Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka rikthyer sërish në vëmendje çështjen e lobimit të PD në SHBA, duke publikuar një faturë të kompanisë amerikane Continental Strategy të 1 tetorit 2025, lidhur me pagesat që ka marrë deri më 31 gusht. Përmes një postimi të gjatë në rrjetin e saj social, Kokalari thotë se kontrata e lobimit në nuk kishte si qëllim përmirësimin e imazhit të PD-së, siç Sali Berisha pretendonte, por heqjen e non gratës nga SHBA.
Evi Kokalari shkruan se nga dokumentet rezulton se Partia Demokratike është ajo që ka paguar 750 mijë dollarë përmes llogarisë bankare kundrejt kompanisë amerikane. Pra, ndryshe nga çfarë pretendonte Berisha se nuk do të bëjnë asnjë pagesë, por faturat do t’i mbulonte fondacioni Make Albania Great Again, i krijuar nga Nuredin Seci. Kokalari thotë se Berisha i mashtroi shqiptarët duke thënë se paratë po paguhen nga elektricisti tropojan Seci.
“Një dokument i deklaruar nga “Continental Strategies” më 1 tetor 2025 duhet të japë detaje nga erdhën fondet e pagesës, dhe aty qartazi tregohet se 750,000 dollarë janë transferuar me bankë direkt nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Pra, nuk ishin demokratët e diasporës dhe as elektricisti që pagoi, por vetë Partia Demokratike, ndërkohë që Berisha ka mashtruar të gjithë nga konferencat e shtypit që jepte”, shkruan Kokalari.
Kokalari i drejton 3 pyetje SPAK dhe KQZ: A janë deklaruar në KQZ 750 mijë dollarët e paguara nga PD, kush është burimi i i këtyre parave dhe a është normale që fondet partiake apo të fushatës të përdoren për problemet e personale të një politikani?

Dokumenti që tregon se pagesa 750 mijë dollarë është bërë nga PD
Pjesë nga postimi i Evi Kokalarit
Gjithmonë e kam menduar që Berisha ka gënjyer dhe mashtruar kur ishim nëpër foltore. Përdori figurën time për t’u premtuar demokratëve ndryshime dhe meritokraci, që qartazi dhe paturpësisht nuk i qëndroi i vërtetë.
Por, përpara dhe gjatë fushatës elektorale, skandali më i madh ishte ai i kontratës 6 milionë dollarëshe me ish-shefin e stafit të Marco Rubios, një skandal që detyroi SPAK-un të hapte një hetim të menjëhershëm.
Berisha dhe gjithë berishistët e vegjël, që janë po aq mashtrues, vërshuan nëpër studio televizive ku me krenari na tregonin elektricistin nga New Jersey që paskësh krijuar një fondacion dhe po paguante 6 milionë dollarë që nuk i kishte, për të ndihmuar PD-në dhe për të hequr Edi Ramën.
Videoja më poshtë, është nga fillimi i majit dhe gazetari e pyet Berishën nëse qëndronte mundësia që kjo kontratë kishte të bënte me lobimin për heqjen e non-gratës.
(Konferenca për shtyp: https://www.youtube.com/watch?v=_bae5SLS08Y&t=1898s - pyetjet fillojnë në min e 30')
Berisha, pa asnjë hezitim, jo vetëm që e mohon, por bën edhe si i prekur në sedër… Sali Berisha, një kardiolog dhe mjek që e mban veten për të respektuar, një politikan, ish-President dhe ish-Kryeministër që pas 35 vitesh duhej të kishte integritetin e duhur që ne, populli, t’i drejtoheshim si “burrë shteti”, në moshën 80-vjeçare del dhe mashtron hapur në një konferencë shtypi.
Përgjigjja e Berishës vijon kështu: “Continental është i kontraktuar për kauzat e drejta të PD-së… nuk ka asnjë sekret dhe gjithçka është transparente”, dhe flet për FARA-n, sektor që varet nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA.
Gazetari i dytë i bën të njëjtën pyetje, duke theksuar faktin që kjo kontratë ose është për non-gratën, ose përveç “kauzave” të PD-së mbulon edhe lobimin për të personalisht.
