Reforma në drejtësi mbetet një prioritet për SHBA. Kështu deklaroi ambasadori amerikan Donald Lu gjatë një takimi me ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, ndërsa ka vlerësuar vendosmërinë ndaj afateve të përcaktuara nga qeveria shqiptare për realizimin e reformave në drejtësi.
 
Gjatë takimit ministri Naço ka vlerësuar asistencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes projekteve të akorduara ndër vite, të cilat kanë mundësuar rritjen e kapaciteteve në drejtim të ndërmarrjes së reformave.

Naço e informoi ambasadorin Lu se që në nisjen e mandatit të tij në krye të drejtësisë shqiptare, është orientuar drejt thellimit të reformave që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, fenomene që janë vërejtur me problematikë edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
 
Numri një i drejtësisë vlerësoi me rëndësi asistencën që mund të jepet përmes shkëmbimit të eksperiencës me FBI-në dhe DEA-n, të cilat mund të jenë present në vendin mes asistencës së ekspertëve të tyre.
 
Ministri Naço e ka njohur ambasadorin Lu edhe me takimet që ai ka zhvilluar pranë Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë, duke shprehur mirënjohjen për vëmendjen e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj proceseve reformuese në Shqipëri, të cilat lidhen me politikat e sundimit të shtetit ligjor.



Redaksia Online 
(g.f/Shqiptarja.com)