TIRANE-Gjykata e Tiranës në gjyqin paraprak që u zhvillua ditën e sotme ka vendosur pushimin e çështjes së lobimit për kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e partisë Ilir Dervishi. Kështu dy vite hetime nga prokuroria e Tiranës, gjyqtari Lazer Sallaku i ka cilësuar të pavlefshme duke rrëzuar akuzën e ngritur nga organi i akuzës për falsifikim kundër Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së, pasi sipas tij nuk faktohet një gjë e tillë. Sipas gjyqtarit, thotë gazetari i Report Tv Arsen Rusta, Basha dhe dy zyrtarët e PD-së nuk janë përgjegjës për akuzën e falsifikimit që u ngrit nga prokuroria duke pushuar hetimet e prokurorisë për t'i marrë të pandehur.

Tashmë pritet vendimi i prokurorisë nëse do ta ankimojë. Por përplasja mes prokurorëve vijoi edhe seancën e sotme. Me kërkesë të drejtueses së prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj u kërkua përjashtimi i prokurorit Ervin Karanxha, që gjyqtari e miratoi duke e larguar nga seanca e gjyqit paraprak, ndërsa dy prokurorët e tjerë Gjergji Tako dhe Kolë Hysenaj ishin të ndarë. Hysenaj kërkoi shtyrjen e afateve me qëllim pyetjen e lobistit Nick Muzin, ndërsa Tako dërgimin e cështjes në gjyq, por gjykata e pushoi. Tre personat, dy nga të cilët sot nuk ishin në gjyq me përjashtim të Arben Ristanit, pasi Basha dhe Dervishi përfaqësoheshin nga avokatët, akuzoheshin për “Falsifikim të dokumenteve dhe formularëve”, pasi sipas prokurorisë nuk kishin bërë deklarimin e shumës në pasqyrat financiare të Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por ashtu sikur u pushuan hetimet pak kohë më parë për pastrim parash, sot u pushuan edhe për falsifikim.

Historia e dosjes së lobimit
Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Por kush fshihet pas kompanisë “Biniatta Trade”, që rezulton fantazmë e regjistruar në parajsat fiskale dhe cfarë e lidh me rusët? (lexo ketu). Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit duke ngritur dyshime për origjinën e parave duke sjellë nisjen e hetimeve nga prokuroria, që sot u pushuan nga gjykata.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:59
Gjykata pushoi hetimet, avokati i Bashës: Drejtësi! Ra sajesa, u rrëzua gjuetia e shtrigave

Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë Berisha, Eduard Halimi dhe përfaqësuesi ligjor i PD-së Ivi Kaso ishin avokatët e Lulzim Bashës në seancën e gjyqit paraprak që u zhvillua sot. Halimi përshëndeti vendimin e drejtësisë, ndërsa u shpreh më tej se gjithçka ishte e sajuar.

"Gjithçka ishte akuzë e sajuar. Nga dy vite hetime nuk kishte asnjë lidhje PD-ja dhe zyrtarët e saj, as në Shqipëri dhe as në një vend tjetër. Vepra penale dhe fakti nuk ekzistonte. Vendimi i sotëm ishte një vendim drejtësie për t'u përshëndetur. Ne jemi avokatët. Ky ishte një vendim që rrëzoi të gjithë gjuetinë e shtrigave. U rrëzuan të gjitha akuzat ndaj PD-së. Është pushuar akuza, fakti nuk ekziston" tha ai.

Ora 16:51
Pushimi i çështjes për 3 zyrtarët e PD-së/ Ristani: Le t'i turpërojmë ata prokurorë, drejtësia triumfoi

I vetmi i pranishëm në Gjykatë, Arben Ristani në një deklaratë për mediat në përfundim të seancës gjyqësore u shpreh se u vërtetua se akuza ishte politike, duke e cilësuar si një turp të prokurorisë shqiptare. Ristani shtoi se sado që të ndikojë politika në organet e drejtësisë, drejtësia do të triumfojnë në fund.

Si një njeri i drejtësisë, Ristani tha se e ka parë atë sallë gjyqi për shumë vite, por sot dëshironte që ta shihte në pozicionin e të pandehurit, për këtë arsye ndrysha nga kryedemkrati Basha dhe financieri Ilir Devishi, zgjodhi të ishte i pranishëm në seancë.

"Shumë interesante për të treguar se çfarë ndodh kur Prokuroria bëhet pre e fustrimit për shkak të presionit të politikës. Prokuroria është shembulli konkret. prokuroria u paraqit me dy qëndrime, një që kërkonte të kthehej çështja dhe të shkonte në gjyq, dhe pastaj vjen një urdhët i tretë që përjashton një nga prokurorët një organ i c'organizuar. Unë ju thashë është një akuzë e montuar politikisht që u provua, kanë qenë veprime ligjore nga ana e PD-së, dhe mesa duket se sado të ndikojnë tek drejtësia do ketë njerëz që do japin drejtësi. Kjo është ajo që i mungon kjo popullit shqiptar. Ka paguar para që rrjedhin ga buxheti i saj që i ka deklaruar. Le ti turpërojmë këta prokuror që falsifikim me mosveprim, si mund të ndodh kjo gjë. Nik Muzin s'ka pse kërkon garanci këtu, por shtetit të vetë. Po të kishte të dhëna shteti vet do e kishte marrë në shqyrtim", tha Ristani.