Lojërat Olimpike Dimërore janë në prag dhe po përgatiten detajet e fundit organizative. Për herë të parë ato do të zhvillohen në dy qytete të ndryshme, Milano dhe Cortina, ndërsa ceremonia hapëse ku do të parakalojnë rreth 2.900 sportistë do të mbahet të premten e 6 shkurtit në stadiumin Guiseppe Meaza në orën 20:00.
Shqipëria në këto Lojëra Olimpike Dimërore për herë të parë do të përfaqësohet me 4 skiatorë. Deni Xhepa do të marrë pjesë në 4 disiplina, duke nisur me Downhill, Giant Slalom, Slalom dhe Super G. E para është Downhill që nis me 7 shkurt në orën 11:30. Lara Colturi dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në dy disiplina Giant Slalom dhe Slalom. Garat e Giant Slalom për vajza nisin më 15 shkurt në orën 10:00, ndërsa gara e Slalom më 18 shkurt në orën 10:00. Skiatorja Lisa Brunga do të garojë vetëm në disiplinën Slalom të datës 15 shkurt.
Flaka Olimpike aktualisht ndodhet në Itali, ndërsa siç e kërkon tradita ajo u ndez me 26 nëntor të 2025 në Olimpia të Greqisë. Më pas mbërriti në Romë me 4 dhjetor, ndërsa po udhëton në çdo rajon të Italisë para se të mbërrijë në Milano me 6 shkurt. Flaka Olimpike simbolizon përhapjen e paqes dhe miqësisë gjatë rrugës që ajo ndjek, ndërsa deri më tani është mbajtur nga shumë figura të shquara të sportit në Itali.
Lojërat Olimpike Dimërore do të zgjasin deri më 22 shkurt, ndërsa SHBA-të do të përfaqësohen më me shumë sportistë. 232 atletë kanë dërguar në Itali, ndërsa 98 prej tyre janë medalistë që kthehen Lojërat Olimpike Dimërore të kaluara.
Për Italinë organizmi i Lojërave Olimpike Dimërore pritet të sjellë një fitim prej 319 milionë eurosh për shkak të 725 mijë spektatorëve që pritet të marrin pjesë. Ndërkohë që jemi në nisje të Lojërave Olimpike ‘New York Times’ ka kritikuar ashpër organizimin nga Italia duke thënë se ka një ‘makth logjistik për të lëvizur’, ndërsa gazeta gjermane Bild thotë se ka ‘shumë vonesa në punime’.
Komente






