LSI: Ministri gjerman i njëanshëm
dialog për krizën pastaj koalicioni

LSI: Ministri gjerman i njëanshëm<br />dialog për krizën pastaj koalicioni
Kryetari i grupit të LSI, Luan Rama nga konferenca për shtyp që zhvilloi sot kërkoi që shumica duhet ti japë opozitës garanci për zgjedhje të lira.
 
"Ajo që duhet të bëjë politika është ti largohet marrëzisë dhe ti thërrasë përgjegjësisë dhe arsyes për zgjedhje sipas standardeve, ku qytetarët të kenë mundësi që të zgjedhin dhe jo vetëm të votojnë.
 
Përgjegjësia që ka shumica është dialogu me opozitën dhe përfshira e saj në zgjedhje, si kusht jetik
" u shpreh Rama.
 
Luan Rama: Dialog për zgjedhjet pastaj koalicioni
Nesër është afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve, por a do të shkojë në zgjedhjet e 18 qershorit LSI me PS?
 
"Kjo cështje nuk mund të jetë parësore, më lejoni të them që zgjedhjet janë të parat dhe ftojmë të gjitha partitë që të ngrihen në nivelin e përgjegjësive dhe të tjerat në kohën e duhur do ua bëjmë të njohur.

Është urgjente, e rëndësishme ulja e tryezës së dialogut dhe gjetja e një dialogu për të realizuar zgjedhje në të mirë të interesit të qytetarëve shqiptarë"tha ai.


Nano President? Përgjigja e Luan Ramës
Pyetjes nëse LSI ka një emër për kandidat për Presidentit, Luan Rama iu shmang duke theksuar se kemi shpresë dhe besim që opozita do të bëhet pjesë e procesit.
 
"Jemi ende me shpresën dhe besimin që opozita të bëhet pjesë e procesit, pasi të jepen garancitë për zgjedhjet dhe në afatet kushtetuese do të trajtohet me seriozitet
" tha ai.
 
Por a do të ishte Fatos Nano kandidaturë për President? Luan Rama përgjigjet se "Nuk kam cfarë të shtoj asnjë fjalë më shumë se Meta pas takimit me drejtuesit e PS".

"Ministri gjerman i njëanshëm"
Kryetari i grupit parlamentar të LSI komentoi edhe deklaratat e ministrit gjerman, Sigmar Gabriel, i cili i bëri thirrje opozitës të ndërpresë bojkotin e parlamentit.
 
"Qëndrimet e të huajve janë të dobishme për aq sa janë të balancuara, cdo njëanshmëri nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës.
 
Problemi është krijuar këtu për shkak të papërgjegjshmërisë së shqiptarëve dhe zgjidhja duhet të vijnë nga këtu. Boll kosto kanë krijuar në këtë vend për qytetarët shqiptarë, por dhe për tërë procesin marrëzitë politike, ka ardhur koha e përgjegjësisë politike
" tha ai.
 
Komisionet e Vettingut
Kryetari i Grupit të LSI, Luan Rama ka zbardhur emrat e deputetëve që do të propozohen për anëtarë në komisionet e Vettingut sot në seancën e pasdites në Kuvend.
 
Në komisionin e parë që përbëhet nga 12 anëtarë, 6 nga opozita dhe 6 nga shumica, LSI ka propozuar 2 anëtarë Luan Ramën dhe Silva Cakën, ndërsa për komisionin tjetër me 6 anëtarë, LSI ka propozuar Vangjel Tavon.
 
Pas publikimit të emrave, Luan Rama ftoi opozitën që të ndërpresë bojkotin dhe të rikthehet në Kuvend për të votuar ngritjen e komisioneve.

"Kjo nuk është thjeshtë përmbushje e detyrimit formal, por edhe njëherë dëshiroj që të apeloj për rëndësinë që merr pjesëmarrja e opozitës, pasi për shkak të bojkotit është bllokuar, dhe institucionet nuk po funksionojnë.
 
Prandaj dëshiroj të theksoj rëndësinë e dialogut për të kapërcyer këtë situatë
" deklaroi Luan Rama.

Konferenca e plotë e Luan Ramës

Pyetje nga gazetarët
 
Z. Rama, a do ta nënshkruani marrëveshjen e re me Partinë Socialiste meqenëse po skadon afati i regjistrimit në KQZ?
Problemi i madh në këtë vend janë zgjedhjet. Dhe detyrimi i madh që ka padyshim e gjithë klasa politike, por veçanërisht detyrimi i madh që ka mazhoranca, për shkak të përgjegjësive që ka si mazhorancë e votuar nga sovrani për të qeverisur dhe për të realizuar zgjedhje sipas standardeve është dialogu me opozitën, përfshirja e opozitës në zgjedhje, si një domosdoshmëri, si një kusht jetik i rëndësishëm, si një vlerë e një shoqërie të matur dhe të pjekur demokratike, pra për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.

Për të realizuar më në fund Shqipëria pas 27 vitesh një sagë problematike dhe shqetësuese me zgjedhje gjithnjë të kontestuara, zgjedhje sipas standardeve, zgjedhje të lira e të barabarta, transparente dhe ku secili aktor politik në garë të ketë mundësi të konkurroi dhe të shpalosë alternativën e vet.
Ajo çfarë duhet të bëjë politika në këto raste është t’i largohemi marrëzisë dhe t’i thërrasim arsyes dhe përgjegjësisë. Përgjegjësisë për të realizuar zgjedhje, edhe një herë e përsëris, sipas standardeve, zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta, zgjedhje ku qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin dhe jo vetëm të votojnë.

