LSI, Vasili: Vendimet e qeverisë
Berisha do rishikohen të gjitha

LSI, Vasili: Vendimet e qeverisë<br />Berisha do rishikohen të gjitha
TIRANË - Nënkryetari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili ka dalë në një konferencë për mediat, të cilën e ka përcaktuar se ka qëllim kryesor problemin e 37 familjeve rome të Rrugës së Kavajës, të mbetura prej ditësh pa strehë, rrugëve, pasi u ka dalë pronari.  Vasili ka propozuar që "zgjidhja e vetem dhe logjike është që pushteti qendror dhe ai lokal të bashkëpunojnë dhe çdo orë të jetë e vlefshme dhe mos humbet kohë me procese burokatike, që rëndojnë imazhin e një vendi indiferent për një qeveri në ikje, por që ka përgjegjësi". Më pas ai është pyetur nga gazetarët edhe mbi të gjitha vendimet e papublikuara kohët e fundit të qeverisë, mbi kalimin e ndërtesës së SHQUP (Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë) si seli e PD dhe mbi spastrimet në administratë.

VENDIMET E QEVERISË DO RISHIKOHEN
I pyetur nga gazetarja e "A1 Report", Joniada Koçi mbi vendimet e fundit të pazbardhura të qeverisë, Vasili mbajti qëndrimin e LSI, se këto janë veprime të dënueshme, pasi "vendimet duhet të jenë akte të hapura dhe transparente”. Ai premtoi se të gjitha vendimet e qeverisë në ikje do të rishikohen nga qeveria e re. “Procesi i verifikimit të çdo vendimi të qeverisë duhet të jetë i kujdeshshëm, gjakftohtë dhe pa pasion. Çdo vendim që ka respektuar interesat e shqiptarëve dhe në përputhje me legjislacionin do të lihet. Por ai që është në dëm të interesave të shqiptarëve do të zhbëhet në rast se është i tillë”, deklaroi Vasili.

USHTARAKËVE NUK DO T'IU MERRET SHQUP-I
Duke bërë të qartë se shpreh edhe frymën e gjithë mazhorancës për sa i përket protestës së ushtarakëve për shndërrimin e SHQUP në seli të PD, Vasili u shpreh në mbrojtje të ushtarakëve. "Ne mendojmë të përmirësojmë gjendjen e ushtarakëve e jo t’u marrim ndërtesa, që janë historike për ta", tha ndër të tjera Vasili.

Ai e ka quajtur këtë vendim si, të nxituar dhe të gabuar. “Vendimi për SHQUP është i nxituar, i gabuar, bie ndesh me përmirësimin e strukturave të FA të një vendi anëtar i NATO-s, që kërkon përmirësime e ambiente gjithnjë e më moderne. Fakti qe qeveria merr vesh pas 23 qershorit, që selia e PD është në pronë private është qesharak”, deklaroi Vasili. Duke shtuar se "çdo mungesë transparence në publikimin e akteve të qeverisë është i dënueshëm, sepse këto akte duhet të jenë transparente dhe të hapura, jo vetëm për mediat, por dhe për publikun e gjerë".

KQZ DUHET TË RIFORMATOHET
"Çështja e KQZ është shqetësimi i LSI-së në veçanti, por edhe një shqetësim që i takon gjithë politikës shqiptare që nuk përfaqësohet më në KQZ. Thënë më ndryshe, përfaqësohet vetëm pjesa e qeverisë në ikje. Si i tillë, KQZ ka legjitimitet të cunguar, ndaj duhet që KQZ  të riformatohet, të jetë solid, i besueshëm, të mos mbeten zgjedhjet elementë të menaxhimit të 5-6 javëve të fundit, por të kemi zgjedhje që janë ngjarje të një dite", u shpreh Vasili.
 
NE, JO REVANSH, HAMARRJE, NXJERRJE MËRISH DHE INATESH NË ADMINISTRATË
"Refuzoj të përdor termin spastrim. Kjo nuk ka lidhje fare me mentalitetin e mazhorancës së re, është tërësisht i gabuar dhe nuk tregon thelbin e një qeverie europiane", ka nisur përgjigjen e tij Petrit Vasili i pyetur mbi "spastrimet e përfolura në administratë.

"Gjithçka që do të përvijohet në muajt në vazhdim do jenë shembuj të legjilsacionit. Hakmarrja, revanshi nuk është dimensioni ynë, nxjerrja e mërive dhe inateve nuk është dimensioni ynë, por vënia në efiçencë e administratës është dimensioni ynë", ka shtuar ai më tej, duke theksuar edhe që "nuk do bashkëjetojmë me një amdinistratë që fle, që abuzon, por do ta vëmë në efiçencë të plotë".

"Në të gjitha rastet do kemi udhërrfyes legjislacionin shipqtar. Askush nuk do jetë i rrezikuar nga hakmarrja politike. Testi i tij do jetë raporti i tij me plotësimin e detyrave. Në bazë të ligjit ka vlerësime në mënyrë të përvitshme në përputhje me ligjin. Ata që në mënyrë korrekte zbatojnë ligjin, të bëjnë punën.  Koha e revansheve ka mbaruar. Nuk jemi për të aplikuar 24 njëshet, që dikur aplikoi PD. Ky është një qëndrim që çdo shtet normal ka ndaj administratës së tij", u shpreh Petrit Vasili.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza