Lorenc Vangjeli: Veliaj i Rilindur dhe sindroma e Ali Pashë Tepelenës si vijë e kuqe

Lorenc Vangjeli: Veliaj i Rilindur dhe sindroma e Ali Pashë Tepelenës si vijë e kuqe

Erion Veliaj

Ka dy vija të kuqe që nuk duhen shkelur, janë dy akte që në Partinë Socialiste nuk i shfajësojnë kurrë: Karrierën e falur dhe suksesin vetjak! Vija e tretë e kuqe është e njëjtë, si për PS-në dhe për PD-në. Askujt nuk i lejohet të harrojë sindromën e Ali Pashë Tepelenës dhe berberit të tij. Edi Rama vetë e ka provuar dikur me mjekrën e Nanos; Basha e Olldashi, në mënyra ta ndryshme, kanë pasur punë me mjekrën e Berishës.

Në shumicën dërmuese të rasteve, mjafton dhe vetëm njëri nga këto dy mëkate ose dhe vetëm sindroma e Pashait të Jugut, që pjesa tjetër të shpërthejë në korr kundër viktimës së rradhës. Kështu ndodhi edhe me zbulimin e papritur të sekretit që e dinin të gjithë në Tiranë: disa drejtorë bashkie ishin kapur peng nga lakmia, arroganca, dalldia e pushtetit dhe banaliteti i vjedhjes së supozuar. Kjo mjaftoi që Erion Veliaj të bëhej shënjestër e sulmeve me shumë fronte, që përtej thelbit, ushqehen edhe nga lakmia për ta spostuar, nga arroganca e zakontë mbi njeriun në hall dhe dalldia e pushtetit mbi atë që quhet hallkë e dobët nga halli.

Erion Veliaj i plotësoi fatalisht të dy këto kushte. I përzgjedhur i Ramës prej më shumë se 20 vjetësh, karriera e tij e ka marrë shkëndijën dhe bekimin e parë nga vetë Rama. Pjesën tjetër ai e ka bërë kryesisht vetë. Herë duke përveshur mëngët në modelin e Obamës, herë duke u sjellë si politikan manuali në formë e herë duke zgjedhur të shfaqet si Princ i popullit nën hijen e mbretit socialist. Duke ju përshtatur në përmbajtje frymës së një partie që ka trashëguar emrin dhe antarësinë nga e shkuara, por që është rilindur në një krejt tjetër pamje prej së shkuarës. Javën e fundit, mbas arrestit të një numri bashkëpunëtorësh të afërt, Veliaj i zgjuar nga narkoza e operacionit vetjak, pati mundësi të shohë pa syze e një një dritë krejt tjetër, rreshtat e gjatë të njerëzve që i bën bashkë armiqësia e përbashkët e tyre me atë vetë.

Në poltronat e parë dhe më të dukshmit janë armiqtë tradicionalë në PD. Rrjedhoja të një mjedisi politik që sukses konsideron vetëm dështimin e kundërshtarit dhe anasjelltas, në PD nuk mund t’i falin Veliajt as gjuhën brisk dhe as brisqet me të cilat ai ju ka rruar votat në këto vite. Të lumtur të përfitojnë nga rrymat e helmeve të brendshëm në selinë rozë, opozitarët do ta kërkonin kokën e tij si trofeun më të rëndësishëm të betejës politike. Sepse Veliaj, ndryshe nga shumë kolegë të tij socialistë që mund të kalojnë gardhin e SPAK, është njeri politik. Shumica dërmuese e të tjerëve janë thjesht nëpunës politikë, por pa lidhje me këtë zeje.

Rreshti i dytë i armiqve i vjen nga partia e tij. Në PS ku ende e konsiderojnë “outsider”, janë të shqetësuar kryesisht për raportin me Ramën dhe shndërrimin e tij që prej gati dhjetë vjetësh në derën e pushtetit ku përplasen interesat kryesore ekonomike të aktorëve më të rëndësishëm në Tiranë. Duke nisur që me industrinë e ndërtimit dhe duke vazhduar me detajin ku mbeten zgjuar të gjithë djajtë e pushtetit: në ndërtimin paralel të një pushteti politik me epiqendër bashkinë e Tiranës. Ky lloj pushteti që po merrte pak nga pak formën e një partie politike në ambicje dhe trajtën e një pushteti ekzekutiv në përmbajtje, kishte shqetësuar shumëkënd në PS, ndokush prej të cilëve, edhe më i shqetësuar se të tjerët. Ai është i ngritur sipas modelit që vetë Rama kishte sendërtuar më parë, por duke mbetur ende në nivelin e kopjes që rreket t’i ngjajë origjinalit. Sepse ndryshe nga Rama dikur, suksesi dhe karriera e Veliajt në një piramidë ku Rama është njëshi i padiskutueshëm e nuk ka dysh nën të, renditja varet posaçërisht nga vullneti i kryeministrit. Ky ishte ngërçi i gjithkujt që mendonte/mendon ditën kur anarkisti i lirë brenda Ramës të vendosë të vrasë Ramën e burgosur në qeverisje.