Ky është problemi i madh dhe Lëvizja Socialiste për Integrim gjithnjë ka apeluar, do ta vazhdoj ta apelojë dhe të ushtrojë të gjithë presionin e vet pozitiv dhe të jap të gjithë kontributin e vet për të realizuar dialogun e munguar dhe për tu sjell zgjidhjen që të gjithë e presin. Pra, zgjidhjen që vjen pas krijimit të bindjes dhe të besimit që zgjedhjet do të jenë të ndershme, të lira dhe të barabarta.

Pikërisht për këtë dialog Ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, tha se opozita duhet të kthehet në Parlament për ta kryer aty dialogun siç bëhet në çdo vend evropian. Cili është komenti juaj për thirrjen e ministrit gjerman për ta lënë bojkotin dhe njëkohësisht për të hyrë në zgjedhje?
Qëndrimet e ndërkombëtarëve janë të dobishme për aq sa janë të balancuara dhe konstruktive. Çdo njëanshmëri nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës. Problemi është krijuar këtu, problemi është krijuar për shkak të papërgjegjshmërisë politike të shqiptarëve dhe zgjidhja duhet të vijë nga dominimi i arsyes dhe i vetëdijes që interesat e vendit janë prioritare dhe për t’u shmangur edhe një herë e theksoj marrëzisë.

Boll kosto kanë krijuar në këtë vend për qytetarët shqiptarë por edhe për tërë procesin e integrimit të Shqipërisë, marrëzitë politike. Ka ardhur koha e përgjegjësisë politike dhe e arsyetimit mbi bazën e prioritetit që merr interesi i vendit dhe interesi i qytetarëve shqiptarë. LSI e ka bërë të qartë dhe ju mos prisni që unë të them sot, sepse nuk do ta dëgjoni asnjëherë, që interesi i LSI-së apo interesi i koalicionit është më i rëndësishëm se sa interesi i Shqipërisë. Është imperativ, është urgjent, është e rëndësishme ulja në tryezën e dialogut dhe gjetja e zgjidhjes për të realizuar zgjedhje në të mirë të interesit të qytetarëve shqiptarë.

A do të regjistroheni nesër për koalicionin me Partinë Socialiste për ët shkuar në zgjedhje së bashku?
Duke mirëkuptuar të gjithë kërshërinë tuaj këmbëngulëse për të vënë në rend të parë një çështje që nuk mund të jetë parësore në raport me zgjedhjet e lira, të ndershme, transparente, demokratike dhe sipas standardeve, më lejoni t’ju them edhe një herë, zgjedhjet janë të parat dhe ne jemi të angazhuar e ftojmë të gjitha partitë politike, në mënyrë të veçantë ato parlamentare, të ngrihen në nivelin e përgjegjësive që kërkon ky moment i rëndësishëm për fatet e vendit. Të gjitha të tjerat pastaj në kohën e duhur, do t’ua bëjmë të njohura me shumë seriozitet dhe më shumë transparencë gjithashtu.

Kjo çështje bëhet parësore për sa kohë që ka nisur numërimi mbrapsht i orëve për mbarimin e afatit ligjor. A do të ketë një takim midis z. Rama dhe z. Meta sot?
Ju i numëroni orët mbrapsht, unë i numëroj siç i ka bërë natyra të numërohen dhe në kohën e duhur dhe në momentin e duhur do t’ua bëjmë të ditura të gjitha qëndrimet tona publike dhe me shumë transparencë.

A ka LSI-ja ndonjë emër për të propozuar për postin e Presidentit të Republikës në bashkëpunim edhe me koalicionin qeverisës?
Nuk kam çfarë të shtoj për çështjen e Presidentit të Republikës asnjë fjalë më shumë nga sa ka mbajtur qëndrimin e njohur publik Kryetari i Kuvendit, njëherësh edhe Kryetar i LSI-së pas takimit që ne zhvilluam me lidershipin e Partisë Socialiste.

Përse nuk keni paraqitur emra kandidatësh bashkë me PS-në për raundin e parë dhe ekziston mundësia që ju t’i digjni të pesta seancat?
Kryetari i Kuvendit, njëherësh Kryetar i LSI-së, e bëri të qartë publikisht pas takimit me lidershipin e PS-së qëndrimin e tryezës së asaj dite, pra të takimit PS-LSI apo LSI-PS, në lidhje me çështjen e Presidentit, duke nënvizuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes me kontributin e vetë në këtë proces të rëndësishëm edhe të opozitës.
Kështu që për sa kohë jemi ende me shpresën dhe besimin që ekzistojnë mundësitë që opozita të ehët pjesë e procesit pasi të jepen garancitë dhe besimi që zgjedhjet do të jenë sipas standardeve, nuk ka arsye të nxitohemi dhe ta paragjykojmë këtë proces që në kohën e duhur dhe sipas afateve kushtetuese do të trajtohet me shumë përgjegjshmëri, me shumë seriozitet ashtu siç e meriton çdo vendimmarrje që ka të bëjë me kryetarin e shtetit. 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg