Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani deklaroi të mërkurën se prokurorët duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo shkelje profesionale apo etike, ndërsa theksoi se pavarësia në sistemin e drejtësisë nuk mund të funksionojë pa llogaridhënie, integritet dhe profesionalizëm.

Deklaratat u bënë gjatë një takimi që Metani zhvilloi me përfaqësues të Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, të kryesuar nga prokurori Gëzim Spahiu. Në takim ishte e pranishme edhe Zëvendësinspektorja e Lartë e Drejtësisë, Elena Pelushi.

Gjatë bashkëbisedimit, palët diskutuan mbi rëndësinë e pavarësisë së prokurorëve si një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës dhe të funksionimit demokratik të institucioneve.

Metani theksoi se prokurorët duhet të jenë të mbrojtur nga çdo ndërhyrje e padrejtë, por paralelisht me këtë duhet të japin llogari për mënyrën se si ushtrojnë detyrën.

“Prokurorët duhet të jenë të mbrojtur nga ndërhyrjet e padrejta, por njëkohësisht të mbajnë përgjegjësi për shkeljet profesionale ose etike. Vetëm përmes këtij ekuilibri mund të ndërtohet një sistem drejtësie i besueshëm, transparent dhe në shërbim të interesit publik”, u shpreh ai.

Në takim u nënvizua gjithashtu se pavarësia duhet të ecë paralelisht me përgjegjësinë, profesionalizmin, integritetin dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve dhe institucioneve. Pjesë e diskutimeve ishte edhe besimi i publikut te drejtësia që sipas palëve, forcohet përmes hetimeve të paanshme, zbatimit të ligjit dhe transparencës institucionale.

Nga ana e tij, kreu i Shoqatës së Prokurorëve, Gëzim Spahiu, prezantoi objektivat e organizatës së krijuar në dhjetor 2025, e cila synon të shërbejë si strukturë për trajtimin e çështjeve që lidhen me statusin dhe funksionin e prokurorëve në Shqipëri.

Palët ranë dakord të vijojnë dialogun dhe bashkëpunimin për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e besimit publik.