Çmimi referencë i naftës ka kaluar 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2022, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme vazhdon.
Rritja ka gjasa të rrisë edhe më tej çmimet e karburantit. “Një çmim i vogël për t’u paguar. Do të bjerë së shpejti”, ka thënë Trump.
Mojtaba Khamenei, djali i Ajatollah Ali Khameneit, i cili u vra nëntë ditë më parë nga sulmet amerikao-izraelite në Iran, është emëruar udhëheqësi i ri suprem i vendit. Trump ishte shprehur më herët se Mojtaba do të ishte zgjedhje “e papranueshme”, kurse Izraeli u përbetua se do të shënjestronte çdo pasardhës të Ali Khameneit.
“Edhe shanset më të vogla për një ndryshim nuk ekzistojnë më”, thuhet midis banorëve të Teheranit.
Ndërkohë në Bahrein, 32 persona janë plagosur pas një sulmi me dron nga Irani, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve. Katër prej tyre janë në gjendje të rëndë, mes të cilëve një 17-vjeçare e plagosur në kokë e sy, dy fëmijë 7 dhe 8 vjeç janë lënduar në këmbë, ndërsa është plagosur edhe një foshnje 2-muajshe.
Beteja vazhdon pa pushim në të gjitha frontet e përfshira. Hezbollahu thotë: “Kemi rrëzuar një helikopter të shtetit hebre”, ndërkohë mediat libaneze raportojnë për “luftime të ashpra në kufirin me Sirinë”.
Qiproja po kthehet në një pikë të re tensioni në krizën e Lindjes së Mesme. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis mbërritën në ishull për të treguar mbështetjen e Bashkimit Europian pas sulmit me dron të javës së kaluar.
Dy liderët pritet të takohen në qytetin Pafos me presidentin e Qipros, Nikos Christodoulides. Në fokus të bisedimeve është siguria e ishullit, liria e lundrimit në rajon dhe koordinimi për evakuimin e qytetarëve europianë nga zonat me rrezik.
Pas sulmit me dron që kishte në shënjestër bazat britanike në RAF Akrotiri, Greqia ka dërguar në zonë anije ushtarake HS Kimon dhe HS Psara, si edhe katër avionë luftarakë për të patrulluar bregdetin jugor të Qipros. Edhe Franca ka shtuar praninë ushtarake. Parisi ka dërguar anijen Languedoc dhe sisteme tokësore kundër dronëve dhe raketave. Në ditët në vijim pritet të mbërrijë në Mesdheun lindor edhe aeroplanmbajtësja Charles de Gaulle.
Anije luftarake nga Italia, Holanda dhe Spanja pritet gjithashtu të bashkohen në zonë, ndërsa Britania do të dërgojë shkatërruesen HMS Dragon.
Në të njëjtën kohë, Turqia ka vendosur gjashtë avionë luftarakë në pjesën veriore të ishullit, që kontrollohet nga turqit. Presidenti Christodoulides e quajti këtë një reagim ndaj deklaratave të vendeve të BE-së që theksojnë se siguria e Qipros është përgjegjësi e përbashkët e unionit.

Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei
Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, dyshohet se është plagosur gjatë luftës që po zhvillohet në rajon.
Televizioni shtetëror iranian e ka përshkruar atë si “Jaanbaz i Ramazanit”, një term që përdoret për veteranët e luftës të plagosur. Përshkrimi është interpretuar si një konfirmim indirekt se ai ka marrë plagë gjatë konfliktit aktual.
Lajmi është raportuar nga Iran International dhe mediat izraelite, mes tyre edhe Times of Israel.
Sipas raportimeve, televizioni shtetëror iranian ka dhënë edhe detaje për profilin e liderit të ri duke thënë se flet rrjedhshëm anglisht dhe ka kryer studime të specializuara në psikologji dhe psikoanalizë.
Ai përshkruhet gjithashtu si njohës i teknologjive moderne, i shkencave ushtarake dhe i çështjeve të sigurisë, si edhe i parimeve politike dhe mekanizmave ekzekutivë të shtetit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei
Irani po drejton gishtin nga Europa për sulmet amerikano-izraelite që po godasin vendin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se vendet europiane kanë krijuar “kushtet e favorshme” që këto sulme të ndodhin. Sipas tij, veprimet e tyre në ditët e fundit i kanë bërë SHBA-në dhe Izraelin më të guximshëm për të kryer sulme dhe për të shkelur ligjin ndërkombëtar.
Baghaei u shpreh se në vend që të këmbëngulnin te respektimi i ligjit dhe të kundërshtonin kërkesat e Uashingtonit, vendet europiane kanë zgjedhur të bashkërendojnë qëndrimet me SHBA-në.
Ai përmendi veçanërisht diskutimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për rikthimin e sanksioneve ndaj Iranit dhe çështje të tjera që lidhen me konfliktin. Sipas Teheranit, këto qëndrime kanë krijuar klimën që i ka hapur rrugë sulmeve të fundit.

Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar Mojtaba Khamenein për zgjedhjen e tij si Udhëheqës Suprem i Iranit. Lajmin e bën të ditur agjencia ruse e lajmeve Tass. Putin theksoi 'mbështetjen e pakushtëzuar për Teheranin' dhe 'solidaritetin e Rusisë me popullin iranian', thuhet nga agjencia.
Putin shprehu gjithashtu bindjen se Khamenei do të vazhdojë veprën e të atit dhe «do të bashkojë popullin iranian përballë sfidave që do të duhet të përballojë». Në mesazhin drejtuar Khameneit, Putin e quajti sërish sulmin ndaj Iranit 'një agresion të armatosur'.