Në PS u ngutën t’i venë flakën barbecue-s së festës dhe të hapin shampanjë të akullt duke e servirur të nxehtë edhe revanshin, edhe hakmarrjen, që sugjeron si pazar të mbarë edhe humbjen e një syri me kusht që kundërshtarit t’i qërohen të dy sytë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për rënien graduale të kryeministrave të republikës së drejtorëve.

Në mënyrë paradoksale, në rreshtin e armiqve të Veliajt janë edhe gazetarët më të rëndësishëm në vend, me të cilët ai ka marrëdhënie të tendosura. Edhe pse është përpjekur shumë, edhe pse i njeh personalisht të gjithë dhe me një shumicë dërmuese të tyre ka shkëmbyer jo vetëm shkelje syri, pavarësisht edhe marëdhënieve vetjake me pronarët e mediave, me këtë kategori gazetarësh Veliaj është në sherr të vazhdueshëm, edhe kur ndërton paqe të përkohshme. Makineria e tij tmerrësisht e madhe e propagandës ka shërbyer për të blerë kohë, heshtje, ndere të përkohshëm me ta, por jo “dashuri”, interesa afatgjatë, racionale dhe të qëndrueshme.

Padyshim që i gjithë ky konstelacion privat armiqsh politikë dhe kundërshtarësh estetikë, pavarësisht heshtjes së aktorëve ekonomikë me një peshë gjithmonë e më të madhe politike në vend, pavarësisht dritëhijeve që ka zhvillimi i Tiranës së sotme, ka arritur një kompromis të përkohshëm paqeje mes vetes për hir të luftës me Veliajn. Mbi të gjitha ai është i paqëndrueshëm. Përballë këtij koalicioni interesi, fati i Veliajt është një ekuacion që të ardhmen e lidh edhe me marrëdhëniet më të qëndrueshme që ai ka me “të huajt”. Askush tjetër në Tiranë, përveç Ramës, nuk ka ndërtuar si ai një rrjet kontaktesh edhe personale me njerëz që edhe pse pakkush i njeh në Tiranë, kanë ndikim jo modest në tiparet e Tiranës së ardhshme.

Kjo është java më e rëndë për kryetarin e bashkisë së Tiranës. Fillimisht ai ka nevojë për reflektimin e tij dhe rimishërimin e aleancës së vjetër me mentorin e tij Rama. Të dy kanë nevojë të rikujtojnë, por dhe disa të tjerë në PS nuk duhet të harrojnë, se berberi i preferuar i Ali Pashë Tepelenës nuk ka pasur fat të mbarë. Në PS është lodër e rrezikshme që të merresh me mjekrën e Ramës.

Veliaj duhet të luftojë dhe të lutet për të siguruar kohën si aleat, sa kohë që koha është armik me të gjithë në PS. Në ballafaqimin me drejtësinë ai ka vetëm një shans. Të kuptojë se politikanët nuk janë njëlloj si qytetarët e thjeshtë apo qoftë dhe drejtorët e tij përballë drejtësisë. Sepse ai, njëlloj si Rama, Balluku, Berisha, Meta, Kryemadhi, kanë tre nivele ndeshjeje për të shpjeguar fajësinë apo pafajësinë e tyre. Ata gjykohen në nivel politik, moral dhe së fundmi edhe penal. Për ta, madje, dy nivelet e para janë shumë më të rëndësishëm. Dhe sot Veliaj mund të pranojë së është dëmtuar politikisht, se është plagosur moralisht dhe se është i dënuar të fitojë sagën e tij penale. Për të, si dhe për Ramën, Ballukun, Berishën, Metën apo Kryemadhin, për shkak të pozicionit që mbajnë, nuk është i mjaftueshëm një grusht prokurorësh dhe gjykatësish për t’i gjykuar në këto tre shkallë gjykimi: për ta janë tre milion e gjysëm shqiptarë që votojnë që sillen si gjykatës për ta njëherë në katër vjet. Për paradoks, këtë aksiomë të paprovuar më herët, mund ta pohojë vetë rilindja e Erion Veliajt. Jo ashtu siç donte të ishte deri dje, por siç duhet të jetë nesër!

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mercenaret e tastieres: 08/04/2024 12:07

    Kercen prifti nga belaja. Njeri flet per stil burrash franceze, ky tjetri per berberin e Ali Pashes, por po vjen era burg per shume hajdute me kollare… Ka ngelur te shkruaje ndonje hartim edhe Mira Kazhani si ish-punonjese e Ujesjellesit.

    Përgjigju
  • vlonjati: 08/04/2024 10:36

    Te gjithe hajdutet pa perjashtim politik qe e kane vjedhur kete popull dhe ikane vene lakun ne fyt te denohen pa meshire.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve