Luçiano Boçi reagon pas humbjes së thellë më 14 maj: Më në fund u çliruam

Luçiano Boçi reagon pas humbjes së thellë më 14 maj: Më në fund u çliruam

Luçiano Boçi

Luçiano Boçi, i cili ishte në garë për bashkinë e Elbasanit nën siglën e koalicionit Berisha-Meta ka reaguar pas humbjes në zgjedhjet e 14 majit duke nisur me frazën “Më në fund u çliruam”.

Boçi thotë se humbja ishte e madhe për shumë njerëz që humbën dinjitetin, votën apo dëshirën për të bërë diçka ndryshe në politikë. Boçi shprehet se nuk ka ndryshuar terrori politik pasi në vend të plumbit, njerëzit kundërshtarë ‘vriten’ nga papunësia apo me shkatërrim investimesh.

Një koment e bën edhe për raportin e OSBE-ODIHR-it duke thënë se nuk do kuptohet asnjëherë se cfarë nënkuptojnë. Shkrimin e mbyll duke shkruar: “Zoti i bekoftë… zgjedhjet!”

Reagimi i plotë

GOD BLESS…ZGJEDHJET
Zgjedhjet u kryn!
Më në fund u çliruam.
Çlirimi duket se do njihet si dikur nga të gjithë aleatët tanë.

Disa fituan. Fituan si fituan, me para, me dhunë apo me truke kompjuterike, ata sot tundin me krenari të shpifur parrullën shtegdalëse: “Fituesi nuk gjykohet” (shpikësi i saj duhet të ketë qenë fitimtari më i dëshpëruar i historisë dhe i planetit)
Fituan karriget, interesat, sigurinë e mos hyrjes së gjembit në këmbë. U lehtësuan disi nga mëkatet e fajet e mbishpinës e fundshpinës.
Disa shumë, ata më fatkeqët, fituan më në fund atë, varfërinë e sigurtë, që siç duket është qëllimi final i jetës së tyre.
Shumë humbën: dikush përfundimisht dinjitetin për aspra administartive, ose situative. Dikush humbi votën, dikush drejtimin e dëshirat për të bërë diçka ndryshe në moçalin e molepsur të politikës.
Shumë humbën shpresën e besimin se këtu nuk do valviteshin më flamujt e një melankolie dhe depresioni unik ekonomik e social.

Të tjerë dolën ashtu siç hynë. Verbërisht, nën kompleksin e Stokholmit, duke ndjekur me shterim admirues dhunuesin sistematik të qënies fizike e kulturore të tyre.
Edhe Hoxha bënte zgjedhje, për të vendosur zgjedhën dhe ai. Jo votime se vota nuk ekzistonte, sikurse sot është ose virtuale, ose në formë kartmonedhe.
Pothuaj si këta tani e bënte Hoxha. Por me kokrra që kërcisnin me qëllim që t’i kërciste plumbin pas koke, siç dhe bëri. Dhe me triska fronti që t’i rreshtonte të gjithë në një front. Asnjë dallim nga sot veçse Fronti Demokratik sot quhet Administratë Demokratike. Aso kohe Hoxha ishte një “yll” kombëtar e ndërkombëtar dhe armiqtë e supozuar ideologjike të tij e kaluan dhe pranuan terrorin që ai vendosi me një shkelje syri e ca deklarata të qullta.

Vitet kanë kaluar dhe “moderniteti” ynë kombëtar (pjesë e krenarisë së pakufishme) ka ecur paralel me faqet pa pikë faqe, online, që shiten e blihen në të njëjtën linjë për të prodhuar propagandë pa fund dhe mbi të gjitha për të prodhuar atë që preferon më shumë, si gatim të shijshëm, shoqëria jonë e botës së tretë: sharje dhe shpifje pa fund për armikun e klasës së fejsbukut.
Ai që s’ka ndryshuar është terrori politik.
Plumbi ka dalë jashtë mode krejt dhe është zevendësuar me një industri perfide shtetërore hakmarrje dhe persekutimi, e cila ngjan si trëndafil i ngjyrosur instagrami, por që është një mekanizëm diabolik kontrolli dhe detyrimi i kushtëzuar. Tani nuk vritesh por rrezikon të mbetesh pa punë ti dhe familjarët. Nuk deportohesh, por survejohesh, linçohesh publikisht, gjobitesh në mënyrë “të drejtë” e dashamirëse. Aq më tepër sot je i lirë të vetëarratisesh ku të duash e si të duash. Mjafton mos prishësh qetësinë e lumturisë që sundon kudo. Nuk pushkatohesh por të merret prona, shkatërrohet investimi e çdo gjë tjetër si komisioner rrugaç e i pabindur, kundërshtar i shtetit tonë demokratik.

