LONDER- Ligji për turizmin do të rishikohet shumë shpejt e për këtë do të nisin konsultimet me operatoret turistik dhe aktorë të tjerë të përfshirë në këtë sektor. Këtë ka bërë me dije ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni në panairin Botëror të Turizmit në Londër, ku ka marrë pjesë edhe vendi ynë.

Gjatë ditës së parë të këtij panairi, Gjermeni ka zhvilluar një takim në stendën e Shqipërisë me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit (UNËTO), Taleb Rifai.

Në bisedën me Rifain, Gjermeni është shprehur gjithashtu se “në muajt e parë të vitit të ardhshëm do të përgatitet një Strategji për Turizmin, për periudhën 2014-2020, e cila do të realizohet gjithashtu pas një procesi konsultimesh me ekspertët dhe aktorët vendas të turizmit, si edhe duke marrë ide dhe sugjerime nga ekspertiza e huaj”.

Shefja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka garantuar se do të bëjë gjithçka për të promovuar Shqipërinë, duke shtuar numrin e turistëve të huaj, si edhe duke e kthyer turizmin në një sektor fitimprurës për ekonominë dhe gjenerues të vendeve të reja të punës.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit ka theksuar se organizata që ai drejton është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në procesin e rishikimit të ligjit për turizmit, në hartimin e Strategjisë së Turizmit 2014-2020 me ekspertë më të mirë të Organizatës Botërore të Turizmit, si edhe në promovimin e ofertës së saj turistike, ashtu edhe në rritjen e kapaciteteve në fushën e turizmit.

Panairi i Londrës është ndër panairet më të mëdhenj të turizmit në Europë, së bashku me atë të Berlinit dhe tërheq vëmendjen e mijëra kompanive në fushën e turizmit, ndërsa aty përfaqësohen pjesa e e madhe e 156 vendeve anetare te UNWTO nga e gjithë bota.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)