Lorenc Vangjeli: Gjashtë këmbë për një prehër dhe prehëri i rremë i Ramës në kongres

Lorenc Vangjeli: Gjashtë këmbë për një prehër dhe prehëri i rremë i Ramës në kongres

Foto nga Kongresi i PS

Fjala e kryeministrit Rama në Kongresin e partisë së tij ishte një nga më të rëndësishmet e karrierës së tij. E ngjashme ndoshta vetëm me fjalën dramatike që mbajti në nëntorin e largët të nëntë viteve më parë, në krizën e improvizuar të armëve kimike siriane. Fjalimi 99 minutësh ishte i rëndësishëm jo për çfarë tha, por për çfarë e mendonte pa thënë. Jo aq për çfarë mendonte pa e thënë, por çfarë duket se është i detyruar nga rrethanat që të bëjë. Tufa lozonjare e torrollakëve të cekët që ka përballë dhe cinikëve profesionistë, të yshtur në yxhym nga urrejtja dhe jo nga logjika, tipat që gozhdojnë atë që flet, por i japin karar të mos gjykojnë se çfarë thotë, ju sulën me yrysh dhe urra presë së rradhës. Naivë si balenat që ndjekin në det fuçinë e peshkatarit duke harruar varkën e tij, ata kafshuan me rrokopujë grepin e kryeministrit. Që tani përton edhe t’i vejë karremin. Rasti klasik kishte të bënte sidomos me dy momente, me mundësinë e legalizimit të Cannabis-it për qëllime mjekësore dhe amnistinë gjithashtu të mundshme për emigrantët.

Të gjithë sulmonjësit antiCannabis, rëndom tipa të cekët me xhepa të thellë, u zhytën në internet dhe gjetën që në datën aq e kaq, Rama kishte thënë ekzaktësisht të kundërtën. Dhe me eurekën e rradhës nën sqetull, menduan se e shkurtuan të gjatin në pikën e tij të dobët: bën të kundërtën e asaj që thotë! Pa kuptuar të vërtetën e thjeshtë që çfarë bën dëm njëherë, mund të sjellë dobi herë tjetër. Përdorimi i aspirinës para dhembjes së kokës është marrëzi, siç nuk është gjë e mençur, refuzimi i saj në kokëdhembje. Thelbi është gjetkë. Njëlloj si në rastin e amnistisë, kryeministri tentoi të thotë që Shqipëria, nën peshën e tre fatkeqësive të njëpasnjëshme, tërmeti, pandemia dhe lufta në Ukrainë, është nën gjëmën e krizës. Financat e shtetit, ekuilibret ekonomikë apo e thënë thjeshtë, garantimi i rrogave dhe pensioneve, furnizimi me energji dhe spiralja e eksituar e çmimeve, janë kërcënim për të gjithë. Kryeministri tentoi të shpjegojë se po tentonte të gjente burime të tjera të ardhurash. E vetmja kritikë racionale me idetë e tij, ishte pikërisht ajo që askush nuk ja tha dhe që kishte të bënte me një seri pyetjesh. A ishin këto masat e duhura dhe dhe lëvizjet e mjafta, a do të ishin të mundura për t’u realizuar në praktikë, a ja vlente qeraja që mund të fitohej në krahasim me barrën që do të mbahej, a ka fusha të tjera më produktive dhe parasjellëse, sa mund të shkojë fatura, a janë garancitë e duhura që këto instrumente të mos përdoren nga krimi, e të tjerë e të tjerë.

Duke njohur urrejtjen si karburantin që frymëzon kritikët e tij, Rama as denjoi t’i konsiderojë këto përgjigje. Në të kundërt, arrogant dhe cinik, mendjemadh dhe i parrezikuar nga ta, i la të gjithë të dehen me aromën e Cannabis-it ligjor dhe shijoi faktin e pandryshueshëm që marrëzia është i vetmi fakt që nuk mund të aministohet me vendim qeverie. Dhe se mençuria nuk mund të fitohet as me shpallje dekreti presidencial.

Kongresi i PS nuk ishte ai që u pa në ekrane. Dhe as ai që u komentua në studio televizive. Ai ishte 99-shi i minutave të Ramës dhe kontrasti estetik mes mitingut të PD-së së Saliut dhe gallatës së Lulit. Në të parin delegatët ishin tifozë, në të dytin ndodhi mrekullia anatomike, ku për çdo prehër, kishte gjashtë palë këmbë! Kongresi socialist dëshmoi se Rama ende mendon se ai është prehëri i hekurt që mund të mbajë partinë dhe qeverinë mbi vete. Siç kanë bërë të gjithë përpara tij, që nga Zogu i Parë që mbeti edhe i fundit, nga Enveri, tek Saliu. Siç ëndërrojnë mbas shpinës së tij që të bëjnë të gjithë ata që e adhurojnë nga halli dhe e urrejnë me mall në Tiranë

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Filo: 14/04/2022 23:49

    Me ne fund nje shkrim per te qene. Nese e ka kaluar censuren Lorenci ne qe komentojme besoj jemi te "amnistuar"!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë