TIRANË, 17 Nëntor/ATSH/-Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, me ftesë të Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare, mori pjesë në aktivitetin përkujtimor të organizuar në nder të çlirimit të Tiranës.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-se, Luan Rama, pasi vlerësoi rolin dhe kontributin e partizanëve dhe të popullit në luftën kundër pushtuesve nazifashiste, u shpreh se "Historia nuk shkruhet, historia bëhet. Dhe historinë e kanë bërë partizanët shqiptarë, historinë e kanë bërë ata që falën gjakun dhe dhanë jetën e tyre për çlirimin e atdheut dhe askush nuk do të mund as të errësojë, as të zvogëlojë dhe aq më pak, të mohojë rolin dhe kontributin atyre. Por, ne nuk jemi nga ata që nderojmë një pjesë të historisë dhe të mohojmë apo më keq akoma, të anatemojmë pjesën tjetër të historisë. Sigurisht, Shqipëria quhet antifashiste për shkak të luftës që bëri, por luftën e bënë partizanët, nuk e bënë as ballistët, as zogistët, as bashibuzukët e tjerë, të cilët edhe në kulmin e luftës dhe të sakrificave të popullit, bënin llogari pushteti", theksoi ai.
Po ashtu, Rama tha se"Sot është një ditë vërtet e veçantë, ashtu siç është 70- vjetori i çlirimit një ditë e veçantë për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë, sepse ishte kurorëzimi i luftës më të lavdishme dhe më heroike që ka bërë populli shqiptar gjatë gjithë historisë së vet të mbushur me luftëra dhe me sakrifica. Por, Lufta Antifashiste Nacional- Çlirimtare është më e lavdishmja, sepse u kurorëzua me çlirimin e atdheut. U kurorëzua me lirinë e popullit që i hapi rrugën më pas zhvillimit të gjithanshëm të shoqërisë shqiptare për të mbërritur tek Shqipëria që ne kemi sot",
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të L.A.N.Ç, Rustem Peçi, vlerësoi sakrificën e popullit të Tiranës në mbështetje të luftës dhe të forcave partizane në betejën heroike për çlirimin e kryeqytetit. "Lufta e Tiranës ishte një ndër operacionet më të mëdha, më të rëndësishme dhe më të suksesshme që kanë zhvilluar njësitë e Ushtrisë Nacional- Çlirimtare kundër pushtuesve dhe tradhetarëve të vendit për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë. Në këtë luftë një kontribut të rëndësishëm dha populli i Tiranës dhe të gjithë të ndjehemi krenare, sepse Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që u çlirua nga forcat e veta", theksoi ai. /i.v//a.ke/








