TIRANË- Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka hedhur poshtë akuzat se qeveria po zhvendos votuesit e opozitës nga Qendra e Votimit pa dijeninë e tyre, pak para zgjedhjeve të 25 prillit. Në një dalje për mediat, ministri tha se një gjë e tillë është jo e vërtetë, por mbi të gjitha edhe pamundur që të bëhet. Lleshaj shtoi se lista e zgjedhësve do të publikohet në datën 5 tetor që do e faktoj se akuza të tilla janë krejtësisht të pabaza , teksa vuri theksin se qytetarët do të vazhdojnë të votojnë në qendrat përkatëse ku kanë votuar herën e fundit.

"Nuk ka asnjë lloj ndryshimi të qendrave të votimit për qytetarët. Asnjë! Dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim arbitrar të qendrave të votimit. Në bazë të detyrimeve të Kodit Zgjedhor, ekstrakti i parë i listës së zgjedhësve do të publikohet pas disa ditësh, saktësisht më datën 5 tetor 2020, dhe të gjithë do kenë mundësinë tëverifikojnë këtë të vërtetë të thjeshtë", tha Lleshaj. 

Ndër të tjera, ministri bëri me dije se po përgatitet një paketë e re ligjore, që do e kushtëzojnë të gjitha shërbimet publike me pajisjen e një adrese të saktë. Megjithatë, është kujdesur të theksojë sërish se kjo nuk prek qendrën e votimit të qytetarëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

"Duhet thënë se, në të njëjtën kohë, po merren masa për diskutimin e një pakete ligjore që do të konsolidojë përfundimisht sistemin e adresave dhe do të pamundësojë lëvizjen kaotike të qytetarëve. Elementi kyç i këtyre ndryshimeve është kushtëzimi i të gjithë shërbimeve publike dhe jo publike me pasjen e një adrese të saktë për qytetar. Çdo qytetar do të ketë adresën e tij të standardizuar sipas ligjit dhe do të marrë shërbimet vetëm në bazë të adresës së regjistruar. Megjithatë dëshiroj të ritheksoj me forcë:Procesi i përditësimit apo saktësimit të adresave NUK prek qendrën e votimit të qytetarëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Qytetarët do të vijojnë të votojnë në qendrat e tyre të mëparshme", tha Lleshaj.

Përtej kësaj çështjeje, ministri nuk iu shpëtoi pyetjeve mbi të ardhmen e tij në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, për të cilat tha se ka mohuar lajmet se i ka paraqitur kryeministrit Edi Rama dorëheqjen.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:24
I ka paraqitur dorëheqjen kryeministrit Rama? Lleshaj tregon si qëndron e vërteta

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka hedhur poshtë të gjitha zërat se i ka paraqitur dorëheqjen kryeministrit Edi Rama. Ai ka theksuar se një lajm i tillë nuk është aspak i vërtetë.

Pyetje: Zoti ministër, zëra me peshë brenda ministrisë që drejtoni, por edhe nga zëra po ashtu të dala nga ekzekutivi, se ju i keni paraqitur dorëheqjen kryeministrit Edi Rama. Kjo do të thotë në njëfarë mënyre se brenda dikasterit tuaj ka vartës tuaj që nëse ju përgënjeshtroni lajmin e dorëheqjes, provojnë përplasje brenda kësaj ministrie. Cila është e vërteta juaj?

Përgjigje: Burimet e informacionit duhet të jenë të besueshme. Nuk është fare e vërtetë siç e shikoni jam këtu me ju në postin e ministrit të brendshëm. Natyrisht ka kudo persona që për arsye të ndryshme mund të japin deklarata që s'kanë të bëjnë me të vërtetën.