Luan Starova: Në moshën 50 -vjeçare kisha ëndërr sesi nëpërmjet letërsisë të kthehem në atdheun tim

Luan Starova - akademiku, shkrimtari i shumëgjuhësisë” ka qenë tema e veprimtarinë shkencore kushtuar veprës krijuese e studimore të akad. Luan Starovës në 80-vjetorin e lindjes që u mbajt sot në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Akad. Skënder Gjinushi Kryetar i Akademisë së Shkencave mbajti fjalën e mirëseardhjes.

Ai theksoi se Luan Starova që në krye të herës zgjodhi të bëjë emër si krijues në Paris, ku ai nisi karrierën shkencore me mbrojtjen e doktoratës, dhe 50 vjet më pas kjo kryeqendër e kulturës botërore e vlerësoi me çmimin më të lartë të Francës në letërsi, “Margaret Yourcenar”.

Një model të rrallë të harmonizimit të fuqisë krijuese me dinjitetin njerëzor, e quajti akad. Gjinushi Luan Starovën. Ai tha ndër të tjera se gjatë gjithë kësaj periudhe akademi të shkencave dhe universitete të ndryshme kërkojnë ta bëjnë të vetin Luanin tonë dhe Akademia jonë, e cila ndihet e nderuar që e ka prej vitesh në trupën e saj si anëtar të jashtëm.

“Letërsia dhe studimet e Luan Starovës duhet të përfshihen sa më parë në programet universitare. Çdo letërsi e popujve të Ballkanit dhe të Europës do ta kishte quajtur veten me fat ta trajtonte këtë trashëgimi të tij si të vetën. Pasuritë shpirtërore nuk janë si ato materiale, që ndarja i zvogëlon. Pasuritë shpirtërore sa më shumë të ndahen me të tjerë aq më tepër shumëfishohen. Letërsia e Luan Starovës duhet të bëhet pjesë qenësore e shkollave doktorale, si një prej rrugëve më efikase për të realizuar studime të thelluara jo vetëm për vendin e saj në historinë e re të letërsisë shqipe, por edhe për pozicionin që i takon në letërsitë ballkanike dhe europiane.”, tha ndër të tjera akad. Skënder Gjinushi.

Akad. Ali Aliu (Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës) në kumtesën me temë “Një sagë ballkanike me pikënisje sagën familjare shqiptare; në qarqet romanistike të kulturës shqiptare” kujtoi se Luan Starova ka lindur në Pogradec më 1941 dhe më vonë në vitin 1943 familja e tij u shpërngul në fillim në Strugë e më vonë në Shkup, ku jeton edhe sot. U shkollua në gjuhën maqedonase. Si student gjuhës dhe letërsisë frënge, punoi një kohë si gazetar. Më vonë u pranua asistent në katedrën e gjuhës dhe letërsisë frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit, në të cilin ka qenë profesor i rregullt i letërsisë frënge. Akad. Ali Aliu foli për karrierën e mëtejshme të Luan Starovës në misionet diplomatike dhe u ndal në krijimtarinë e tij, ku theksoi se Starova ka botuar rreth 20 romane dhe vepra të tjera siç janë vëllimet me tregime dhe poezi. Ndërsa foli për veprimtarinë e gjerë të shkrimtarit, duke e konsideruar letërsinë e tij si një kthim tek rrënjët, Ali Aliu tha ndër të tjera se Luan Starova është afirmuar si një ndër njohësit më të mirë të veprës letrare dhe gjuhësore të Faik Konicës, i cili për shumë vite pati lidhje letrare dhe miqësore me Apolinierin, paraardhës i surrealizmit dhe modernizmit europian. Mbi këtë bashkëpunim, Luani ka mbrojtur tezën e doktoraturës në Zagreb.

Akad. Vasil S. Tole, zëvendëskryetar i ASHSH, me kumtesën “Polifonia dhe “Polifonët” si rregullatorë të jetës tradicionale”, tha se romani “Polifonët” është një himn për jetën tradicionale dhe për traditën muzikore shumëzërëshe si mekanizëm artistik i paqes midis njerëzve. Aq e fortë është ndjesia dhe harmonia shpirtërore që formësohet prej këndimit, saqë edhe kur familja që trajtohet në roman shpërndahet e për pasojë shpërndahet edhe ansambli muzikor i saj , e vetme nëna e mbetur në shtëpi i rikthehet kohës kur ansambli muzikor familjar ishte i plotë dhe kur zërat e tyre gjenin njëri- tjetrin, ashtu siç gjaku i të afërmit tërheq. (Citim: Nëna këndonte me zë të ulët në mes të netëve këngën e vjetër të babait, e cila lidhej me kohën kur për herë të parë ne e kishim kënduar atë së bashku si familje, të vetëm, por tashmë dhe ajo në pritje të zërit të dytë, zërit të babait tim….)

