Përmes një deklarate, Zyra e Shtypit e LSI bën me dije se janë kontrolluar të ardhurat e shpenzimet që ka kryer ky subjekt politik që nga data e caktimit të zgjedhjeve e deri në përfundim të tyre.
"Sqarim mbi lajmin e botuar në gazetën Shqiptarja.com dhe Report TV datë 16/12/2017, me titull: “LSI lobim me para të zeza me kompani amerikane”. Ju vëmë në dijeni që subjekti politik LSI është audituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve “Për fondet e përftuara dhe të shpenzuara gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin, të datës 25 qershor 2017”.
Në këtë proces janë kontrolluar të ardhurat e shpenzimet që ka kryer subjekti politik LSI që nga data e caktimit të zgjedhjeve e deri në përfundim të tyre, duke përfshirë burimet financiare të të ardhurave dhe çdo shpenzim si dhe ligjshmërinë e tyre.
Auditimi i kryer në zbatim të nenit 24\3 të ligjit numër 8580, del në konkluzion se subjekti LSI nuk ka asnjë parregullsi në veprimtaritë financiare të kryera gjatë fushatës zgjedhore. Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, sot nëpërmjet mediave ka marrë informacion mbi Raportin e Monitoruesve për fushatën zgjedhore 25 Qershor 2017 ku pretendohet se LSI ka mungesë dokumentacioni.
Duke sqaruar për opinionin se auditimi ka ndodhur 2 muaj pas monitorimit dhe auditimi si instrumenti i vetëm i specializuar për të analizuar veprimtaritë financiare të subjekteve nuk ka gjetur asnjë parregullsi, ftojmë KQZ të qartësojë qëndrimin e saj", thuhet në reagimin e LSI.
d.c./shqiptarja.com












