Një skandal i ri vë në siklet qeverinë e Keir Starmer: nuk ka përmasat gjigante të çështjes Jeffrey Epstein-Peter Mandelson, por rikthen në qendër të vëmendjes politikën e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht në raport me Kinën.
Tre zyrtarë laburistë janë arrestuar (dhe më pas janë liruar me kusht) me akuzën e spiunazhit në favor të Pekinit. Njëri prej tre tyre është bashkëshorti i deputetes së partisë në pushtet, Joani Reid. Ajo u distancua menjëherë, duke deklaruar se nuk ka “asnjë lidhje” me aktivitetet e bashkëshortit të saj dhe se nuk ka parë kurrë asgjë që ta bënte të dyshonte se ai mund të kishte shkelur ligjin.
Mbi të gjitha, theksoi ajo, nuk ka qenë kurrë në Kinë dhe nuk ka ngritur asnjëherë në Parlament çështje që lidhen me atë vend. Megjithatë, Partia Laburiste hapi menjëherë një hetim të brendshëm.
Për Starmerin, tashmë nën presion për qëndrimin ndaj luftës me Iranin dhe për skandalin Mandelson, ky është një problem që nuk i duhej: edhe sepse linja ndaj Kinës ka qenë tashmë objekt polemikash të fundit.
Së pari ishte çështja e dhënies së dritës jeshile për ambasadën e re gjigante kineze në Londër, e ndërtuar në zemër të Londrës dhe e dyshuar se mund të shërbejë si një qendër për përgjime të të dhënave sensitive. Më pas, një tjetër rast spiunazhi u mbyll nga Prokuroria, pasi qeveria refuzoi ta përcaktonte Kinën si një “kërcënim”.
Vetë kryeministri vizitoi Pekinin në janar (kryeministri i parë britanik që e bën këtë në tetë vjet), një udhëtim që solli pak rezultate dhe shumë poshtërime.
Si edhe në dosje të tjera, edhe në këtë rast Starmer përballet me një ushtrim të vështirë balancimi: nga njëra anë ai e konsideron të domosdoshëm një raport të mirë me Kinën për të ringjallur një rritje ekonomike të dobët, ndërsa nga ana tjetër është i vetëdijshëm se regjimi i Pekinit është i angazhuar në një fushatë agresive spiunazhi dhe infiltrimi në institucionet britanike, nga Parlamenti te universitetet dhe qendrat kërkimore.
Qasja e Londrës ndaj Kinës, në vitet e fundit, ka pësuar luhatje të dukshme, “nga epoka e artë” e shpallur nga ish-kryeministri konservator David Cameron në vitet 2010, deri te “epoka e akullt” e pasardhësve të tij.
Starmer përpiqet të ndjekë një rrugë të mesme pragmatike, por në fund ka nga ata që mendojnë se do të duhet të zgjedhë mes një elektrifikimi të ekonomisë me shtysë kineze ose një zhvillimi energjetik me bazë naftën të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për momentin ai përpiqet të mbajë këmbën në dy anë, por rrezikon që në çdo hap të rrëzohet nga raste si arrestimi i tre spiuneve të dyshuara laburiste./Corriere Della Sera
Komente










