LSI kërkon shtrëngimin e kritereve
 për dhënien e koncesioneve 

LSI kërkon shtrëngimin e kritereve<br /> për dhënien e koncesioneve 
TIRANË - Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon shtrëngimin e procedurave për dhënien e koncensioneve. Në projektligjin më të ri të depozituar në Kuvend nga deputetët e LSI-së, parashikohet se asnjë koncesion nuk do të miratohet nëse nuk merr më parë pëlqimin e Ministrisë së Financave, asaj të Ekonomisë, si dhe të Avokatit të Shtetit. Në projektakt, parashikohet përfshirja e konceptit të “Vlerësimit të Alternativës”, që sipas përkufizimit në projektligj, “rregullon kompetencat e autoriteteve kontraktuese për të hyrë në marrëveshje koncesionesh/partneritetesh publike private, për investime të bazuara në koncesione/partneritete publike, si dhe përfshirja e aktorëve të tjerë në dhënien e këtij vlerësimi”.

Ndryshimet
Pas ofertave për koncesion, realizohet studimi i fizibilitetit të tyre. Sipas ligjit aktual, parashikohet se: Komisioni i dhënies së koncesionit/partneritetit publik-privat “harton studimin e fizibilitetit për koncesionin/partneritetin publik privat, përcakton procedurën e zbatueshme për dhënien e koncesionit/partneritetit publik privat dhe harton dokumentacionin e tenderit”. Dhe të gjitha këto përcaktime i atribuohen vetëm Komisionit të Dhënies me Koncesion, shpjegohet në relacionin që shoqëron projektligjin. Ndërsa, me shtesat në projektakt, parashikohet se komisioni, pasi harton studimin e fizibilitetit, e paraqet atë “për dhënien e vlerësimit të alternativës tek Ministria e Financave, Ministria që mbulon çështjet e ekonomisë dhe Avokatura e Shtetit”.

Pas kësaj, shtesat parashikojnë që institucionet e sipërpërmendura kthejnë përgjigje tek Komisioni brenda 30 ditësh nga marrja e kërkesës për vlerësimin e alternatives. Nëse Financat, Ministria e Ekonomisë dhe Avokati i Shtetit, “konfirmojnë leverdishmërinë ekonomike të koncesionit/partneritetit publik privat si alternativën më të leverdisshme ekonomikisht në krahasim me prokurimin publik, autoriteti kontraktues vijon procedurat e mëtejshme sipas këtij ligji. Në rast se këto institucione i vlerësojnë këto projekte si jo të leverdisshme ekonomikisht, autoriteti kontraktor ndërpret procedurën e dhënies së koncesionit/partneritet publik privat”. Një tjetër shtesë është edhe përfshirja e Kuvendit në dhënien e miratimit për procedurat koncesionare me kohëzgjatje mbi 4 vjet.

Argumentat
Arsyeja se pse kërkohet të përfshihen Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Avokatura e Shtetit në vlerësimin e ofertave, është sepse, “kontratat e konçesioneve/partneriteteve publike private në thelb japin të drejta afatgjatë për punë apo shërbime të Shtetit Shqiptar, kompanive private”, argumentohet në relacionin që shoqëron projektligjin. “Përpara se të vazhdohet me procedurën e koncesionit/partneritetit publik privat, është shumë e domosdoshme vlerësimi i projektit dhe mundësia nëse ky projekt mund të realizohet me një procedurë prokurimi standard.

Ministria e Ekonomisë, deri diku është e përfshirë në këtë vendimmarrje nëpërmjet ATRAKO-s, ndërsa përfshirja e Ministrisë së Financave gjykojmë se është e domosdoshme në dhënien e vlerësimit, pasi ky Institucion është përgjegjës për planifikimin e financave të shtetit e rrjedhimisht mendimi i këtij Institucioni në momentin e vlerësimit të studimit të fizibilitetit për dhënien e “vlerësimit të alternativës” do të ishte bazik në përcaktimin e fizibilitetit nga ana financiare, të një projekti koncesionar, në raport me një kontratë prokurimi. Po kështu, përfshirja e Avokaturës së Shtetit në këtë faze, do të ndihmojë procesin e “vlerësimit të alternativës” me një asistencë ligjore të vyer”, sqarohet gjithashtu në relacion. Siç e përmendëm më sipër, një tjetër shtesë lidhet edhe me ratifikimin e kontratave me kohëzgjatje me mbi 4 vjet.

“Për procedurat e koncesionit/partneritetit publik privat, kohëzgjatja e të cilave është mbi 4 vjet, kontrata hyn në fuqi pasi ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë”, është pika që propozohet të shtohet. Referuar relacionit, shtesa e kësaj pike bëhet pasi afatet më të gjata se sa 4 vite për kontratat koncesionare, janë afate zbatimi që kalojnë mandatet politike të maxhorancave dhe si të tilla imponojnë një përgjegjësi politike shtetërore afatgjatë dhe detyrimin e zbatimit të tyre korrekt ndër vite, pavarësisht çdo lloj ndryshimi të karakterit politik.

“Duke qenë se kontratat e koncesioneve/partneriteteve publike private, në thelb u japin të drejta afatgjatë për punë apo shërbime të Shtetit Shqiptar kompanive private, miratimi i këtyre kontratave koncesionare nga Kuvendi i Shqipërisë siguron maksimizimin e garancive ligjore dhe financiare për investitorët privatë në lidhje me projektet afatgjata ku ata kanë investuar, e rrjedhimisht shërben si bazë për thithjen e investimeve të tjera të mundshme, pasi investimet e tyre do të jenë me të sigurta”, vijon arsyetimi.


(Relacioni i LSI)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Të dielën Pashka Ortodokse, shqiptarët kthehen në atdhe për të festuar! Fluks në Kapshticë

Të dielën Pashka Ortodokse, shqiptarët kthehen në atdhe për të festuar! Fluks në Kapshticë