Armiqtë ideologjikë të Hoxhës edhe sot shkelin syrin e japin viston e shprehen për një proces zgjedhor të pranueshëm demokratik (çfarë komedie gjigande!?).
Ndoshta zgjedhjet tashmë e kanë kaluar stadin e votës dhe operojnë në sfera më të larta, që nuk shihen, por që duhet të kuptohen e ndoshta ata që humbën nuk e kanë kapur ende kohën.
Ndoshta zgjedhjet kanë ndryshuar dhe qëllim: nuk janë më si dikur: shpresa e projekte zhvillimore, por thjesht një masë korrektimi “demokratike” e fabrikuar, me heshtje ndërkombëtare, për të pabindurit të cilët ende naivisht mendojnë se themeli i një shoqërie demokratike është vota.

E gjithmonë në arsyetimin që nuk mbyllet, të del përpara ajo pyetja:
Cili nga sistemet bën zgjedhje të drejta?
Ai me votë-kokërr, apo ky me votë-kartmonedhë?!
Raporti i OSBE-ODIHR-it do ta thojë me patetizmin nanuritës të tij të pakuptuar asnjëherë e do na e heqë dilemën tonë demokratike-shekspiriane.
Me siguri me gjuhën e rrumbullakosur e cila nuk ka as fillim dhe as fund!

Kështu do të sanksionojë regjimin demo-dramatik shqiptar.
Deri atëhere:
GOD BLESS … ZGJEDHJET!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Broja: 21/05/2023 02:29

    Me vite te tera, keni te njejtat fjale dhe akuza. Si njehere nuk pranoni humbjen, qe perseriten vite me radhe. Duhet ta dini, se me Berishen ju nuk keni per te fituar. Ju e dini se ay ka qene Dora e djathte e Hoxhes, qe nga viti 1968.

    Përgjigju
  • Bravo: 20/05/2023 19:18

    Eshte e para here qe e degjoj kete person qe te flas kaq bukur, drejt dhe me rafinatese. Sikur te fliste me kete lloj ligjerate me pare, mbase edhe do kishte fituar, por ai fliste si berisha, me gjuhen e berishes, Jo me mendjen e tij…dhe humbi. Ndaj i dashur Luciano, perdor mendjen tende, eshte padyshim me e bukur se ajo e berishes se sterdjegur. Lanço platformen tende mbi keto baza qe ke vënë ne kete ligjedatë e ndërto një kauzë të vërtetë, se vetëm kështu do mund të ndiqesh nga shqiptarët…që edhe ose juve ju duket ndryshe, Nuk janë budallenj.

    Përgjigju
  • Ramazan Lala: 20/05/2023 18:37

    O Öuçjano Poçi djegur si nuk folët njëher në jetën tuaj tamam por vetëm flisni idjotizma pa fund. Po thuaj njëhe= si burr populli Shqiptar shumica sna do. Për pislliqet që i kemi bër kti populli. E prandaj populli Shqiptar na hodhi në plera siç bëri USA me sekretarin e partis së punës shokun Sali Berisha.

    Përgjigju
    • Mondi: 21/05/2023 00:34

      Nuk kuptoj,pse e ka quajur veprimin e kandidimit per kryebashkiak luciano okupim sikur shkoi i detyruar per te kandiduar dhe kur humbi thelle thote u cliruam nga kush u clirua,duket u clirua nga saliu qe e ka detyruar te kandidoi jasht deshires tij.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale