Kryeministri britanik, David Cameron shpalli sot se ka miratuar shbllokimin e një fondi prej 300 milion sterlinash (378 milionë euro) për financimin e një projekti mbi kërkimin gjenetik mbi persona të prekur nga kanceri dhe sëmundje të rralla.

Ky projekt kërkimi synon identifikimin e gjenomeve të tumoreve dhe të qelizave të shëndetshme në më shumë se 75 mijë pacientë të prekur nga kanceri ose nga sëmundje të rralla si dhe studimin e atyre të të afërmve.
Për momentin, janë identifikuar mbi 100 gjenome dhe objektivi është të krijohet një hartë me 100 mijë të tillë deri në fund të vitit 2017.

"Këto kërkime do të bëjnë që Britania e Madhe të jetë në pararojë të kërkimeve gjenetike në botë", theksoi kryeministri britanik.

Studiuesit shpresojnë se identifikimi i kodit gjenetik mes një qelize të shëndetshme dhe një qelize kancerogjene do të mundësojë zhvillimin e trajtimeve më të personalizuara dhe efikase./ATSH/