Ministria Turke e Mbrojtjes Kombëtare njoftoi sot vendosjen e një sistemi mbrojtës ajror Patriot në qytetin Malatya, ku ndodhet edhe baza e radarit Küreçik, si pjesë e forcimit të masave të mbrojtjes ajrore të NATO-s në rajon për shkak të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
“Forcat e Armatosura Turke janë plotësisht të përkushtuara për të siguruar sigurinë e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë. Në zhvillimet e fundit në rajonin tonë, po merren masat e nevojshme për sigurinë e kufijve dhe hapësirës ajrore tonë dhe po zhvillohen konsultime me NATO-n dhe aleatët tanë,” thuhet në deklaratën e ministrisë.
Ndërkohë Irani ka nisur një valë re sulmesh me dronë e raketa në Emiratet e Bashkuara, në ditën e 11-të luftës, ku nuk ka shpëtuar as konsullata në Kurdistanin irakian. Ministria e Mbrojtjes përmes një postimi në X njoftoi se u janë përgjigjur sulmeve iraniane.
Si pasojë e sulmeve izraelite në Teheran të paktën 40 persona u vranë. Sipas transmetuesit izraelit N12, disa laboratorë bërthamorë në kryeqytetin iranian u vunë në shënjestër nga forcat e Tel Avivit.
Ushtria izraelite kreu sulme ajrore edhe në disa zona në Libanin jugor dhe lindor. Agjencia Kombëtare Libaneze e Lajmeve (ANI) raportoi se forcat ajrore izraelite bombarduan disa fshatra në rajonet e Tyre dhe Jezzine (jug) dhe pjesën perëndimore të Bekaa-s.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se ‘Nuk kemi mbaruar ende me sulmet’ në Iran. Sipas kryeministrit, vetëm iranianët mund ta përmbysin regjimin e ajatollahëve në Iran.
Irani nuk sheh më hapësirë për një zgjidhje diplomatike me Shtetet e Bashkuara dhe po përgatitet për një konflikt të zgjatur. Kështu deklaroi Kamal Kharazi, këshilltar për politikën e jashtme i Liderit Suprem Iranian gjatë një interviste për CNN.
"Nuk shoh më hapësirë për diplomaci", deklaroi Kharazi, duke akuzuar Presidentin e SHBA-së Donald Trump se " ka mashtruar bashkëbiseduesit e tij dhe nuk ka mbajtur premtimet e tij" gjatë negociatave të mëparshme.
Lideri iranian shtoi se forcat e armatosura të vendit janë të gatshme ta përballojnë konfliktin për një kohë të gjatë teksa parashikoi se lufta do të përfundojë vetëm kur presioni ekonomik global - veçanërisht mbi energjinë dhe inflacionin - t'i detyrojë vendet e tjera të ndërhyjnë për të ndaluar "agresionin" e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Lajm në përditësim...

1,255 viktima dhe mbi 12,000 të plagosur në Iran që nga fillimi i sulmit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ka njoftuar zv/ministri iranian i Shëndetësisë, Ali Jafarian.
Bilanci i viktimave të luftës është edhe më i trishtë, 193 fëmijë kanë humbur jetën ku më e vogla është një vajzë 8-muajshe.

Foto: Dmitry Peskov
Moska është e gatshme të ndihmojë në uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
"Rusia është e gatshme të ofrojë ndihmë sa më shumë që të jetë e mundur", tha ai teksa shtoi se "ju e dini që kjo kërkon mirëkuptim dhe marrëveshje, kështu që do të duhet të jemi të duruar."
Zëdhënësi kujtoi se Presidenti Vladimir Putin më parë ka propozuar opsione ndërmjetësimi rus që mund të ndihmojnë në uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
"Që nga fillimi i kësaj situate, madje edhe para fillimit të fazës ushtarake, Putin ka propozuar disa opsione të cilat mund të ndihmojnë në uljen e tensioneve. Shumë nga këto propozime janë ende në tryezë" tha Peskov.

Monumente historike në Esfahan, përfshirë pallatin e epokës safavide Chehel Sotoun, thuhet se janë dëmtuar pasi një sulm ajror izraelit goditi të hënën ndërtesën e qeverisë provinciale aty pranë, sipas mediave iraniane dhe dëshmive të dëshmitarëve okularë.
Pallati ndodhet pranë zyrës së guvernatorit të Esfahanit dhe raportet sugjerojnë se vala e shpërthimit nga sulmi shkaktoi dëme në pjesë të kompleksit të pallatit, i njohur për afresket, pishinën reflektuese dhe sallat historike që datojnë nga shekulli XVII.
Ka gjithashtu raportime për dëme rreth sheshit Naqsh-e Jahan, sheshi safavid i përfshirë në listën e UNESCO-s, i cili përfshin monumente si Pallati Ali Qapu dhe disa xhami historike.
Në fillim të sulmeve amerikano-izraelite, u dëmtua edhe Pallati Golestan në Iran.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka folur për luftën me Iranin, duke thënë se veprimet ushtarake të Izraelit po “ia thyen kockat”.
Ai thotë se qëllimi i Izraelit është të çlirojë popullin iranian nga “tirania” e regjimit aktual, por shton se “në fund të fundit kjo varet prej tyre”.
“Nuk ka asnjë dyshim se përmes veprimeve të ndërmarra deri tani, ne po ua thyejmë kockat dhe jemi ende aktivë,” tha ai në një postim në X.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar Iranin se shkeljet e hapësirës ajrore turke “nuk mund të justifikohen” dhe ka thënë se sulmet ndaj vendeve të rajonit nuk i shërbejnë askujt.
Në një bisedë telefonike me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, ai tha se Turqia po përpiqet të hapë derën e diplomacisë për të ndihmuar në përfundimin e luftës.
Në një mbledhje të kabinetit mbrëmë, Erdogan tha: “Pavarësisht paralajmërimeve tona të sinqerta, vazhdojnë të ndërmerren hapa jashtëzakonisht të gabuar dhe provokues që do të rrezikojnë miqësinë e Turqisë.”
Këto komente vijnë pasi mbrojtja ajrore e NATO-s rrëzoi një raketë të dytë balistike iraniane që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë të hënën.
Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe ndan një kufi të gjatë me Iranin që ka qenë i qëndrueshëm për 500 vjet.
Asnjë vend tjetër i NATO-s nuk ka të njëjtin nivel kontakti me atë që ka mbetur nga regjimi brenda Iranit. Erdogan po pozicionohet, ashtu siç ka bërë për Ukrainën, Gazën dhe në disa skena të tjera, si një ndërmjetës.

