Loboi në Kosovë, firma "Bechtel"
punëson ish-diplomatin e SHBA

Loboi në Kosovë, firma punëson ish-diplomatin e SHBA">
TIRANE- Christopher Dell, një diplomat karriere, i emëruar nga Barack Obama për të përfaqësuar SHBA në Prishtinë, është punësuar nga kompania Bechtel Corporation, të cilën e ndihmoi që të fitonte një kontratë për ndërtuar autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë. Dell tani do jetë menaxheri për Afrikën në këtë kompani, disa muaj pasi i dha fund karrierës prej tre dekadash në Departamentin e Shtetit.

Por punësimi i tij në firmën më të madhe të ndërtimeve në Amerikë, do të nxisë një debat në lidhje me projektin e shumëdebatuar, të quajtur edhe Rruga e Kombit. Pieter Feith, një diplomat i lartë i BE në kohën kur u nënshkrua kontrata, e pati kritikuar mënyrën se si diplomati amerikan loboi për të. Madje ai pati bërë thirrje për një hetim. Ai e akuzonte Dell se kishte fshehur informacionet për kontratën me Bechtel, duke theksuar se ka lobuar që Kosova të pranojë një marrëveshje jo të arsyeshme, e cila e vendos në një presion të madh buxhetin e vendit të ri.

Sipas BIRN, është e zakonshme që ambasadorët perëndimorë të lobojnë për interesat e biznesit të kompanive nga vendet e tyre, por është e pazakontë për një diplomat që të marrë një post të rëndësishme në kompani të mëdha pasi ka siguruar për to kontrata fitimprurëse.
Feith, që kishte punuar për vite me radhë bashkë me Dell, thotë se kishte shqetësime të mëdha për kontratën. Por kur ai kërkoi informacion për kontratën, kjo iu refuzua. “Informacioni nuk u dha dhe krejt papritur ne ishim para faktit të kryer që kontrata ishte mbyllur,” tha ai për Guardian. Feith shprehet se këto para duhej të shkonin për të luftuar papunësinë në Kosovë, e cila ishte në nivelin prej 40 përqind.

Andrea Capussela, që në atë kohë ishte kreu i departamentit ekonomik nën varësinë e Feith, thotë se punësimi i Dell në këtë kompani ngre pikëpyetje serioze mbi të gjithë projektin. “Kjo kontratë ishte irracionale për Kosovën dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme. Departamenti i Shtetit do bënte mirë që të hetonte,” tha ai.
Feith nuk pranoi që të komentonte punësimin e Dell, por tha se është e nevojshme që të ketë një hetim për këtë kontratë, edhe pse nuk e specifikoi se kush duhet ta bëjë këtë hetim. Edhe në Kosovë ndodhi si në Shqipëri.

Oferta fillestare për autostradën ishte 400 milionë euro. Më pas çmimi u rrit në 660 milionë euro për 102 kilometër rrugë. Në fund, i gjithë projektoi kushtoi 820 milionë euro për vetëm 77 kilometër. Sa për krahasim, buxheti i Kosovës në vitin 2012 ishte 1.5 milairdë euro. Autostrada përfundoi vitin që shkoi, ndërkohë që një burim ka konfirmuar se EULEX ka nisur hetimet për marrëveshjen për ndërtimin e saj.
Javën e shkuar, raporton BIRN, edhe qeveria shqiptare deklaroi se do të nisë një hetim për financimin e kësaj rruge. Ish- ministri i Transporteve në Tiranë, Lulzim Basha, ishte liruar nga akuzat për abuzim me detyrën kur çështja u bllokua nga Gjykata e Lartë për arsye teknike. Ai i mohon akuzat.

Marrëveshja me Kosovën u nënshkrua në prill të vitit 2010. Në ceremoni ishte edhe Dell.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Transporteve, Fatmir Limaj, që është aktualisht nën hetim për korrupsion. Feith u përplas me Dell edhe për Limajn, pasi ai u vu nën hetim nga zyrtarët e BE në Kosovë. Dell, që kishte pak besim tek hetimi i BE, tentoi që ta hiqte Limajn nga detyra në Kosovë për ta caktuar në një post diplomatik në Nju Jork apo Uashington.

Një zëdhënëse e kompanisë Bechtel tha për BIRN se njohuritë dhe eksperienca e Dell në Afrikë janë një mundësi e mirë për kompaninë. “Siç e dini, një nga detyrat e ambasadorëve amerikanë është që të promovojnë interesat e biznesit amerikan. Chris ka kaluar 30 vite në detyrë si nëpunës publik dhe çdo sugjerim se ai ka vepruar në mënyrë të parregullt është i pandershëm dhe fyes,” tha ajo.

Më herët këtë vit, qeveria e Kosovës i tha Bechtel edhe një tjetër kontratë me vlerë 600 milionë euro për të ndërtuar rrugën me Maqedoninë. Kompania thotë se Dell nuk ka luajtur rol në sigurimin e kësaj kontrate. 

Shkrimi u publikua sot (15.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç