LSI gjobë për teprinë e femrave
në listë,Kryemadhi kundër Ramës

LSI gjobë për teprinë e femrave<br />në listë,Kryemadhi kundër Ramës
Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të gjobitet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në respektin të neneve 67 dhe 175 të Kodit Zgjedhor.

Dhe pse këto nene janë vendosur me qëllim që të shtohet numri i femrave në listat për deputetë apo këshillat bashkiakë, LSI pritet të gjobitet çuditërisht sepse e ka tejkaluar normën, duke “diskriminuar” meshkujt.

Në listën e kryeqytetit, LSI ka kandiduar tre femra në kryesimin e listës, Klajda Gjoshën, Kejdi Mehmetajn dhe Floida Kërpaçin, ndërsa Kodi Zgjedhor thotë se 1 në 3 emrat kryesues duhet të jetë i gjinisë tjetër.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama shprehu gatishmërinë për të paguar gjobën me vlerë 10 milionë lekë të vjetra, por kjo është kundërshtuar nga Monika Kryemadhi, e cila e konsideron të paligjshme këtë gjobë dhe nuk i kursen kritikat ndaj Luan Ramës.

Po si i përcakton Kodi Zgjedhor kuotat gjinore? Neni 67, në pikën 6 dhe 7 saktëson këto ndasi. “6. Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini.

Subjekti paraqitës i listës deklaron vendet, sipas kuotës gjinore, me qëllim zbatimin e përjashtimit, sipas pikës 2 të nenit 164 të këtij Kodi. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, për çdo këshill bashkie, një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje duhet t’i përkasë së njëjtës gjini.

Subjekti paraqitës i listës deklaron vendet, sipas kuotës gjinore, me qëllim zbatimin e përjashtimit, sipas paragrafit të dytë, të pikës 2, të nenit 164, të këtij Kodi. 7. Në rast mospërmbushjeje të njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen, në lidhje me përbërjen e listës shumemërore KQZ-ja zbaton sanksionet e parashikuara në nenin 175 të këtij Kodi”,-thotë Kodo Zgjedhor.

Sanksionet në lidhje me barazinë gjinore saktësohen nga neni 175 i Kodit Zgjedhor, dhe gjoba për partinë që shkel kuotat gjinore, gjobitet 1 milionë lekë të rinj.

“1. Mospërmbushja nga ana e subjektit zgjedhor e detyrimeve të parashikuara në pikën 6, të nenit 67, të këtij Kodi, në lidhje me përbërjen e listës, dënohet nga KQZ-ja me gjobë 1 000 000 lekë si dhe sanksionin plotësues, sipas pikës 2 të këtij neni, në rastin e zgjedhjeve për Kuvendin, dhe me refuzimin e listës së partisë politike të kandidatëve për këshillat bashkiakë, për zgjedhjet për organet e pushtetit vendor.

2. Kur ndaj një subjekti zgjedhor është konstatuar shkelja, KQZ-ja zbaton si sanksion plotësues zëvendësimin e çdo vakance në listën e subjektit, në zonën ku është konstatuar shkelja, me kandidatët vijues në listë nga gjinia më pak e përfaqësuar deri në plotësimin e kuotës gjinore. Në rast se KQZ-ja vendos aplikimin e këtij sanksioni, përjashtimi i pikës 2 të nenit 164 nuk zbatohet dhe vakanca plotësohet sipas kësaj pike.

3. Sanksionet e përcaktuara në këtë nen vendosen për çdo zonë zgjedhore ku konstatohet shkelja”,-thuhet në Kod.

Dukshëm, në këto kushte LSI ka shkelur Kodin Zgjedhor, edhe pse ajo ka tejkaluar për mirë qëllimin e këtyre neneve të Kodit. Rrezikun e gjobës 1 milionë lekëshe, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama tha për median se LSI është e gatshme ta pranojë për të dhënë një mesazh. “Paradoks i ligjit! Po është një gjobë që ja vlen ta paguash për shkak të mesazhit që përcjell  dhe vlerës që përfaqëson lista e LSI-së në qarkun e Tiranës”,-tha Luan Rama.

Deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi është shprehur kundër kësaj deklarate të Luan Ramës. “Unë mendoj dhe besoj se LSI nuk është parti kuotash dhe as vasale e asnjë institucioni shtetëror.

E them këtë me bindje, sidomos pasi u njoha me deklaratën e Luan Ramës, i cili u shpreh i gatshëm të paguajë gjobën që KQZ ka vënë për shkak se 3 emrat e parë në listën e kandidatëve për deputetë të LSI janë gra dhe vajza.

Ndjej keqardhje dhe revoltë kur shoh që edhe një drejtues i lartë i partisë ku unë bëj pjesë mendon se përfaqësimi i grave në parlament është çështje kuotash. Jo i dashur Luan, LSI është parti vlerash dhe nuk i ndan ato në bazë të gjinisë, por të kontributeve.

Gjoba që je treguar i gatshëm të paguash në KQZ duhet ankimuar dhe denoncuar si një akt diskriminimi për punën dhe angazhimin që këto gra e vajza kanë dhënë per LSI, gjë që ti dhe unë e dimë më mirë se çdo KQZ apo institucion tjetër.

Ndaj si mike dhe bashkëpunëtore, të kërkoj të tërhiqesh nga ky vendim dhe të bashkohesh me qëndrimin tim dhe të të gjithë grave dhe vajzave të LSI që kanë punuar dhe punojnë me zell dhe devotshmëri për një Shqipëri më të mirë.

Sepse janë pjesë e asaj liste jo vetëm sepse e meritojnë, por edhe sepse me kontributin e tyre do të jenë aktive për tē ndërtuar një jetë më të mirë për të gjithë ne. Mikja dhe bashkëpunëtorja jote”,-përfundon Monika Kryemadhi.
  
Emrat e LSI për Tiranën
1- Klajda Gjosha
2- Kejdi Mehmetaj
3- Florida Kërpaçi
4- Endrit Brahimllari
5- Luan Rama
6- Klejdi Pojana
7- Ardi Çela
8- Ejona Bixha
9- Ylli Shehu
10- Edmond Rrushi
Etj. 
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, kanosi dhe i kërkoi 200 mijë € ish-deputetit Vladimir Kosta, arrestohet 24 vjeçari

Tiranë, kanosi dhe i kërkoi 200 mijë € ish-deputetit Vladimir Kosta, arrestohet 24 vjeçari