Sami Ukshini njëri prej tre udhëheqësve të grupit të armatosur të cilët u dorëzuan mbrëmë, ka qenë pjesë e bisedave të përgjuara e të bëra publike nga lideri i opozitës, Zoran Zaev pak kohë më parë. Ajo çfarë ka ngjallur interes tek publiku ka qenë fakti se në bisedat e përmendura, Sami Ukshini bisedonte me liderin e PDSH-së Menduh Thaçi.

Në thelb të saj, biseda nuk përmban asgjë interesante apo komprometuese përveçse vërteton njohjen mes këtyre dy personave. Nga partia LSDM, autore e këtyre përgjimeve pohohet se biseda në fjalë e cila mban datën 28 shkurt 2012 mund të pasohet nga publikime të regjistrimeve të tjera mes Ukshinit dhe Thaçit në ditët në vijim. 

PDSH ka reaguar pas këtij lajmi duke pohuar se kryetari i saj Thaçi ka biseduar më Sami Lushtakun, kryetarin e komunës Skënderaj të Kosovës. Sipas televizionit Alsat të Maqedonisë, familjarët e Lushtakut e kanë mohuar kategorikisht bisedën mes këtyre të dyve.

Sipas analistëve të ndryshëm, biseda të tilla janë ende të paqarta dhe synojnë të pështjellojnë dhe largojnë vëmendjen nga kriza e thellë politike që ekziston aktualisht në Maqedoni por që me siguri do sqarohen nga zhvillimet e ardhshme apo përgjimet e pretenduara që gjenden në “sirtarët” e Zaev.