Prof. dr. Fatmir Sulejmani (Maqedoni e Veriut) me kumtesën  “Trigjuhësia në veprën e Luan Starovës” dhe dukuria e autopërkthimit foli për vlerat e veprës e stilit të shkrimtarit që është e aftë të mbartet me gjithë forcën dhe bukurinë e saj në maqedonisht, frëngjisht e shqip.

Akad. Matteo Mandalà e konsideron veprën “Saga ballkanike” të Luan Starovës si një vepër që krijohet në kërkim të identitetit të humbur.

Dr. Arian Leka në kumtesën me temë “Dalja prej klaustofobisë mito-historike në romanin “Bregu i mërgimit” të Luan Starovës tha ndër të tjera se kërkimi metafizik i daljes prej klausofobisë së përgjithshme shpreh lidhjen mito-historike mes njerëzve dhe “lëvizjes së ngjalave, që magjepsin njeriun. Nga natyra në shoqëri lidhja pohon se njerëzit e çdo kohe, rendi apo sistemi që, njëlloj si ngjalat shtegtojnë edhe sot duke mos i njohur as paraardhësit dhe as pasardhësit e vet (“Emigrimi i ngjalave”)

Nga ky këndvështrim saga romanore e Luan Starovës e në veçanti “Emigrimi i ngjalave” dhe “Bregu i mërgimit”, shndërrohen në topografi të konvergjencës së historive të miteve. Kulturat e popujve mbijetuan brenda një sistemi të sofistikuar domethëniesh, përmes të cilave një familje shkulur nga rrënjët mbron identitetin e prejardhjes. Kjo tërësi mitesh bën që “Emigrimi i ngjalave” apo “Bregu i mërgimit” të pushojë së qeni një sagë vetjake emigrimi…, tha dr. Arjan Leka. 

Akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor në ASH, mbajti kumtesën “Vepra e Luan Starovës në receptimin prej kritikës letrare frënge”. Ai tha se shkrimtari i shumëgjuhësisë , siç është quajtur me të drejtë në programin e kësaj konference është një fenomen i rrallë në historinë e letërsisë shqipe, ballkanase e atë europiane.

Në letërsi Luan Starova është shkelës kufiri me precedent rrezikshmërie. Shumë herë ka ndodhur që Europa moderne herë me vetëdije tipike neokolonialiste, herë me difidencë dhe me vetëkënaqësinë e zbulimit të botëve më të prapambetura, t’i drejtohet Ballkanit. Vepra e Luan Starovës ndjek një rrjedhë të përkundërt. Ajo është një vepër që e tejkaloi kompleksin e kufirit shumë kohë para se kodi europian i bashkimit të formulonte kushtin: nëse fqinji thotë “po”. Jean Arnault Derens studiues i njohur francez, do të shkruante tri dekada më parë në “Le Monde diplomatique” për një virtyt të trashëguar për të jetuarit mbi kufij në familjen Starova, duke cituar fjalët e nënës: Biri im, mos u shqetëso për nënën tënde dhe kufijtë: e gjithë jeta jonë është vetëm një kufi…

Veprimtaria vijoi me kumtesat e  Dr. Eris Rusi (Korçë), "Letërsi përmbi kufirin gjuhësor; të prof. asoc. dr. Eldon Gjikës, “Ndriçimi i një miqësie intelektuale; si dhe me kumtesën interesante të dr. Virion Graçit (Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë), “Mitet familjare si liri humane dhe vizion krijues romanor: Luan Starova dhe M. Dyras, A. Kamy, Zh. P-Sartre, I. Kadare”.

Në fund të veprimtarisë Luan Starova falënderoi Akademinë e Shkencave për veprimtarinë jubilare dhe tha se kjo akademi është vërtetë një tempull i dijes për shqiptarët.

Starova tha ndër të tjera se: Në moshën 50 -vjeçare kur shumica e krijuesve përsërisin veten, unë kam pasur një ëndërr sesi nëpërmjet letërsisë të kthehem në atdheun tim. Letërsia më ka mbështetur t’i qasem sa më shumë realitetit shqiptar. Unë shpesh e quaj ekzilin si fatlum që më nxiti që përmes strategjisë letrare të kthehem në vendlindje. Duke shkruar mes dy gjuhëve një pjesë më kanë thënë se luan me dy zjarre, por unë nuk luaj me zjarrin që të djeg, luaj me zjarrin që të ngroh, tha akad. Luan Starova, duke shtuar se “Unë kam 20 romane të rishkruar në shqip, që për mua janë pasuria më madhe që kam, sepse atdheun e marr gjithnjë me vete.

 

I.K/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë