Lufta/ Bombardimet në Liban, një tjetër sulm ndaj forcave paqeruajtëse të UNIFIL, raportohet për 4 ushtarë të plagosur në bazën italiane! Reagojnë Meloni e Borrell

Lufta/ Bombardimet në Liban, një tjetër sulm ndaj forcave paqeruajtëse të UNIFIL, raportohet për 4 ushtarë të plagosur në bazën italiane! Reagojnë Meloni e Borrell

Baza italiane e forcave paqeruajtëse të UNIFIL në Liban, e goditur nga predhat

Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore me predha dhe artileri të rëëndë në zonën e Libanit, ku pretendon se po bombardon baza të Hezbollahut, teksa edhe ky i fundit është kundërpërgjigjur.

Por për të disatën herë është goditur baza e forcave paqeruajtëse UNIFIL të OKB-së dhe këtë herë raportohet për të paktën 4 ushtarë italianë të plagosur dhe dëme të shumta materiale.

Për herë të tretë në shtatë ditë, selia italiane e Shamës goditet nga konflikti në Libanin jugor. Teksa herët e kaluara kishte pasur dëme materiale, sot (22 Nëntor), njoftohet për 4 ushtarë të plagosur lehtë. Të plagosurit janë ushtarë të “Brigadës Sassari” dhe kanë marrë plagë të lehta, raporton “La Repubblica”.

IDF ka mohuar se është autore e hedhjes së predhave, teksa dyshohet se mund të jenë lëshuar nga ana e Hezbollah.

Për ngjarjen ka reaguar edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila e ka dënuar sulmin si të papranueshëm, duke shprehur "indinjatën dhe shqetësimin". Ajo kërkoi "gjetjen e përgjegjësve", teksa riktheksoi se misioni paqeruajtës në Liban do vijojë.

Të njëjtin qëndrim mbajti më pas edhe kreu i Politikës së Jashtme të BE, Josep Borrell, që e cilësoi sulmin si "të papranueshëm" dhe e dënoi fuqishëm, duke kërkuar që të ndalojë.

Ditën e sotme ka pasur përsëri luftime të ashpra mes Izraelit dhe Hezbollahut në disa zona të Libanit, ku janë rrezikuar edhe baza të tjera të UNIFIL. Hezbollah ka hedhur raketa në drejtim të zonës veriore izraelite, por nuk ka raportime për viktima deri tani.

Kurse në mbrëmje, 7 persona në zonën e Baalbek, përfshirë drejtorin e Spitalit Universitar Dar al-Amal, në qytetin e Douris, Ali Allam, u vranë (22 Nëntor), pas një sulmi izraelit në Liban.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:39
Bombardimi i bazës së UNIFIL, reagon edhe kreu i diplomacisë së BE, Borrell: Dënoj sulmin, një shkelje e papranueshme!

Josep Borrell, kreu i Politikës së Jashtme të BE

Pas sulmeve me predha ndaj bazës italiane të forcave paqeruajtëse të UNIFIL në Libanin jugor, ka ardhur edhe reagimi i shefit të diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell.

"Dënoj fuqishëm sulmin e ri kundër misionit Unifil në Liban. Katër ushtarë italianë u plagosën pas lëshimit të dy raketave nga Hezbollah. Sulmet kundër Unifil përfaqësojnë një shkelje të rëndë dhe të papranueshme të ligjit ndërkombëtar dhe duhet të ndalen". 

Kështu u shpreh përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, në një postim të hedhur në rrjetin social X.

Nga sulmi pati 4 ushtarë të "Brigadës Sassari" të plagosur lehtë dhe dëme materiale. Për ngjarjen reagoi edhe kryeministria italiane, Giorgia Meloni, që kërkoi gjetjen e përgjegjësve. Izraeli dhe Hezbollah nuk e kanë pranuar autorësinë e sulmit.

Ora 22:26
Izraeli bombardon në Liban, 7 të vrarë në Baalbek, mes tyre edhe drejtori i spitalit! Tel Avivi i ‘vë syrin’ edhe Irakut, Bagdadi e paralajmëron

Pasojat e bombardimeve në Baalbek të Libanit

Shtatë persona në zonën e Baalbek, përfshirë drejtorin e Spitalit Universitar Dar al-Amal, në qytetin e Douris, Ali Allam, u vranë sot (22 Nëntor), pas një sulmi izraelit në Liban.

"Ky martirizim vjen mes sulmeve të vazhdueshme të nisura nga ushtria armike izraelite, kundër punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe objekteve që përbëjnë një seri krimesh lufte", tha ministria libaneze e shëndetësisë, në një postim në X, të cituar nga Al Jazeera në internet.

