Konsullata shqiptare në Bari nxjerr disa këshilla se si të mos bien viktima të vjedhjeve.

Siç raporton Konsullata, ditët e fundit ka marrë disa denoncime nga emigrantët që ishin vjedhur nga persona ende të pa identifikuar. Madje Konsullata ka marrë vetë iniciativën të ngrejë shqetësimin e emigrantëve pranë autoriteteve italiane.

Sipas njoftimit të Konsullatës të gjitha rastet grabitjet janë kryer gjatë lëvizjes me automjetet e tyre, kur këta janë të ndaluar në semaforë, në kryqëzimet e rrugëve, në daljet e para nga autostrada e të gjitha këto që lidhen me Portin e Barit.

Grabitje janë kryer dhe në Via Napoli në Bari, në qendrat tregtare, në zonën e Bari Vecchia (qendra e qyteti), në pikat e karburantit. 
Konsullata sugjeron për emigrantët që rrezikohen nga vjedhjet të telefonojnë policinë italiane në numrin 113.

Njoftimi i plotë:

Nisur nga denoncimet e bëra nga qytetarët shqiptarë që paraqiten në Konsullatën tonë konstatojmë me shqetësim rritjen e rasteve të grabitjeve në Bari (Itali), në këtë periudhë.

Theksojmë se grabitjet nuk kanë për fokus vetëm qytetarët tanë, por duke qenë të huaj janë më shumë të shënjestruar nga hajdutët. Konsullata ka bërë takime me autoritetet përkatëse ne Kuesturën e Barit, për të vënë më tepër patrulla policie për sigurinë gjatë udhëtimit për shtetasit tanë.

Vendet:Pothuajse të gjitha rastet e grabitjeve janë të kryera gjatë lëvizjes me automjetet e tyre, kur këta janë të ndaluar në semaforë, në kryqëzimet e rrugëve, në daljet e para nga autostrada, telepasset, e të gjitha këto që lidhen me Portin e Barit.

Grabitje janë kryer dhe në Via Napoli (Bari), në qendrat tregtare, në zonën e Bari Vecchia (qender qyteti), nëpikat e karburantit, etj.

Karakteristika: Duke qenë se shumica e shqiptarëve udhëtojnë me shuma të mëdhaparash, kursime vjetore, grabitësit kanë arritur të vjedhin shuma të konsiderueshme parash cash, karta krediti, florinj, pasaporta, dokumenta e sende të tjera.

Grabitjet janë kryer duke hyrë me dhunë në veturë, duke iu hapur dyert në prani të vetë qytetarëve, me ose pa maska, me persona me motorr e të mbuluar me kokore, me sulm me makine nga pas, duke provokuar aksident për t’i çorientuar apo dhe në vendparkime.

Me gjithë angazhimin e Konsullatës për të patur një vëmendje më të madhe nga ana e autoriteteve policore në Bari, sugjerohet ndërgjegjësimi i vetëqytetarëve që të marrin masat e të jenë më vigjilentë gjatë udhëtimit të tyre drejt portit apo qëndrimit në pikat e përmendura më lart.

I këshillojmë qytetarët:

- të bllokojnë dyert e makinës gjatë lëvizjes,

- të shmangin parkimin në zonat e cilësuara të rrezikshme,

- mos të mbajnë me vete shuma të mëdha parash cash,

- mos t’i ekspozojnë çantat apo portofolet e tyre gjatë pagesës së telepassit apo në pikat e karburantit,

- të mos mbajnë sende të çmuara që mund të tërheqin vëmendjen,

- gjatë parkimit të mos lënë çanta mbi sedilje,

- pasagjerët në krah të shoferit të mos mbajnë çanta në prehër.

Të nderuar qytetarë, në rast se bini viktimë e nje vjedhje , kontaktoni menjeherë me Policine e shtetit italian në numrin 113, bllokoni menjëherë kartat tuaja te kreditit, si dhe kontaktoni me Konsullatën shqiptare për çdo vështirësi me dokumentacionin e grabitur apo për ti’u ofruar ndihmë me komunikimin me autoritetet vendase.

Konsullata e Barit
kKonsullata e Barit
Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com