Irani ka njoftuar se ka goditur me dronë një rafineri nafte dhe gazi në Haifa të Izraelit, gjatë orëve të fundit.
Sipas agjencisë së lajmeve Tasnim sulmet ishin "një përgjigje ndaj sulmit të depove iraniane të naftës"

Foto: Lojëtare të ekipit kombëtar të futbollit të grave të Iranit
Pesë lojtarëve të ekipit kombëtar të futbollit të grave të Iranit u është dhënë azil në Australi. Ministri i Punëve të Brendshme Tony Burke konfirmoi vendimin, duke i dhënë fund frikës së riatdhesimit të mundshëm pasi ato ikën nga kampi stërvitor i ekipit.
Atletet u transferuan nga hoteli i tyre në "një vend të sigurt" nga oficerët e Policisë Federale Australiane.
"U them anëtarëve të tjerë të ekipit se e njëjta mundësi ekziston edhe për to", tha Ministri Burke.
Atletet ishin larguar nga hoteli ku po qëndronte ekipi kombëtar në Gold Coast, në jug të Brisbane, gjatë Kupës Aziatike të Grave AFC. Ato iu drejtuan policisë për të kërkuar mbrojtje dhe për të filluar procesin e azilit në Canberra.
E gjitha ishte pasojë e një gjesti të bërë para ndeshjes kundër Koresë së Jugut, kur lojtaret zgjodhën të mos këndonin himnin e Republikës Islamike. Ky akt u interpretua si solidaritet me protestat që kishin shpërthyer në Iran dhe me viktimat e represionit, përfshirë ndihmës gjyqtaren Sahba Rashtian.
Sipas transmetuesit Iran International, lojtarët dhe familjet e tyre morën kërcënime pas atij incidenti. Për këtë arsye ato vendosën të mos kthehen me pjesën tjetër të delegacionit dhe të kërkonin mbrojtje jashtë vendit. Rasti tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare. Presidenti i SHBA-së Donald Trump iu drejtua Kanberrës: "Jepuni azil lojtarëve iranianë. SHBA-të do t'i marrin nëse nuk e bëni."

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bejrut u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë në Liban që të qëndrojnë të strehuar nëse nuk kanë mundësi të largohen nga vendi.
Në një njoftim të publikuar mëngjesin e sotëm, ambasada thekson se qytetarët amerikanë “duhet të marrin seriozisht në konsideratë” largimin nga Libani me fluturimet e kompanisë Middle East Airlines që nisen nga aeroporti ndërkombëtar Beirut Rafic Hariri, nëse e vlerësojnë se është e sigurt për ta bërë këtë.

Sistemi i mbrojtjes 'Patriot' është vendosur në bazën e NATO-s në Malatya, në jug të Turqisë. Njoftimi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes, pasi një raketë iraniane u kap nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s dje. Ky ishte incidenti i dytë i këtij lloji, pas një rakete të parë të kapur më 4 mars, gjithashtu në jug të Turqisë.
Ankaraja nuk ka marrë pjesë në konflikt dhe nuk ka dhënë leje për përdorimin e hapësirës së saj ajrore

Garda Revolucionare e Iranit ka konfirmuar qëllimin e saj për të bllokuar kalimin e cisternave që transportojnë naftë bruto për Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe aleatët e tyre përmes Gjirit.
"Irani nuk do të lejojë më eksportin e asnjë litri nafte nga rajoni drejt luftënxitësve dhe bashkëpunëtorëve të tyre", thuhet në një deklaratë të Pasdaran.

Foto: Abbas Araghchi
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Irani nuk e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe nuk po pengon lundrimin.
Nga ana tjetër ai theksoi se transporti i naftës është ngadalësuar jo për shkakun e tyre, por për shkak të sulmeve amerikano izraelite.
"Prodhimi dhe transporti i naftës është ngadalësuar ose ndaluar jo për shkakun tonë, por për shkak të sulmeve dhe agresionit izraelit dhe amerikan kundër nesh", tha ai.
Komente