Sërish, Sali Berisha, me seriozitetin më të madh, mashtron duke thënë se kjo kontratë është vetëm për të rregulluar marrëdhëniet mes PD-së dhe SHBA-së.
Dhe sigurisht lë jashtë faktin që koka e PD-së është vetë Sali Berisha dhe, duke qenë non-grata, marrëdhëniet midis SHBA-së dhe PD-së nuk mund të rregullohen për sa kohë që kryetari është dikush i shpallur non-grata dhe nën sanksione për korrupsion të thellë.
Kulmi i mashtrimit është kur ai flet pa pikë turpi për shoqatën “MAGA” që ka hapur elektricisti nga New Jersey dhe për një grup shqiptarësh që paskan kontribuar në pagesat e kësaj kontrate, dhe kjo qenka plotësisht e lejuar nga KQZ-ja.
Por, siç e tha vetë Berisha, SHBA ka transparencë, edhe pse ai e di shumë mirë që deklarimet në FARA bëhen 3–9 muaj pas ngjarjeve dhe kur Berisha kishte mbaruar punë me zgjedhjet.
Dhe pikërisht, një dokument i deklaruar nga “Continental Strategies” më 1 dhjetor 2025 duhet të japë detaje nga erdhën fondet e pagesës, dhe aty qartazi tregohet se 750,000 dollarë janë transferuar me bankë direkt nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
Pra, nuk ishin demokratët e diasporës dhe as elektricisti që pagoi, por vetë Partia Demokratike, ndërkohë që Berisha ka mashtruar të gjithë nga konferencat e shtypit që jepte.
Sikur kjo të mos mjaftonte, Continental ka deklaruar edhe telefonatat, emailet dhe takimet me elementë të Departamentit të Shtetit, të klasifikuara si “American Policy towards Albania”, ndërkohë që në Shqipëri dilnin elementët e Berishës me premtimin se Berishës do t’i hiqeshin sanksionet dhe madje do të shkonte në SHBA përpara zgjedhjeve.
Në këtë rast, telefonatat e pafundme, emailet dhe takimet marrin kuptim, sepse lobimi nuk ishte për marrëdhënie të mira midis PD-së dhe SHBA-së, por vetëm për heqjen e sanksioneve dhe, nëse ishte e mundur, për marrjen e një vize “speciale” që Berisha të shkelte tokën amerikane dhe të mashtronte edhe më shumë opinionin publik që SHBA-ja s’ka asgjë me të.
Dhe për të konfirmuar gjithçka që them këtu, më 31 korrik Continental deklaron një letër të gjatë, ku filiali i avokatisë së Continental, që ka të njëjtin pronar, parashtron të gjitha arsyet pse DASH duhet t’ia heqë Berishës sanksionet.
Kuptoni që, edhe pse kjo letër e gjatë, 24-faqëshe, është formuluar nga zyra e avokatisë së Continental, ajo është deklaruar pranë Departamentit të Drejtësisë (FARA) nëpërmjet “Continental Strategies”, që do të thotë se këtu nuk ka asnjë dyshim që Continental ka lobuar për heqjen e sanksioneve. Por, nëse në telefonatat e mëparshme Continental mund të fshihej pas “American Policy towards Albania” — gjë që nuk kishte kuptim, pasi PD-ja nuk ishte në qeveri — këtë herë nuk kishin zgjidhje tjetër veçse ta deklaronin plotësisht letrën.
Gjithashtu, po të bëhet cross-reference midis datës kur është dërguar letra dhe telefonatave që janë deklaruar veçmas, duket qartë se më 22 korrik 2025 Continental ka kontaktuar Dan Holler, koleg i vjetër i Martinez, pasi të dy kanë punuar për Rubion kur Rubio ishte senator. Dan Holler, tashti është shefi i shtabit të Rubios, pra Sekretarit të Shtetit.
