Dihet që Fatos Lubonja përpiqet në çdo sekondë të tregohet si mbrojtës të drejtash, s’ka rëndësi, të tokës, të qiellit, të homoseksualëve, apo të ozonit. Mjaft të jenë të drejta, sipas tij, e mbi të gjitha të jenë kundër të tjerëve (ndonjëherë s’është keq). E çuditshme është se sillet gjithmonë si një i mbilartë, si mbinjerëzor, si mbishqiptar. Ja psh, i del në krah Gjykatës së Hagës dhe i turret Rramush Haradinajt (me këtë rast edhe drejtuesve të Shqipërisë), e cilëson vrasës serbësh e shqiptarësh, romësh e ortodoksësh. Gjatë luftës. Kjo është e rënda.

Nëse Haradinajt i provojnë qoftë edhe një krim pasi Kosova u çlirua, atëherë jo vetëm në Hagë, por edhe në Nuremberg ta çojnë. Por për sa i takon kohës së luftës...Në luftë nuk ka shtet. E kur nuk ka shtet, nuk ka ligje. E kur nuk ka ligje, ka vetëm instikt. E kur ka vetëm instikt, ai është i mbijetesës në rradhë të parë, i shpëtimit në rradhë të dytë, e i fitores në rradhë të tretë. Çduhet të bënin luftëtarët e UÇK-së, gjatë kohës që serbët bënin masakra dhe shpërngulje, t’i hidhnin në gjyq, apo të prisnin sa të shuheshin treçereku i kosovarëve dhe pastaj të venin në Hagë.

A ka lexuar ndonjëherë Lubonja se si u sollën aleatët, paraardhësit e “të drejtave të njeriut” me gjermanët që po kapitullonin, gati zhdukën totalisht Drezdenin dhe Hamburgun, me njerëz e me kafshë. Nuk i mban mend bombat atomike të Nagasakit dhe Hiroshimës. Ishte kohë lufte dhe atëherë, por piloti i “Enola Gay” u prit si hero pas urdhërit të presidentit Truman. Apo luftërat e njëpasnjëshme të bëra mes shtetesh të ndryshme në Mijëvjeçarin e kaluar e në këtë që po jetojmë. (Për ta bëhen filma, Lubonja i shikon, për “këta të njerkës” kërkon mban qëndrim dhe kërkon të mbahet qëndrim).

Jo vetëm për justifikimin bajat shekullor, “fitimtari nuk gjykohet”, por me arsyen e madhe se, në luftën për mbijetesë nuk ka kriminelë. Në palën sulmuese po, mund të gjesh kriminelë, e vrasës. Lufta s’është filozofi për të mbrojtur të drejtat e atij që ke përballë me pushkë. Pastaj çështë kjo dëshirë kaq e madhe për të ç’mitizuar nën siglën se kështu bëhemi evropianë. S’mund të jemi evropianë si shqiptarë? Po siç e ka nisur Lubonja e ka fare të thjeshtë; le ta nisë nga Skënderbeu, tradhtar i turqve që e rritën, Ali Pasha, tradhtar i Portës që e bëri me spaleta, Ismail Qemali, tradhtar i parlamentit turk që e bëri kryetar, Avni Rustemi, terrorist që shpraz armë në Paris, Mehmet Shehu kriminel i rregjur që vrau me dorën e tij dhjetëra italianë e gjermanë, e ta përfundojë me Adem Jasharin, kaçak malesh.

Çfarë pret ky Lubonja nga një popull që ka kulluar gjak për 100 vjet me rradhë? Si mendonte ky se duhet të silleshin kosovarët me atë që ishte përcjellësi i urdhërit të Milosheviçëve, e me ata që pa iu dridhur qerpiku i çonin kosovarët në duart e tyre. Nuk është punë, atdheu e kombi, megjithëse edhe atdheun edhe kombin individët e bëjnë, e jo malet e fushat, është punë mbijetese. Por ndoshta Lubonjës nuk i ka fërshëllyer ndonjëherë plumbi tek veshi, nuk ia kanë djegur ndonjëherë shtëpinë, apo të tjera më të rënda (shyqyr) dhe e ka të thjeshtë sot, pas 14 vjetësh të bëjë habi në revista duke harruar se ai qielli i Evropës që thotë Lubonja ka dalë nga tytat e armëve e nga shumë më tepër se çmund t’i ngarkojnë me të drejtë e pa të drejtë Rramushit.

A është kaq “e detyrueshme” për Lubonjën të shkruajë përherë kundër rrymës shqiptare dhe në linjë me globalistët, pacifistët e ata që gjejnë gjithmonë gabime tek të tjerët. Si nuk e dëgjuam njëherë këtë Lubonjën të ngrejë zërin tek miqtë e tij italianë, apo më tutje për kapitenin e anijes “Sibila” që vrau me dashje në 1997 dhjetëra shqiptarë, gra, djem e fëmijë, të ngjeshur në pak hapësira të “Katrit të Radës” që udhëtonin paqësisht drejt Italisë me të drejtën e jetës. Nuk është kjo mbrojtje e të drejtave të njeriut? Si nuk dëgjuam një fjalë për ato çka bënin kufitarët grekë me shqiptarët e arratisur maleve.

Pse Lubonja paska kaq shumë besim tek ç’thotë e ç’shkruan Carla del Ponte e të tjerët? Unë nuk njoh ndonjë tjetër të ketë kaq pak dashuri për vendin e tij, ashtu siç është, me të mirat e të këqiat e tij. A, nëse Lubonja ka fakte për Haradinajn, gjithmonë për pas lufte, Kosova është shtet, ka institucionet e saj, mund ta denoncojë, e më pas të shkruajë edhe në revistë përkrah të tjerëve. Por të shkruash qesim vetëm pse ta kërkojnë, kjo më duket pak e pandershme. Edhe Shqipëria natyrale nuk është më ide tabu. Dhe ata që janë shqiptarë gëzohen që pas qindra vjetësh nuk është më e tillë.

A entuziazmohet ndopak Lubonja me këtë fakt, qoftë edhe vetëm si ide?  E përsa u takon drejtuesve të shtetit tonë, që takuan Haradinajn, e që Lubonja habitet pse e takuan se ata i njohin “krimet” e tij, besoj se si Berisha, si Rama, si Meta e si gjithë të tjerët, kanë pasur diçka parasysh; Shqipëria për ta, bashkë me Kosovën, vlejnë shumë herë më tepër se një Karla Del Ponte, një Gjykatë Hage, një Rramush, dhe gjithë ata që në një botë plot me gjemba kërkojnë që toka e tyre të pjellë vetëm trëndafila.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.07.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)