A e dinit se nga e gjithë historia e fuqishme dhe me famë botërore e “Mani Pulite” në Itali, nga 4500 të hetuar, ndër të paktët të dënuar me maksimumin e viteve është një financier: Sergio Cusani dhe një tjetër funksionar i ndërmarrjes së rrugëve, ANAS. Dhe a e dinit maksimumin e viteve që iu dhanë nga Drejtësia pas hetimeve të ekipit të Antonio Di Pietro-s? 5 vite e 6 muaj! Asnjë tjetër i hetuar dhe i dënuar nga qindra politikanë, biznesmenë  nuk vuajti më shumë, madje shumica nuk bëri asnjë vit burg edhe pse kishin poste më kryesore dhe më kyçe në korrupsionin e të famshmeve “tangentopoli”, ryshfete që biznesi i kalonte partive politike italiane për të marrë mbështetje në realizimin e objektivave financiare dhe investimeve. Po të informohemi në detaje, edhe numri i të paraburgosurve ka qenë në përqindje relativisht të vogël në krahasim me numrin e të hetuarve.

A mund të nxjerrim mësime nga të tjerët dhe të jemi sa më të drejtë dhe të ekuilibruar në gjykim? Qoftë media, qoftë Drejtësia e re, qoftë opinioni publik?

Sergio Cusani, sot 78 vjeç sapo publikoi librin e tij të kujtimeve: “Il Colpevole” (Fajtori), pasi ai ndjehet i vetmi “fajtor” i gjithë atij operacioni që shkundi shoqërinë italiane. “Mani pulite goditi personazhet e atyre viteve, - shkruan sot Cusani, - por jo fenomenin e korrupsionit, që siç e dimë mirë, ekziston”. Puna dhe dëshira e madhe e një populli për Drejtësi është një gjë shumë serioze dhe kërkon përgatitje të jashtëzakonshme nga njerëzit e drejtësisë, por edhe nga shoqëria në përgjithësi. Kërkon profesionalizëm, përkushtim, gjakt të ftohtë dhe vetëpërmbajtje. “Mani pulite” në fillim të viteve ’90 rrëmbeu zemrat e italianëve: Transmetimet live të gjyqeve, politikanë që shkumëzonin përballë Di Pietros, monedhat e hedhura me përbuzje kundër liderit socialist Betino Craxi dhe për fat të keq... edhe  vetëvrasjet. Po, sepse gjatë “Mani pulite” pati verëvrasje e mes tyre personazhë të një kalibri botëror: Sipërmarrësi Raul Gardini dhe Presidenti i gjigandit shtetëror Eni, Gabriele Cagliari. Në librin e Cusani-t risillet letra që Cagliari la për familjen:

Ja çfarë shkruante Presidenti i Eni-t:

“Kriminalizimi i sjelljeve që ishin të të gjithëve, të vetë hetuesve, edhe në Milano, nxorri jashtë loje vetëm disa prej nesh, duke na braktisur në gijotinën dhe në urrejtjen e opinionit publik. Dora e rëndë, e paekuilibruar dhe e padrejtë e gjykatësve realizoi edhe atë që kishte mbetur. 

Na trajtojnë me të vërtetë si jo-njerëz, si qen që na rikthejnë sa herë duan në kolibe. 

Jemi qen në një kolibe nga e cila çdo prokuror mund të na nxjerrë për të bërë stërvitjen e vet dhe për të treguar se është më i zoti dhe më i rreptë se ai që kishte bërë një stërvitje analoge disa ditë më parë ose disa orë më parë. 

Edhe mes tyre ekziston e njëjta konkurrencë dhe abuzim me pushtetin që sundon në treg, me dallimin se, në këtë rast, loja bëhet me kokën e njerëzve. Pra, nuk është e mundur të pranohet gjykimi i tyre, cilido ai qoftë. 

Po shkatërrojnë bazat themelore dhe të njëjtën kulturë të së drejtës, po ndërmarrin rrugën që çon tek Shteti i tyre autoritar, te regjimi i tyre i asocialitetit total. 

Unë nuk dua të jem”.

Gabriele Cagliari vrau veten ne burg më 20 korrik 1993.

Entuziazmi gjigant me të cilin opinion publik italian ndoqi hetimet e ''Mani pulite'' ishte njëkohësisht edhe fundi i tij. Pas më pak se 4 viteve, kur "pool" i prokurorëve filloi ta tepronte duke humbur kredibilitetin, zhgënjimi i opinionit publik italian shënoi edhe fundin e epokës së prokurorëve. "Mani pulite" u mbyll.  

I sjell këto fakte të marra nga libri i Sergio Cusanit, jo për të thënë që në Shqipëri po ndodh e njëjta gjë, por për të ditur se çfarë ka ndodhur tek të tjerët para nesh. Për të mësuar dhe për të nxjerrë mësime nga pesha e fakteve.  Ne sot jemi në të njëjtën situatë: Jemi një popull i etur për Drejtësi, por kjo etje e të gjithëve: prokurorë, gjykatës, politikanë, gazetarë dhe opinion publik, nuk duhet të na mbulojë sytë me gjakun e hakmarrjes dhe të mos shohim dhe të mos kemi mundësinë e reflektimit: A po dënohen sjellje dhe veprime të të gjithëve? A po hetohen të korruptuar barazisht? A po respektohen bazat e të Drejtës?A është e garantuar ndarja reale midis prokurorisë dhe gjykatave, duke siguruar kështu një drejtësi të balancuar dhe të drejtë? Historia e “Mani Pulite” na tregon se forca kryesore e atij fenomeni “pastrues” brenda politikës dhe shoqërisë italiane ishte mbështetja nga opinioni publik. Organet e drejtësisë shqiptare duhet ta kenë parasysh këtë, sepse edhe për ta, burimi kryesor i forcës së tyre është besueshmëria. Tani është momenti  të bëjnë çdo përpjekje të mundshme për të mos e humbur.