SHKODËR - Një hap i shumëpritur dhe simbolik është bërë realitet në impiantin kryesor sportiv të qytetit. Pas 10 vitesh nga rikonstruksioni i stadiumit të Shkodrës, emri “Loro Boriçi” tashmë është vendosur në hyrjen kryesore, duke i dhënë stadiumit identitetin që meriton.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka qënë prezent gjatë procesit të vendosjes së emrit të stadiumit në hyrjen kryesore, ndërkohë që u shpreh se vendosja e emrit vjen pas disa ndërhyrjesh të realizuara në këtë impiant dhe në mjedise të tjera sportive, si pjesë e vëmendjes së shtuar ndaj infrastrukturës sportive në qytet.

Ky gjest, megjithëse simbolik, mbart një peshë të veçantë për shtëpinë e futbollit dhe për KF Vllazninë Shkodër, duke respektuar historinë dhe figurat që kanë lënë gjurmë në sportin shkodran.

"Ky moment vjen si vëmendje e shtuar ndaj infrastrukturës sportive dhe në mënyrë të veçantë stadiumit, le të shërbejë edhe si ogur i mirë për shpalljen e Vllaznisë kampione këtë vit", tha kryebashkiaku i Shkodrës.

Në kuadër të frymës festive të 107-vjetorit të KF Vllaznisë, është bërë edhe një thirrje për tifozët dhe komunitetin sportiv që të propozojnë që katër tribunat e stadiumit të mbajnë emrat e kolosëve të futbollit shkodran. Propozimet pritet t’i paraqiten së shpejti Këshillit Bashkiak për miratim.