Ndërsa ujrat e shiut dhe të lumenjve futen vrullshëm në shtëpitë e shqiptarëve, ndërsa në këtë ag të 2026-s ende nuk kemi pastruar kanalet e kullimit, derdhjet në det, hidrovoret, rrjetin qytetar të mbarëvajtjes së jetës; ndërsa disa prisnin një SMS si në vendet e civilizuara që t’i paralajmëronte: “Kujdes, alarm i kuq reshjesh dhe rrebeshesh!”, po shkojmë për të 15-in vit rresht drejt 21 janarit. Ende pa një drejtësi, ende pa një hetim, ende pa një përgjegjësi.
21 janari mbetet “guri kilometrik” i Drejtësisë shqiptare sepse atë ditë, disa shqiptarë, një shqiptar, urdhëruan dhe qëlluan e vranë bashkëatdhetarë të pafajshëm në Bulevard. Nuk ishte një aksident ku rastësisht u vra vetëm një qytetar. Ishte një “qëllim i posaçëm” ku u vranë katër të paarmatosur e të parrezikshëm dhe u plagosën mbi 100 të tjerë, ku këta 100 apo 130 mund të ishin viktima nëse nuk do të kishin engjëllin shpëtonjës të dikujt mbi kokë e që i la të plagosur rëndë, apo më lehtë. Atë ditë, mbi shqiptarët, u qëllua si të ishin njerëz pa vlerë. U konsideruan dhe në orët më pas, jo si qënie njerëzore jeta e të cilëve kërkonte respekt. Por a e kemi korrigjuar ndër vite këtë humnerë njerëzore? A po shpërblehen ata që e realizuan dhe e manipuluan dhe a po e vuajnë ende ata që u dëmtuan?
“Shqiptari e ha shqiptarin!”, “Armiku më i madh i shqiptarit është shqiptari” janë shprehje që jemi përpjekur përherë t’i përgënjeshtrojmë dhe t’i largojmë nga vetja si të jenë murtaja e zezë, por, për t’i shuar njëherë e përgjithmonë nga horizonti ynë dhe i fëmijëve tanë, duhet të këmbëngulim për Drejtësi duke nisur pikërisht në rastet kur shqiptarë vranë shqiptarë: Dy janë ngjarjet më rrëqethëse, 21 janari 2011 dhe vite më parë Gërdeci, në mars 2008, të dyja ende pa drejtësi.Dhe të dyja bashkë janë çështjet që do të ndikonin në ndërtimin dhe rekuperimin e ekzistencës sonë si qytetarë që kanë detyrime dhe të drejta në një demokraci.
Po. Kërkesa e llogarisë për të pasur drejtësi për bashkëatdhetarë të vrarë është abc-ja e kërkesës së llogarisë në çdo shoqëri të qytetëruar. Nëse ne nuk “çajmë kokën” për jetë shqiptarësh, nuk “do të na bëhet vonë” as për përmbytjet, as për korrupsion, as për nënshtrim, as për intrigat, as për urrejtjen falas nëpër rrjete, për shpifjet, e për çdo ves që nuk e zbukuron jetën tonë.
Një popull që toleron vrasjet, një popull që nuk këmbëngul për të vërtetën e tyre, nuk mund të çlirohet për të vazhduar më pas, sipas radhës dhe rëndësisë, me të tjera të vërteta qofshin më të vogla, por të domosdoshme për të mbajtur një shoqëri të shëndetshme, të aftë dhe të gatshme për të shëruar plagët e për t’u përmirësuar në rrugëtimin e saj.
Komente










