Lorenc Vangjeli: Të gjitha rrugët të çojnë tek Sokol Sadushi, aty është edhe Dumani e Metani

Lorenc Vangjeli: Të gjitha rrugët të çojnë tek Sokol Sadushi, aty është edhe Dumani e Metani

Sokol Sadushi, Altin Dumani dhe Artur Metani

Ka disa foto që qarkullojnë në internet që janë bërë në mënyrë krejt të papritur ushqim për politikën e ditës. Kryetari i Gjykatës së lartë Sokol Sadushi është fotografuar me shall të kuq në qafë në një aktivitet përkujtimor për Luftën e Dytë Botërore. Në krah të tij janë deputetë socialistë dhe të zgjedhur vendorë. Të tjera foto e tregojnë Sadushin me deputetë të PD-së, madje “skifterë” të mençur të rithemelimit. Kaq ka mjaftuar që po nga Rithemelimi, të tjerë “skifterë” të politikës të rimarrin në dorë flamurin e luftës ndaj institucionit. Duke thirrur madje në apel edhe kodin e etikës të KLGJ-së që e konsideron të papajtueshëm funksionin e gjykatësit me aktivitetet politike. Por a është kështu? A mund të kërkohet nga organet e drejtësisë të japin atë përgjigje të munguar prej tre dekadash e ca për qëndrimin ndaj Luftës së Dytë Botërore? A munden të japin ato “vendim” për këtë sherr të paprerë që e sheh luftën si pikë ndarëse dhe jo si vlerë, ku njëra palë, me orientimin e mençur antifashist të kohës përpiqet të justifikojë makabritetin e sistemit në gjysëm shekulli dhe pala tjetër, masakrimin çnjerëzor dhe kriminal të vuajtjeve gjysëm shekullore ta përdorë si alibi për zgjedhjen e gabuar gjatë luftës? A është fajtor Sadushi që nderoi atin e tij partizan dhe a do të quheshin të tillë ish-kolegët e Sadushit, njëra që nderon bashkëshortin e ekzekutuar, hero të demokracisë apo tjetri që nderon vëllanë martir të demokracisë, po në prani të personazheve politikë?

Ajo çka ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore dhe protagonistët e saj janë një nga pjesët më domethënëse të trashëgimisë së kohës moderne të gjithë njerëzimit. Lufta epike e vendeve të demokracive perëndimore, SHBA, Britania e Madhe, Franca, por edhe Shqipëria e vogël e modeste, pa përjashtuar kurrsesi as ish-Bashkimin Sovjetik, është një nga shembujt më të shkëlqyer të kurajos historike dhe sakrificës epike kundër nazifashizmit. Ajo rindërtoi themelet e të sotmes, gjithashtu të kërcënuar nga fashizmi i ri nacionalist rus. Por gjykimi i asaj që ka ndodhur 80 vjet më parë, duke u nisur nga pasojat katastrofike që prodhoi për gjysmën e globit që ra nën komunizëm, është një naivitet që e artikulon vetëm ekstremi i djathtë sot në Evropë dhe një pakicë revanshiste as e majtë e as e djathtë në Shqipëri. Tentativa e përsëritur dhe refreni qesharak i valëvitjes së flamujve të drobitur të ndasive të dikurshme që reken ta mbajnë ende Shqipërinë në llogoret e urrejtjes së Luftës së Dytë Botërore, nuk i shërben askujt. Madje ajo nuk i shërben as të vërtetës së thjeshtë që nuk ekziston më, me stilemën që ndan: socialistët si trashëgimtarë të ish-komunistëve dhe demokratët si flamurtarë të antikomunizmit. Sepse po të ishte për komunistët, ata feudalët e kuq dallkaukë të Enver Hoxhës, ata do të kishin pushkatuar të parin pa gjyq Edi Ramën, kryetarin e socialistëve, si tradhëtar ideologjik, kurse me të gjitha gjasat, Sali Berisha, kreu i demokratëve, do të ishte nga ana e kondakëve të automatikëve të skuadrës së pushkatimit.

Në fakt kjo është vetëm sipërfaqja. Thellë në logjikë, loja ka përmasë dhe natyrë krejt tjetër, të cilën as vetë një pjesë e lojtarëve nuk e kuptojnë. Ajo ka të bëjë në thelb me deligjitimin e sistemit të drejtësisë, një mulli me erë, krahët e të cilëve çojnë ujë vetëm në lumin e Ramës. Në thelb ai është rreshtimi grotesk në të njëjtin front të gjithë atyre që janë armiq me njëri-tjetrin në politikë, por përballë sistemit të drejtësisë shndërrohen në aleatë. Sepse i bashkon i njëjti hall!

