Civilët rikthehen në Lyman, qyteti i çliruar nga ukrainasit! Banorët: Jetojmë me frikën se do goditemi nga rusët

Civilët rikthehen në Lyman, qyteti i çliruar nga ukrainasit! Banorët: Jetojmë me frikën se do goditemi nga rusët

Një bllok apartamentesh në Lyman, i shkatërruar nga sulmet ruse

UKRAINË- Dy avionë luftarakë ukrainas ‘ulërijnë’ lart në qiell teksa dalim nga një pyll i dendur me dëborë dhe futemi në qytetin Lyman, në rajonin Donbas të Ukrainës lindore. Kanë kaluar gati katër muaj që kur trupat ruse u detyruan të tërhiqeshin Lyman, të vendosura tashmë rreth 25 km (rreth 15 milje) në lindje. Por të shtënat dëgjohen ende në Lyman, pjesa më e madhe e tij në gërmadha. Ky qytet nuk është ende i sigurt nga raketat ruse.

"Unë jetoj në katin e shtatë. Raketa goditi katin e pestë, sot herët në mëngjes, rreth orës pesë. Por unë jam mirë," thotë Alexander Rogovitz, një biznesmen 73-vjeçar në pension dhe i vetmi banor i mbetur i në një bllok apartamentesh në buzë të qytetit.

Ai përkulet për t'u ndarë ushqim tetë maceve, shtatë prej tyre të braktisura nga fqinjët. Tani kujdeset ai për të teta macet.

Valeri Dmitrenko duke prerë dru

Në një oborr aty pranë, një teknik hekurudhor 45-vjeçar i quajtur Valeri Dmitrenko është i zënë duke prerë dru për të ngrohur bodrumin ku ai dhe 21 fqinjët janë strehuar për nëntë muajt e fundit.

"Çfarë mund të bëjmë?" Valeri ngre supet, duke përkëdhelur kokën e një qeni endacak që ai dhe gruaja e tij, Ira, së fundmi adoptuan dhe e quajtën Princeshë Diana. Kur ai nuk është i zënë duke prerë dru, Valeri i ndihmon fqinjët të riparojnë dyert dhe dritaret e thyera në ndërtesën e tyre të dëmtuara rëndë.

Pavarësisht luftimeve të ashpra që vazhdojnë në Donbas, civilët po kthehen në qytetet e çliruara të Ukrainës afër vijës së frontit, ndonëse autoritetet lokale u kanë kërkuar që të mos vendosen ende në qytetet e çliruara. Në Lyman, një qytet i shkatërruar totalisht nga ushtria ruse vitin e kaluar, rreth 13,000 banorë po jetojnë në mënyrë të pasigurt, në kushte të papërshtatshme të stinës së dimrit.

Një bllok apartamentesh në Lyman, i cili është shkatërruar pjesërisht nga sulmet me raketa ruse

Ndërsa forcat ruse iu afruan Lymanit qershorin e kaluar, 41,000 civilë u larguan, ndërsa rreth 10.000 mijë të tjerë nuk ikën. Shumë prej tyre ishin të moshuar ose të varfër, si Valeri apo Ira, të cilët kishin të afërm të sëmurë që refuzuan të largoheshin.

"Po, kishte njerëz që mbështesnin Rusinë. Por ata u larguan kur Ukraina filloi të çlironte territorin. Kur të ashtuquajturat autoritetet ruse u shpërngulën, ata shkuan me ta, duke marrë fëmijët e tyre. Ndoshta sepse ishin të frikësuar se çfarë do t'u ndodhte këtu. ”, shton Ira.

Më 3 tetor, Lyman u çlirua nga forcat ukrainase dhe menjëherë më pas kryetari i bashkisë së qytetit, Alexander Zhuravlov, u kthye për të zbuluar se "80%, ndoshta 90%" e ndërtesave ishin dëmtuar ose shkatërruar. Në muajt e fundit, kryetari dhe ekipi i tij kanë arritur të rivendosin energjinë elektrike në pjesën më të madhe të qytetit dhe fshatrave përreth. Pensionet tani po paguhen në kohë dhe disa dyqane janë rihapur.

Ira, një prej civilëve të kthyer në Lyman

Qeveria dhe grupet humanitare kanë sjellë soba dhe dru për banorët në Lyman. Çdo ditë, banorëve iu vjen dreka e paketuar falas. Ka rreth 700 fëmijë që jetojnë në Lyman dhe kryebashkiaku vlerëson se 3,000 banorë të tjerë janë kthyer që nga çlirimi i qytetit. Por ai u kërkon të tjerëve të qëndrojnë larg.

"Për momentin ne nuk i rekomandojmë njerëzit të kthehen këtu. Përkundrazi, ata janë më mirë në vende dhe qytete më të sigurta”, thotë ai.

Kryebashkiaku thotë se policia lokale po merret ende me "një grusht" banorësh të Lyman-it, për të cilët dyshojnë se punojnë për pushtuesit rusë. Por ai beson se përvoja e vitit të kaluar që kaloi qyteti Lyman nën bombardimet ruse ka bindur shumë banorë pro-rusë të ndryshojnë pikëpamjet e tyre.

"Unë mendoj se ata njerëz tani e kuptojnë se ata bënë një gabim. Ata ndoqën rrugën e gabuar nga media, duke parë propagandën ruse në televizion çdo natë dhe duke menduar se ishte e vërteta. Ata ishin në një pakicë dhe tashmë kanë ndryshuar mendje.”, thotë Zhuravlyov.

Grupet e ndihmës ofrojnë ushqim, i cili shpërndahet pa pagesë, për ata që kanë nevojë në Lyman

Një grua 62-vjeçare e quajtur Valentina, në radhë për ushqim në spitalin lokal, duket se pasqyron atë që thotë kryebashkiaku, ndryshimin e qëndrimit për rusët, ndonëse më herët ka qenë mbështetëse e tyre.

"Bombardimet nuk kanë të ndalur. Predhat ende godasin qytetin. Ne nuk e dimë se kush po qëllon," thotë ajo.

Por më pas, Valentina ndryshon mendje.

"Unë mendoj se duhet të jenë rusët. Po, pa dyshim," thotë ajo, duke shtuar: "Ne jemi ukrainas. Ky është një qytet ukrainas. Dyqanet janë të hapura. Pensionet tona vijnë në kohë. Shteti nuk na ka braktisur. "

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Volejboll/ Tirana fiton 1-3 derbin e parë me Partizanin, bardheblutë marrin avantazhin me përmbysje

Volejboll/ Tirana fiton 1-3 derbin e parë me Partizanin, bardheblutë marrin avantazhin me përmbysje