Vizitorët shqiptarë që ndodheshin në Emirate janë larguar, me grupin e fundit që ka ikur mëngjesin e kësaj të hëne. Report Tv mëson nga një burim diplomatik se vizitorët gjatë periudhës së nisjes së konfliktit në lindjen e mesme e deri më sot, rezultojnë të kenë qenë rreth 500 dhe janë larguar.
Avioni i fundit që i ka transportuar është nisur mëngjesin e sotëm me linjën Fly Dubai, me 60 vende të lira në avion. Shqiptarët vizitorë të kësaj periudhe, sipas burimit janë kthyer në Tiranë me fluturime në datat 6,8 dhe 9 Mars.
Në vendet e emirateve vlerësohet se ndodhen 1500 shqiptarë rezidentë nga të cilët rreth 500 janë larguar. Mësohet se për momentin nuk ka kërkesa të tjera për largim. Ata që kanë bërë kërkesa deri më tani, largohen përmes linjave ajrore, kufijve tokësor me Omanin dhe Arabinë Saudite.
Linjat ajrore jane tërësisht funksionale. Nga Dubai dhe Abu Dhabi fluturohet në 240 destinacione përmes 700 fluturimeve në ditë. Fly Dubai udhëton 4 herë në javë për në Tiranë. Autoritetet dhe mediat lokale raportojnë se situata është relativisht e vështirë, por niveli i sigurisë vlerësohet i menaxhueshëm. Puna sipas udhëzimeve nga autoritetet në Emirate zhvillohet nga shtëpia, shkollat janë të mbyllura ndërsa qendrat tregtare janë të hapura.

Irani ka nisur valën e parë të sulmeve me raketa drejt Izraelit, pasi Mojtaba Khamenei u emërua udhëheqësi i ri suprem i vendit, sipas një postimi në kanalin Telegram të transmetuesit shtetëror IRIB.
Në postim u publikua një fotografi që duket se tregon një predhë me mbishkrimin “Në shërbimin tuaj, Sejjid Mojtaba”, një referencë fetare shiite që shfaqet edhe në materialet zyrtare.

Një sulm me dron iranian ka plagosur 32 persona, katër prej tyre rëndë, në Sitra të Bahreinit, sipas raportimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe njoftimit të Agjencisë së Lajmeve të Bahreinit.
“Mes tyre ka katër raste të rënda, përfshirë fëmijë që kanë pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale,” shkroi Ministria.
Një vajzë 17-vjeçare ka marrë plagë serioze në kokë dhe sy, ndërsa dy fëmijë 7 dhe 8 vjeç kanë pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrët e poshtme, thotë njoftimi ku theksohet se mes të lënduarve është edhe një foshnje 2-muajshe.
Rafineria e vetme e naftës në vend është goditur dhe ka detyruar kompaninë shtetërore të naftës të shpallë forcë madhore për dërgesat e saj të naftës. Shpallja e forcës madhore nënkupton një pengesë absolute që e bën të pamundur përmbushjen e një kontrate ose detyrimi; është një mënyrë për t’u liruar nga përgjegjësia për mosrespektim ose vonesë dhe për të përjashtuar pagesën e penaliteteve.

Vendimi se kur do t’i jepet fund luftës me Iranin “do të ndahet” me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Kështu deklaroi Donald Trump në një intervistë për The Times of Israel, duke theksuar se Irani do ta kishte shkatërruar Izraelin nëse nuk do të ishin ai dhe Izraeli.
“Irani do ta kishte shkatërruar Izraelin dhe gjithçka që ndodhej përreth. Ne kemi punuar së bashku dhe kemi shkatërruar një vend që donte të shkatërronte Izraelin”, theksoi ai.

Luftime të ashpra janë zhvilluar në Libanin lindor, pranë kufirit me Sirinë, ku trupat izraelite kanë zbarkuar me helikopterë. Kështu shkruan Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit duke sqaruar se përplasjet kanë ndodhur pranë fshatit Nabi Chit.
Zona ishte vënë në shënjestër edhe 24 orë më parë nga një komandë izraelite që, pa sukses, po përpiqej të rikuperonte trupin e një aviatori izraelit të kapur në vitin 1986.
Një burim i Hezbollahut tha se lëvizja shiite libaneze ka rrëzuar një helikopter izraelit në atë zonë.
Ushtria izraelite deklaroi se ka goditur zonën e Bejrutit të hënën në mëngjes, duke marrë në shënjestër grupin militant Hezbollah, i mbështetur nga Irani.
Njëkohësisht, në Doha të Katarit raportohen shpërthime të forta.

Çmimet e naftës “do të bien shpejt me përfundimin e shkatërrimit të kërcënimit bërthamor të Iranit”. Kështu deklaroi Donald Trump në rrjetin e tij social Truth Social.
Rritja e çmimeve është “një çmim i vogël për t’u paguar për paqen dhe sigurinë e SHBA-së dhe të botës. Vetëm të çmendurit mendojnë ndryshe”, theksoi Trump.
Komente












Po Eva Murati a eshte mire, se ajo punon ne Bahrein.
Përgjigju