Tre janë njerëzit që janë vënë në shënjestër të sulmit. E kanë nisur që në gusht, së paku, me kreun e ILD-së Artur Metani dhe përpjekjen për ta implikuar atë në aferën e inceneratorëve. Bombën e parë, si zakonisht, e hodhi Doktor Berisha, por shpërthimin e saj e brohorisnin në heshtje socialistët. Të gjithë së bashku, për arsye të njëjta, por me mjete të ndryshme ishin të pakënaqur nga Metani, funksioni i të cilit është, si të thuash, kryeministër i sistemit. Nga pozita e tij Metani mund mund të fillojë procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve. Të majtë e të djathtë, të paktën deri më tani janë të zemëruar krytesisht me prokurorët e SPAK-ut dhe ata kanë pritur, që Inspektori i lartë i drejtësisë të kontrollojë aktivitetin e tyre. Edhe pse i zëshëm publikisht, edhe pse shumë më shumë se dy të tjerët Metani ka shpjeguar sesi funksionon detyra e tij, ai ka lënë të pakënaqur edhe socialistët e heshtur, edhe demokratët që e sulmojnë, por që së bashku refuzojnë të kuptojnë realitetin e ri.

I dyti është personazhi i heshtur, figura gati-gati mitike e Altin Dumanit, kreut të SPAK. Në mënyrë të pabesueshme, me ardhjen e tij në drejtim, së paku për një gjë të gjithë janë të sigurtë: Pandëshkueshmëria, kjo kulturë kriminale e ngulitur në vite që i kishte dhënë imunitet aktorëve politikë dhe kleptomanëve në rradhët e saj, tashmë ka dhënë shpirt. Nuk ka më të pandëshkueshëm në Shqipëri pavarësisht emrit dhe postit. I vetmi problem për momentin është që edhe ata që publiku i njeh padyshime si djaj, kanë të të drejtë për standartet më të larta të procesit të rregullt gjyqësor. Ajo çka po ndodh me vetë zotin Berisha është sinjali më i qartë se çfarë mund të ndodhë nesër me këdo tjetër. Sepse sa kohë që njeriu i hekurt i tranzicionit, u detyrua të shkojë si Çeçua nën SPAK dhe u shkul nga zyra e tij në parti, gjithë të tjerët mund të shkulen lehtësisht nga rrënjët si pushi i grave kur depilohen.

I treti në rradhë është Sokol Sadushi, bir i një prej partizanëve të vjetër, që si për të vërtetuar se revolucioni ha bijtë e vet, u ndëshkua nga vetë komunistët një dekadë përpara se sistemi të jepte shpirt. I privilegjuar nga biografia në fëmijëri, Sadushi u shndërrua në të persekutuar në rininë e tij si bir i armikut të partisë. Por edhe ky detaj, nuk i vlen akuzatorëve të sotëm. Kush kupton sistemin e di mirë se në fund të fundit, pavarësisht se çfarë ndodh sot tek rruga e burgut 313, ku ka selinë SPAK-u, do të përfundojë nesër duke trokitur në zyrën e Sadushit si kryetar i Gjykatës së Lartë. Dhe në atë institucion, edhe SPAK-u, edhe të pandehurit, janë thjesht palë në një procedurë që i konsideron të barabartë përpara ligjit. Ndaj presioni për Sadushin sot po jepet paradhënie për atë që do të ndodhë nesër. Kjo është arsyeje se pse ai, një gjykatës karriere, është target i preferuar dhe do të jetë edhe më shumë i tillë për demokratët që bërtasin dhe për shumë socialistë të heshtur që hedhin gurë mbi të dhe fshehin dorën pas thashethemesh që ja pëshpërisin Ramës në vesh.

Gjithë pjesa tjetër është histori e përsëritur që të kujton atë parrullën e famshme të dikurshme të stalinistëve të djeshëm me teser që sot lexohet ndryshe: Mëkatarë të të gjitha ngjyrave, bashkohuni! Ngrihuni e bjerini Sadushit, Dumanit e Metanit se na morrën vilat tona! Nesër, kur metri katror i qelisë do të jetë shumë më i shtrenjtë se metrat e vilave dhe kilometrat e parave të grabitura, do të jetë vonë. Ndaj, bjeruni!/Java

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Juventusi largon kapitenin në janar, Danilo ka akord me Napolin

Juventusi largon kapitenin në janar, Danilo ka akord me Napolin