Publicisti Luan Rama: Kamera e Ilia Tërpinit linte gjurmë të dritës e të jetës

Publicisti Luan Rama: Kamera e Ilia Tërpinit linte gjurmë të dritës e të jetës

Foto - nga dita e parë e xhirimit tê filmit 'Të Paftuarit'

Ilia ishte një këngë gëzimi, pasi të rrije me të në sheshet e xhirimit, të udhëtoje me të nëpër malet shqiptare, të xhiroje një reportazh, të flije në një dhomë me të, ai të jepte padashur një lloj entuziazmi. Kishte një vështrim të çuditshëm për jetën, edhe pse jeta jonë ishte e trishtë. 

Mbaj mend kur me të dhe Kujtim Çashkun, në një shi të rrëmbyeshëm dhe menjë «gaz» kinez, mbërritëm një muzg në Bulqizë dhe kur nga dritarja e hotelit pamë çuditërisht yje në një qiell. Por ne sapo ishim ndarë nga ai qiell i errët e plot vetëtima. Jo, nuk ishin yje, por fenerë në telat me gjemba të kampit të burgosurve që punonin poshtë në minierë… Dhe ne do nisnim xhirimet e atij dokumentari, një xhirim i vështirë, 300 metra nën tokë, por Llui, siç i thërrisnim ne, veshur me çizme filmonte minatorët e trishtë dhe hynte në bisedë me ta. 

Kishte një lloj dashurie të madhe Llui qe e ndante dhe me të tjerët. Në galeritë e Bulqizës, trishti kthehej në një lloj dëshire për jetën. Me Lluin të gjithë kishin dëshirë ta kishin në filmat e tyre, dokumentarë apo artistik: humori i tij e kthente lodhjen ne një gjendje të gëzuar. Kisha gjithnjë dëshirë të shkoja në kabinën e tij të operatorit, një kabinë e mjerë, e ngushtë, ku njeriu mezi mund të rrotullohej, por aty ishin hirësitë e Lluit, fotografitë e tij artistike që s’mund të tregoheshin jashtë, një sup i zhveshur, një qafë e bukur gati hyjnore, vajzëria në mrekullinë e vet, dhe drita e fotografisë që kishte arritur ta kapte atë që quhet magjike, brenda atij aparati të vogël, në “camera obscura”, ku mjeshtri arrinte të ngjizte mrekullinë e tij. Gjithçka linte gjurmë aty, gjurma e dritës, jetës. 

Ky njeri gjithnjë në lëvizje, në nxitim, sikur donte të ecte para kohës, që të mund ta fiksonte kohën njerëzore në çastin kur para tij do shfaqeshin njerëzit, objektet, dashuritë, ashtu si një Xiga Vertov, gjithnjë me hapin e madh për të përshkuar distancat gjeografike dhe ato njerëzore.

Cuditërisht, nga Normandia, mora vesh se miku ynë Ilia e kishte mbyllur aparatin e tij që kurrë nuk e shqiste nga dora. Ai vdiq papritur në Parisin që aq shumë e donte. Të dashurosh një vend si Franca dhe të vdesësh në të, një koincidencë e veçantë, ashtu siç kishte ndodhur me Oscar Wilde, Jim Morisson e shumë të tjerë të mrekulluar nga Parisi, kjo «festë e pambarrimtë» siç e quante Hemingway.

Të vdesësh, kështu, dhe dhimbja për familjen dhe miqtë e tij është më e lehtë, pasi në udhën që është nisur, drita e fotografive dhe e filmave që ka realizuar do ta shoqërojë gjithnjë. Më duhet të kthehem nga Normandia t’i jap përshëndetjen e fundit mikut tim të dashur. Ndoshta aparatin e ka ende me vete pranë tij si një ogur për jetën tjetër…

(Botuar me shkurtime)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën