Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, është shprehur se nuk është harta territoriale ajo që shuan zjarret apo që mban ndezur dritat e rrugëve, por sipas saj, harta vendos nëse do të ketë bashki të afta për të ofruar këto shërbime.
Komentet Luarasi i bëri gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku tha se shpopullimi i Shqipërisë nuk ka nisur me hartën territoriale të vitit 2014, por sipas saj është më i hershëm.
Sipas Luarasit, Shqipëria duhet të ndërtojë bashki që ofrojnë shërbime dhe jo të jenë prezente vetëm si zyra.
Për Luarasin, ulja e numrit të njësive vendore nuk ndikon te shpopullimi dhe për këtë ajo mori shembullin e Danimarkës, që sipas saj e ka ulur numrin e komunave nga 271 në 98.
"Shpopullimi që është një nga plagët e këtij vendi, kërkon një shpjegim më serioz, sepse nuk lindi me hartën e vitit 2014. Nga censi i vitit 2001 te ai i vitit 2011, popullsia ra rreth 8%. Kjo vazhdoi edhe pas 2014-ës. Kjo na detyron që të ndërojmë bashki që të ofrojnë shërbime dhe jo vetëm zyra. Nëse do të ishte e vërtetë se hartat i nxirrnin njerëzit nga vendi, atëherë Danimarka që i uli komunat nga 271 në 98, sot do të ishte bosh, ndërsa danezët janë ende aty. Ajo që ndodhi me bashkitë pas 2014-ës është diçka e matshme. Shpenzimet vendore u rritën me 170%, të ardhurat u rritën me 250% dhe detyrimet e prapambetura ranë me rreth 75%. Nuk mendoj se është harta territoriale ajo që shuan zjarret, apo ajo që ndez dritat e rrugës. Harta vendos nëse do të ketë bashki të afta që i mbajnë këto shërbime apo jo", tha mes të tjerash Luarasi.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- ‘Territorialja’/ PD: Po asgjësoni 15 bashki pa konsultim! PS: Asnjë shërbim nuk largohet! Kushi i mbyll mikrofonin, Braçe nuk liron foltoren: S'është reformë, u shkelën parimet








