“Ministri Xhafaj vendosi në zbatim planin për ekstradimin e Nazer Seitit drejt Italisë. Ministria e Drejtësisë nuk e ndaloi ekstradimin, por e lejoi. Ministri duhet të bënte verifikime nëse kishte pengesë, por nuk e bëri. Ministria është vetëm 500 m larg nga burgu ku mbahej Siti, por edhe nga Krimet e Rënda, ndërsa nuk verifikoi, shkeli ligjin. E miratoi ekstradimin për 24 orë duke finalizuar skemën e firmosur nga Xhafaj. Seiti do të fliste për paratë, për eurot me të cilat u blenë gjerdanët për familjarët e Tahirit dhe 20 mln euro që kaluan nga Seiti në duart e Tahirit, që Rama të blinte zgjedhjet. Te 313 ka një qeli që është lënë bosh, e vetme ajo qeli nuk iu mban të gjithëve” tha Enkelejd Alibeaj.
Ministrja Gjonaj u shpreh se nuk ka kompetenca për verifikime dhe hetime për të vendosur në diskutim vendimin e gjykatës që iu vendos në dispozicion, ndërsa sipas saj, nuk ka asnjë pengesë ligjore për ekstradimin që është bërë. E gjithë zhurma, thotë ministrja, po bëhet për të sherrin e radhës, pasi opozita është kundër reformës në drejtësi.
“Kauza e opozitës nuk qëndron. Kërkoni arsyen e radhës për sherr. Për ekstradimin është ndjekur e njëjta procedurë si në shumë raste të tjera më parë. Kam zbatuar si të gjithë paraardhësit, përfshirë edhe ata që motivi politik kundër reformë në drejtësi i ka ngritur kundër meje. Ka një vendim gjykate të formës së prerë të përcjellë nga Prokuroria e Përgjithshme për një person të kërkuar nga prokuroria e Katanias për grupin Habilaj.
Ministria disponon ekstradimin vetëm në bazë të një vendimi gjykate dhe dokumentacionit që vërteton prokuroria dhe gjykata, nuk mund të kryejë veprime hetimore dhe verifikime dhe të vendosë në diskutimin zbatimin e vendimit të një gjykate, që e përcakton qartë që nuk ka asnjë pengesë ligjore për të penguar ekstradimin. Çfarë kërkoni nga unë? Përveç sebepit për të bërë një sherr të radhës dhe zhurmë. Përparësi i jepet shtetit ku ka më shumë prova dhe hetimet janë më të zhvilluara dhe ku ndodhet e gjithë banda” tha ministrja.
Por, deputeti i PD Enkelejd Alibeaj e cilësoi si mëshirë fjalimin e Gjonajt në Kuvend, ndërsa u shpreh se ‘nuk do të ketë mëshirë për ty’. Gjonaj replikoi sërish duke thënë se gjithçka po e bëni për të penguar reformën në drejtësi. Ndërsa Enkelejd Alibeaj deklaroi se “sot do të depozitoj kallëzim penal për ministren e Drejtësisë dhe rrugë e mbarë të qoftë për te 313”.
Hisotria e ekstradimit
I njohur si financieri i grupit ‘Habilaj’ për trafikun e drogës Shqipëri-Itali, Seiti u ekstradua në Itali më 25 janar. Ky vendim u kundërshtua ashpër nga opozita, e cila tha se mazhoranca largoi dëshmitarin kyç të bandës, ku sipas saj, ishte i implikuar dhe ish-ministri Saimir Tahiri.
Në reagimin e saj, ministrja e Drejtësisë sqaroi se ekstradimi i Seitit u lejua nga Gjykata e Tiranës, me arsyetimin se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të mos e lejuar ekstradimin në Itali të Seiti. Kjo deklaratë tensionoi edhe më shumë politikën, ku ish-kryeministri Sali Berisha bëri thirrje për arrestimin e Gjonajt, me prentedimin se ka firmosur ekstradimin e këtij shtetasi, duke e cilësuar këtë vendim aktin më të rëndë të drejtësisë.
Në të njëjtën linjë ishte dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ku njoftoi se nga shqyrtimi paraprak i ngjarjes, konstatohet se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për të verifikuar dyshimet e arsyeshme të ngritura në media dhe në opinionin publik për shkelje në procedurat gjyqësore të ekstradimit dhe që mund të përbëjnë shkelje disiplinore të gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në këtë çështje të bujshme, që mori përmasa të gjera politike, u përfshi dhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila nisi verifikimin për procedurat e ndjekura nga Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Krimeve të Rënda, ndërsa nga ana tjetër, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për dorëzimin e Seitit te shteti italian.
Reagimi më i fundit për këtë çë shtje ishte nga ministri italian i Drejtësisë, Andrea Orlando, i cili falënderoi Shqipërinë për ekstradimin, duke thënë se Tirana ka respektuar Konventën Evropiane.
Tashmë, kjo çështje do të vërë sot përballë deputetëve të opozitës ministren e Drejtësisë, e cila pritet të sqarojë ngjarjen. Ndërsa, senanca pritet të shoqërohet me debate dhe përplasje, ashtu si dhe një javë më parë, ku opozita bllokoi foltoren, duke detyruar kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, të përjashtojë kreun e grupit të PD, Edmond Spaho.
(Rendi i ditës në seancën e sotme plenare)
d.c/d.b/shqiptarja.com