Në njërin nga deklarimet dhe kontaktet me Dan Holler, kanë shkruar “American Policy towards Albania” dhe, në rreshtin e dytë, të nesërmen, shkruajnë hapur “Assessment of 7031(c)”, që është pikërisht “Seksioni 7031 i Aktit të Ndarjeve Buxhetore të SHBA-së, i cili parashikon ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara për zyrtarë të huaj dhe anëtarët e familjeve të tyre, kur ka informacione të besueshme se janë përfshirë në korrupsion të rëndë ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.”
Pra, këtu nuk ka më asnjë dyshim se ky ishte lobim për Sali Berishën dhe familjen e tij.
Link: https://efile.fara.gov/.../7545-Informational-Materials...
Që të mashtrosh në këtë mënyrë, kaq hapur, gazetarët, opinionin publik dhe për më tepër votuesin përpara zgjedhjeve, është përtej depresuese, për një Shqipëri që është marrë peng për 35 vjet rrjesht nga i njëjti person.
Kur një “burrë shteti”, siç duhej të ishte Sali Berisha, metamorfozohet në mediokritetin e mashtruesve që, në mungesë të talentit, kalojnë 30 vjet duke ndërtuar një karrierë joekzistente, të bazuar në mashtrime të pastra dhe të verifikueshme, si ajo e çmëndura e showbizit, fillon dhe pyet veten nëse problemi në Shqipëri nuk janë thjesht sistemet, por vetë njeriu.
Shto këtu edhe “akademiken”, që kishte çdo mundësi ta mbante reputacionin e pastër me ato arritje që s’kishin nevojë për ekzagjerim, dhe kupton çfarë degjenerimi moral ka në atë vend.
Sigurisht, me promovimin e marksizmit nga kjo e fundit, merr kuptim gjithçka nëse analizon unin e shkatërruar nga sistemi komunist. Aty kupton se ata që i mbijetuan atij sistemi duke ruajtur virtytet, integritetin dhe fisnikërinë – që u tregua në mënyrën se si e përçmuan atë sistem në heshtje pa u ndikuar moralisht prej tij – janë të paktë, dhe ose janë larguar, ose vazhdojnë mbijetesën në sistemin postkomunist po në heshtje.
Dhe kur shikon se si Berisha, një karrierist i papërmbajtur dhe lepirës sidomos ndaj rrethit të Enver Hoxhës, dhe idealizimi që i bën “akademikja” të njëjtës figurë, liderit suprem, në librat e saj, kupton se këta janë mbetjet më organike komuniste të atij sistemi që duam të lëmë pas.
E njëjta ambicie si ajo e Berishës dhe e akademikes shihet edhe te e çmendura e showbizit, që me një agresivitet të pashpjegueshëm mashtron për ta bërë veten të duket sikur ka arritur diçka, dhe këtë kokonë të ndërtuar me mashtrime ja legjitimon media, e njëjta media që legjitimon idetë marksiste të 'akademikes' dhe legjitimon mashtrimet e politikanit që vazhdon ta mbaj peng atë komb.
Tre individë, tre klasa të ndryshme – një mentalitet dhe, detyrimisht, i njëjti llum.
Trishtim!!!
***
Për SPAK & KQZ; ka tre pista që kërkojnë investigim të menjëhershëm:
1) - A janë deklaruar me KQZ-në këto $750,000 që janë transferuar direkt nga Partia Demokratike tek Continental?
2-) Qartazi në këto dokumente shohim se PD-ja ka paguar një firmë lobiste për t'i hequr sanskionet Sali Berishës dhe familjes së tij, por a është normale që fondet partiake apo të fushatës të përdoren për problemet e personale të një politikani?
Në SHBA, George Santos u përjashtua me votë nga Kongresi dhe bëri burg pikërisht se kishte përdorur diku tek $10,000 fonde fushate për nevojat personale.
3-) Nga erdhën këto $750,000 në llogaritëe PD-së?
Me që ra fjala, do ketë pagesa të tjera për t'u deklaruar sepse shërbimi i Continental vazhdon.
Komente











Pse ka njeri qe beson Berishen ? Po ne France sa ka paguar? Po ne Angli sa ka paguar ? Ne Amerike kjo eshte nje pike ne uje, se e verteta eshte qe paguar 21 milion Dollar.
Përgjigju