Kompania fituese brenda 30 ditëve duhet të regjistrohet si subjekt shqiptar pranë organeve përkatëse të tatimeve .
INTRALOT PADITI MINISTRINE E FINANCAVE
Tenderi për privatizimin e së vetmes licensë të lotarisë kombëtare është nga më të kontestuarit në vend. Vetëm pak ditë më parë kompania greke “Intralot” hapi gjyq civil ndaj ministrisë së Financave ku kërkon përmes tij të gjithë dokumentacionin zyrtar në lidhje me procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e kritereve të vlerësimit për dhënin e licensës së lotarisë kombëtare dhe organizimin e procedurës tenderuese.
Kompania greke "Intralot" ka deklaruar edhe gjatë procesit të tenderimit për dhënien e licensës 10-vjeçare, qeveria shqiptare kishte vendosur dy kritere që skualifikonin paraprakisht të gjithë subjektet e mundshme dhe i plotësonte vetëm kompania "Austrian Lottery", por që vlenin vetëm për Austrinë dhe nuk kanë ndonjë vlerë të rëndësishme për vende të tjera.
TENDERI I KONTESTUAR DHE REAGIMI I OPOZITES
Ministria e Financave shpalli më 23 korrik të këtij viti renditjen paraprake të dy kompanive në garë, ku të parët ishin austriakët, kurse kompania e dytë LTO Consortium. Tenderi për lotarinë kombëtare ishte nga më të kontestuarit në vend, jo vetëm për sa i përket numrit të ulët të kompanive pjesëmarrëse, vetëm dy për një tender kaq të rëndësishëm, por dhe per faktin tjetër se dy kompani mjaft të njohura në fushën e lotarive, ajo greke Intralot dhe ajo turke Inteltek, i dërguan letra publike ministrit të Financave, Ridvan Bode, mbi një seri shkeljesh sipas tyre të konstatuara në tender.
Disa prej këtyre shkeljeve janë mospërcaktimi i një oferte financiare për tenderin, si dhe mospërcaktimi gjithashtu i një çmimi dyshemeje. I vetmi përcaktim çmimi që bëhet në vendimin e qeverisë është një vlerë prej 500 milionë lekësh ekuivalente me rreth 3.5 milionë euro që kompania që shpallet fituese duhet ta depozitojë në bankë për llogari të buxhetit. Ndërkohë që në Maltë e njëjta licencë është dhënë për një vlerë prej 39 milionë eurosh. Një tjetër pretendim i kompanive, ka qenë dhe ai se Ministria e Financave dhe qeveria shqiptare kanë paracaktuar fituesin. Sipas këtyre kompanive, një sërë dokumentesh që kërkohen në këtë tender, mund të ofrohen nga një numër i limituar kompanishë, duke përjashtuar një sërë firmash të tjera me eksperiencë në këtë fushë. Ajo që rëndom u cilësua skandal me tenderin e lotarisë kombëtare u denoncua dhe nga opozita, dhe jo vetëm përmes debateve të ashpra në Kuvend. Në një deklaratë të tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PS më 26 qershor, kreu i PS, Edi Rama, kërkoi madje dhe dorëheqjen e ministrit të Financave, Ridvan Bode. Po kështu, Rama i dërgoi një letër kancelarit austriak ku i kërkonte të ndërhynte për të shmangur një akt korruptiv dhe antiligjor ndërkombëtar. Socialistët kanë deklaruar se, në rast se vinë në pushtet, do ta anulojnë licensën.
(sg/shqiptarja.com)