"Dr. Allam është një nga djemtë më të mirë të Baalbek dhe shërbimet e tij në spital, i cili konsiderohet më i rëndësishmi në rajon, janë të panumërta", tha guvernatori i Baalbek, Bachir Khodr. 

Por duket se Izraeli po sheh për një front të katërt lufte, nga mendon se vijnë përforcime për grupet që i cilëson si terroriste. 

Ministri i Jashtëm irakian Fuad Hussein tha se kishte "kërcënime të qarta" nga Izraeli dhe se qeveria e tij kishte marrë "masa të brendshme dhe të jashtme" për t'iu kundërvënë atyre. 

"Kryeministri u ka dhënë urdhër forcave të armatosura që të ndërmarrin veprime kundër atyre që kryejnë sulme duke përdorur territorin irakian", tha Hussein, siç raportohet nga Al Jazeera, duke nënvizuar se rajoni është "nën zjarr".

Ora 19:15
Lufta/ Përplasje të ashpra mes Hezbollahut dhe Izraelit në disa zona të Libanit, vijon rreziku edhe pranë UNIFIL

Forcat paqeruajtëse të UNIFIL në Liban, gjatë patrullimeve

Hezbollahu dhe ushtarët izraelitë po luftojnë në zonën Shamaa në Libanin jugor, në lagjen perëndimore të Tiros dhe jo shumë larg bazës ushtarake Unifil, e cila pret selinë e kontingjentit italian të misionit të OKB-së. 

Përplasjet kanë vazhduar prej ditësh dhe sot (22 Nëntor) ato janë përhapur në zonën bregdetare, midis Bayada dhe Naqura, në Wadi Hamul, luginën poshtë kodrës Shamaa dhe në lokalitetet Yarin dhe Marwahin, afër vijës së demarkacionit midis të dy fshatrave.

Luftimet intensive vazhdojnë edhe rreth Khiam, një qytet në Libanin jugor afër vijës ndarëse midis dy vendeve dhe i vendosur në një kodër strategjike me pamje nga lugina e lumit Litani, në rrethin lindor të Marjuyoun. 

Burimet lokale dhe vetë shërbimi i informacionit i Hezbollahut raportojnë për përplasje të dhunshme të armatosura dhe bombardime artilerie në të gjithë zonën, veçanërisht midis lokaliteteve Kafr Kila, Deir Mimas dhe Burj al Muluk, në jug-perëndim të Khiam.

Nuk ka ende të dhëna për viktima, teksa në bazën italiane të UNIFIL u raportua për 4 ushtarë italianë të plagosur lehtë.
 

Ora 17:25
Bombardimi i bazës italiane UNIFIL në Liban, reagon Meloni: Indinjatë dhe shqetësim i thellë, e papranueshme! Të identifikohen përgjegjësit

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni

Bombardimet që prekën edhe bazën e paqeruajtësve të UNIFIL në Liban, mision i OKB-së atje, kanë sjellë edhe reagimet nga diplomacia ndërkombëtare dhe veçanërisht ajo e Italisë.

Baza e sulmuar nga predhat është ajo italiane, ku raportohet se u plagosën lehtë 4 ushtarë italianë të “Brigadës Sassari”. Sulmi nuk ëhstë marrë përsipër as nga Izraeli dhe as nga Hezbollah, që e mohuan të dyja autorësinë.

Për ngjarjen reagoi edhe kryeministrja Italiane, Giorgia Meloni. 

“Mësoj me indinjatë dhe shqetësim të thellë lajmin e sulmeve të reja të pësuar nga selia italiane e Unifil në Libanin jugor, të cilat shkaktuan edhe plagosjen e disa ushtarëve tanë të angazhuar në një mision paqeruajtës”, shprehet në një postim në X kryeministrja italiane.

Teksa më tej apelon për gjetjen e përgjegjësve të sulmit dhe vijimin e misionit paqeruajtës italian atje:

“Dëshiroj të shpreh solidaritetin dhe afërsinë time dhe të qeverisë për të plagosurit, familjet e tyre dhe mirënjohjen e sinqertë për aktivitetin që kryen çdo ditë i gjithë kontingjenti italian në Liban. E ritheksoj edhe një herë”, vijon Meloni, “që sulme të tilla janë e papranueshme dhe rinovoj apelin tim që palët në terren të garantojnë në çdo kohë sigurinë e ushtarëve të Unifil dhe të bashkëpunojnë për të identifikuar shpejt përgjegjësit”.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar