të, ndërsa tek artet u lejua hapja e një ekspozite jashtë tematikës së Partisë, dhe aty u bënë krijime për dashurinë, për pranverën, etj. Mirëpo aty mungonte tematika politike, njëlloj sic ndodhi edhe me këngët e festivalit të 11-të, ekspozita e Pranvera Art nisi me konceptin të jetë e përvitshme, por u ndalua për të mos u hapur asnjëherë. Llambi Blido është iniciatori i rikthimit të saj pas rënies së komunizmit. Ai më një grup krijuesish dhanë idenë e rikthimit. Ne u bëmë krahu aktiv si organizues dhe sot është e pesta ekspozitë e “Pranverë ART”.
 
U dënuan piktorë në atë “pranverë”?
-Në atë kohë u pezullua si aktivitet dhe më vonë pas tri vjetësh u dënuan organizatorët. Vilson Kilica ishte sekretar i lidhjes dhe u transferua në Fier. Kur doli lufta kundër liberalizmit, u dënua dhe Todi Lubonja, dhe hapa pas hapi u dënua edhe pjesa tjetër e elitës intelektuale krijuese në artet pamore. Danish Jukniun e transferuan në Shkodër se kishte dhe gruan polake. U ndërruan edhe drejtuesit e lidhjes.  

Shkrimi u publikua sot (16.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan