Një ditë para mbylljes së Lojërave Mesdhetare ‘Taranto 2026’, Shqipëria e cila është përfaqësuar me numrin më të lartë të sportistëve ndonjëherë, është në kuotën e 6 medaljeve të fituara. Kuqezinjtë deri më tani kanë shkëlqyer në dy disiplina: mundje dhe peshëngritje.

Sëfundmi ishte shtanga që solli 3 medalje. Briken Calja mori të artën në shkëputje në kategorinë 75 kilogramë si dhe të bronztën në shtytje. Sakaq në të njëjtën ditë Enkileda Carja fitoi medaljen e bronztë në shkëputje në kategorinë 69 kilogramë. Shpresat për medalje ishin edhe te Erkand Qerimaj, por edhe te Ertjan Kofsha i cili garoi këtë të mërkurë në kategorinë 95 kilogramë, por nuk shkoi më shumë se vendi i katërt në shkëputje.

Më herët 3 medalje erdhën nga sporti i mundjes. Të artën e fitoi Islam Duadev, të argjendtën Zelimkhan Abakarov si dhe të bronztën Ardit Zeneli.

Me 6 medalje të fituara Shqipëria renditet e 16 nga 24 shtete pjesmarrëse në Lojërat Mesdhetare, teksa e 15 është Kosova që deri më tani ka fituar 9 medalje. Bie në sy se shtete si Serbia, Kroacia dhe Qipro renditen në vendin e 10, 11 dhe 12, ndërsa Shqipëria ka lënë pas shtete si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina. E fundit është Andora që ka fituar vetëm 1 medalje.